Europa League/ Shorti i buzëqesh shqiptarëve, përveç Berishës

Është hedhur shorti i Ligës së Evropës për raundin e 32-të. Skuadrat e kualifikuara në këtë fazë kanë njohur kundërshtarët e tyre.
Futbollistët shqiptarë kanë pasur disi fat pasi shorti i ka përballur me ekipe më të dobëta se ato.
Napoli i mbrojtësit kuqezi, Elseid Hysaj do të sfidohet nga ekipi gjerman Leipzig ndërsa Arsenalit të Granit Xhakës i ka buzëqeshur fati. “Topçinjtë” do të sfidojnë ekipin suedez, Ostersund.
Gjithashtu edhe për portierin Strakosha shorti ka qenë i mirë. Gardiani i Kombëtares do të udhëtojë në ndeshjen e parë ndaj FC Steaua Bucuresti. Shorti ka qenë i pamëshirshëm për Atalantën e Etrit Berishës. Skuadra e portierit kosovar të Kombëtares sonë do të sfidojë një ndër pretendentët kryesorë për këtë trofe, gjigantët gjermanë të Dortmund.
Gjigantët italian të Milan do të përballen me skuadrën bullgare Ludogortes.