Gjermania i jep lamtumirën një tjetër legjende

Botërori i fundit, zhgënjimi i pësuar në Rusi 2018, përkon me fundin e aventurës ndërkombëtare për Mario Gomez. Sulmuesi që aktivizohet me Stuttgart, i cili ka lindur në vitin ’85, përmes një postimi të gjatë në Facebook, i ka dhënë lamtumirën kombëtares Gjermane. Ish-sulmuesi i Fiorentinës i cili debutoi në vitin 2007 ka shënuar 31 gola në 78 ndeshje me fanellën e Gjermanisë. Gomez ka luajtur në Botërorin e 2010-ës, por një dëmtim nuk e ka lejuar atë të grumbullohet në Botërorin e 2014-ës, kur Gjermania fitoi titullin.

“Ishte e mrekullueshme të merrja pjesë në dy kompeticionet e mëdha me Gjermaninë. Për fat të keq, nuk mund të fitosh gjithmonë, por megjithatë ishte një përvojë e mrekullueshme. Kam takuar shumë njerëz me të cilët do të jem gjithmonë i lidhur. Tani është momenti që t’i hap rrugën të rinjve dhe t’i jap atyre mundësinë të realizojnë ëndrrën e tyre për të luajtur për Gjermaninë “-ka shkruar ndër të tjera Gomez në profilin e tij në Facebook.

Gjithsesi  Gomez ka lënë derën e hapur për të ardhmen, duke qenë i ndërgjegjshëm se do të jetë e vështirë që Low t’i besojë përsëri. Megjithatë, si një profesionist, ai është shprehur se gjithmonë do të jetë i gatshëm për të luajtur për Gjermaninë. /EDS/

***********************

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota në kohë reale nga Futbolli dhe sportet e tjera.