Finalja e Kupës së Shqipërisë, Covid-19 “fshin” tifozët, Polica shpërfill kërkesën e FSHF-ës

02 Gusht 2020

Finalja e Kupës së Shqipërisë ishte mundësia e fundit për të mbyllur me tifozë një sezon të vështirë e të çuditshëm. Kërkesa e FSHF-ës për të pasur një numër të caktuar tifozësh në stadium, duke iu referuar shembullit në Francë, nuk është pranuar nga autoritet përkatëse. Policia e Tiranës ka publikuar masat në vigjilje të sfidës Teuta-Tirana duke saktësuar se masat do të jenë të njëjta si në ndeshjen Bylis-Tirana, sfidë e cila përkonte me ndeshjen e fundit të sezonit dhe ceremoninë e akordimit të titullit kampion:

“Do të lejohen të futen në stadium vetëm ata persona të caktuar nga ekipi dhe FSHF, sipas protokollit sanitar “Për organizmin e ndeshjeve të futbollit”. Nëse do të konstatohen shkelje të protokollit do të ndërhyjë dhe do të vendosen masa administrative sipas aktit normativ ndaj të gjithë personave përgjegjës. Nuk do lejohen grumbullime të tifozëve në sheshe apo në ambientet përreth. Në rast grumbullimi Policia do të ndërhyjë për shpërndarjen e tyre”, lexohet ndër të tjera në komunikimin e Policisë së Tiranës. Finalja e Kupës se Shqipërisë është një ndeshje shumë e rëndësishme për të dy ekipet. Tirana pasi arkivoi titullin kampion, kërkon dhe Kupën e Shqipërisë për të mbyllur një sezon me “dopjetën” e famshme, dy trofe që i mungojnë prej 21 vitesh. Edhe Teuta kërkon të mbyll me sukses këtë vit të rëndësishëm, kërkon një trofe për të festuar 100 vjetorin e themelimit të klubit.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.Grupi Balkanweb
www.balkanweb.com