Falcao, kontrata e çuditshme me United dhe 4 milionë euro për një miqësore fantazmë

A mund të paguhen 4 milionë euro për një miqësore fantazmë? E ka bërë Manchester United, që e ka paguar këtë shifër në vitin 2014, si pjesë e marrëveshjes që çoi sulmuesin kolumbian Radamel Falcao në huazim nga Monaco në Manchester. Football Leaks, që po demaskon skandalet e futbollit botëror dhe manipulimet për t’iu shmangur rregulloreve, zbulon një histori të para 4 viteve: Falcao ishte gati të kthehej në fushë pas një dëmtimi të rëndë në ligament pësuar në janar 2014, Mançester United e donte patjetër në “Old Trafford”.

Formula ishte ajo e huazimit për 10 milionë euro dhe të drejtë blerjeje përfundimtare, por United dëshironte të paguante dy këste: 6 milionë euro menjëherë dhe 4 milionë në fund të sezonit, me kusht që formacioni i drejtuar atë sezon nga Luis Van Gal duhej ta mbyllte në 4 vendet e para në Premier League. Problemi është se pagesa e lidhur me arritjen e objektivave apo rendimentit nuk lejohej nga Ligue 1, pasi në Francë konsiderohej shkelje e “Fair Play Financiar”. Më pas United dha “OK” për dy kontrata të veçanta për të blerë Falcaon.

Klubi anglez zotohej të derdhte 6 milionë euro për huazimin për sezonin 2014/2015, ndërsa në marrëveshjen e dytë parashikohej që dy klubet të luanin një ndeshje miqësore dhe United do t’i paguante 4 milionë euro Monakos. Në atë sezon Falcao shënoi 4 gola në 29 ndeshje dhe United e mbylli në vendin e katërt në renditje, por këtu lindi problemi, sepse klubi anglez mori pjesë në kualifikueset e Champions League dhe për pasojë miqësorja e planifikuar me Monakon në verën e vitit 2015 u anulua. Paraqitja e dobët e Falcaos bëri që United të mos e blinte përfundimisht, duke e kthyer në Montekarlo. /EDS/

***********************

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota në kohë reale nga Futbolli dhe sportet e tjera.