Fundi i numrit 10: A po vdes pozicioni më i dashur në futboll?

Ti mund ta lexosh kete ne 3 min.
13 Shtator 2018 21:45

Në panoramën e futbollit modern që ndryshon vazhdimisht, lojtarët duhet të kenë gjithnjë diçka për të bërë në fushë. Sepse nëse nuk e bëjnë, fillojnë të duken si demode dhe relike në një epokë të re. Pozicioni i mesfushorit mund të jetë shndërruar kështu në rolin më kërkues në fushë, ku duhet kombinuar kompleksiteti i disa talenteve bashkë, me lojën e palodhshme në çdo cep të fushës. Në këtë botë të re, nuk ka më vend për numrin 10 tradicional.

Vetëm javën e kaluar, trajneri i Gjermanisë Joachim Low, tha: “Pozicioni i organizatorit, ose numrit 10, nuk ekziston më dhe madje prej shumë kohësh. Në ditët e sotme, organizatorët, ata që organizojnë lojën, qendrojnë shumë më mbrapa në pozicionet mbrojtëse”. Sigurisht që trajneri i Gjermanisë e kishte fjalën për Mesut Ozil, pasi ky i fundit u largua nga kombëtarja. Por gjithsesi, ajo që ai tha është e vërtetë.

Për vite me radhë tifozët janë magjepsur pas numrit 10, të cilësuar si domosdoshmëri për çdo skuadër triumfuese. Kohë para Ozilit, ishte Zinedine Zidane, dhe disa shkallë poshtë tij, emra si Juan Roman Riquelme apo Pablo Aimar. Por tani, ky rol po pëson një krizë ekzistenciale. Nuk konsiderohet më si njeriu kryesor i skuadrës, e madje është fshirë fare si pozicion në skemat e shumëpërdorura sot, si 4-3-3, ose 3-4-3.

Pas një periudhe dominimi, skema 4-2-3-1 – në të cilën numri 10 kishte timonin në dorë – po del dalë-ngadalë nga qarkullimi. Disa numra 10 e kanë pranuar këtë gjë dhe janë tërhequr më në thellësi ose janë spostuar në krah, për t’u përshtatur me kërkesat e kohës.

Dy shembuj fantastik për këtë janë Kevin De Bruyne dhe David Silva. Nën drejtimin e Pep Guardiolas, të dy organizatorët e Manchester Cityt janë shndërruar në mesfushorë qendre dhe kanë shkëlqyer. James Rodriguez është një tjetër lojtar, i cili pasi mahniti të gjithë në Kupën e Botës 2014, tani është tërhequr mbrapa dhe ka mësuar të jetë më luftarak.

Ndërsa Ozil, i cili duket si më kokforti nga numrat 10 për të mos ngritur flamurin e bardhë, nuk po kalon periudhën më të mirë të karrierës së tij. Edhe tek Arsenal, ai e ka humbur vendin në formacion, ose i është kërkuar të spostohet në krah, për t’i bërë vend në qendër Aaron Ramseyt, i cili edhe pse mund të luajë pak më i avancuar, nuk është një organizator tipik.

Mesfushorët modern duhet t’i kenë të gjitha; lojë të rrjedhshme, guxim dhe duhet gjithashtu të bëjnë punën e pistë. Për të konfirmuar fjalët e Low, dy shembujt më konkretë janë Toni Kroos dhe Jorginho, pa harruar Naby Keita, një tjetër lojtar që ka fantazi por di edhe të bëjë atë ndërhyrjen e ashpër kur duhet.

Sidoqoftë, edhe më fanatikët e këtij pozicioni “ikonë” do të duhet t’i thonë lamtumirë dhe ta ruajnë në kujtesën e tyre, sepse ndoshta, mund të mos kthehet më…/EDS/

**********

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota ne kohe reale nga Futbolli dhe sportet tjera.

Kërkesa për kod të ri
Ne ju kemi dërguar një link për të ndërruar kodin. Ju lutem kontrolloni postën tuaj elektronike