Flet trajneri i grupmoshave Luga: Po djegim shumë talente sepse nuk kemi fusha

Gara për president në Federatën Shqiptare të Futbollit është tema më e diskutuar në çdo ambient, megjithatë ka edhe nga ata persona që nuk ju intereson aspak kjo garë, edhe pse janë pjesë e komunitetit. Trajneri i grupmoshave të Kamzës, Ergys Luga tregohet skeptik se zgjedhjet e reja do të zgjidhin problemet e futbollit shqiptar dhe veçanërisht tek moshat.

“Kur bëhet fjalë për problemet me ekipet e fëmijëve, deri tek të rinjtë, më mirë se trajnerët e tyre askush nuk i di hallet e futbollit tonë. Një nga shqetësimet më kryesore të futbollit tonë që është kthyer tashmë në gangrenë është çështja e terreneve në të cilat stërviten të rinjtë dhe të gjitha ekipet zinxhirë duke filluar nga fëmijët. As mua si trajner nuk më intereson fare çështja e presidentit në FSHF, rëndësi per ne ka të investohet sepse po digjen shumë talente brenda Shqipërisë. Ka talente pafund tek fëmijët dhe me të vërtetë është për të ardhur keq sepse nuk kanë ku stërviten. Stërvitemi dhe luajmë në fusha kalçetoje, është një shqetësim i madh për mua dhe gjithë trajnerët e tjerë, anembanë Shqipërisë”, tha Luga në një komunikim për “Eduasportin.com”.

“Nuk mund të rritësh lojtarë të talentuar dhe t’u mësosh rregullat bazë të futbollit, duke i stërvitur në fusha të vogla, duke mos provuar as barin natyral dhe duke i luajtur ndeshjet shpesh duke shkelur rregulloret. Duhen respektuar standardet, në një fushë me parametra të caktuar duhet të luajë një numër i caktuar lojtarësh, jo më shumë. Gjithashtu, çdo grupmoshë ka nevojë për përgatitje të veçantë, në fushë të veçantë. Nga mosha 13 vjeç e lart të rinjtë duhet të mësohen të luajnë në fusha me bar natyral, pasi nuk është e këshillueshme që të stërviten e të luajnë vetëm në bar artificial, që në përgjithësi në Shqipëri nuk është aspak cilësor e në parametrat e duhur, ndaj edhe ndodhin dëmtime, apo struktura fizike e futbollistëve deformohet. Flas per ekipin tim që në kupën ”Pavarësia”Vlorë u pozicionuam në vendin e tretë. Pata mundësi të takohem dhe të këshillohem me kolegë të mi nga Maqedonia e Kosova dhe nuk ishte problem çështja e fushave, kishin të tjera halle dhe probleme etnike, gjë e cila nuk i përket futbollit”, vazhdoi ai.

“Jo vetëm unë, por ka shumë trajnerë të tjerë që i stërvisin lojtarët në fusha kalçetoje dhe ndeshjet i zhvillojnë në fushë me standarde 11 kundër 11 dhe arrijnë të kenë rezultat, gjë e cila është komplet tjetër. Mund ta imagjinoni dot se si do të konkuronin me ekipe të tjera evropiane këto grupmosha nëse stërviten në fusha të madhe? Jam i bindur që Shqipëria do të bëhej pikë referimi e Ballkanit në të njëjtin nivel me Kroacinë për prurje talentesh. Në të njëjtin standard si ne ishte dhe Islanda, e cila u përfaqësua bindshëm në Evropian dhe tani do të provojë të përfaqësohet dhe në Kupën e Botës”, tha ai.

“E gjitha kjo ka ardhur falë investimit në terrene tek grupmoshat. Nuk kemi nevojë ne për 5 stadiume brenda 8 vitesh, ne kemi nevojë të investohet tek të rinjtë. Nuk kemi nevojë të marrim lojtarë në përfaqësuesen e grupmoshave me kushtin që: ”nëse nuk luajnë jashtë vendit nuk ka vend në kombetarë”. Hidhini një sy Kombëtares U-19, pjesa dërrmuese flasin italisht me njëri-tjetrin. Gjithashtu hidhini një sy përfaqësueseve të Norvegjisë U-19, Ukrainë U-19 dhe Malit të Zi U-19 kishin të gjithë lojtarë që luanin në kampionatin respektiv dhe arritën të na mundnin bindshëm, sidomos ekipi norvegjez 1-7. Ju thashë dhe me lart ka shumë probleme në sektorin e grupmoshave. Uroj që ky bashkëbisedim me ju, të shkoj në veshin e dikujt që mund ta dëgjoj me zemër këtë problem të madh”, theksoi Luga. /EDS/

ulaş utku bozdoğan
ulaş utku bozdoğan astrolog
ulaş utku bozdoğan