Fati i mirë dhe i keq i Prishtinës me skuadrat nga Gjibraltari

11 Qershor 2019

Shorti ka dashur që Prishtina të përballet me skuadrën nga Gjibraltari, St Joseph’s, që është forca e tretë e kampionatit nga ky vend.

Prishtina edhe edicionin e kaluar kishte luajtur me një klub nga ky vend, FC Europa që në ndeshjen e parë në Gjibraltar kishte luajtur baras 1-1, ndërsa në atë kthyese kishte fituar 5-0 në Mitrovicë.

Prishtina ka fat pasi që në short kjo ishte skuadra më e dobët sa i përket koeficientit dhe gjasat që të kalojë tutje janë të mëdha.

Fati i keq është udhëtimi që duhet të bëjnë, pasi që ishulli gjendet në mes të Spanjës dhe Anglisë, një rrugë e gjatë, që duhet të bëhet përmes dy deri në tri udhëtime.

Klubi bardhëekaltër do të harxhojë shuma të konsiderueshme parash për të arritur atje.

Ndeshja e parë zhvillohet në Prishtinë më 27 qershor në stadiumin Fadil Vokrri, ndësa ndeshja e dytë më 4 korrik.

Edhe kapiteni i Prishtinës, ArmednDallku e konsideron si fat shortin me St Joseph’s.

“Po, St Joshep’s ishte ekipi i parafundit në renditjen me koeficient dhe e konsideroj se është fat i joni dhe po ashtu është fat që prapë do të luajmë kundër një ekipi nga Gjibraltari të cilët tani më i njohim dhe ku po shpresoj që të kemi po ashtu edhe fat edhe në rezultat, sepse siç e dini vitin e kaluar kishim përball një kundërshtar nga ky shtet ku rezultati final nga dy ndeshjet ishte shumë i kënaqshëm për ne. Mirëpo ne duhet t’i bëjmë hyzmetin punës e sidomos lojës që fatin ta kemi me vete”.

Armend Dallku (Foto: FC Prishtina)

“Po ashtu i ftoj të gjithë dashamirët e futbollit nga të gjitha qytetet e Kosovës e posaçërisht qytetarët e Prishtinës që të na përkrahin dhe të jenë sa më shumë në numër duke iu bashkangjitur tifozëve tanë të flaktë Plisave që së bashku të arrijmë rezultat të kënaqshëm në ndeshjen e parë, sepse ndeshjen e parë do të luajmë në stadiumin tonë dhe është shumë i rëndësishëm rezultati pozitiv që ndeshjen e kthimit të udhëtojmë me përparësi”, ka thënë kapiteni Dallku.

Dallku i ka 6 paraqitje me Prishtinën në Evropë dhe dy gola të realizuar kundër Europa-s së Gjibraltarit. /Telegrafi/

www.telegrafi.com