Gjiganti Manxukiç, Juve ke një herë. Kroati, i përkëdhelur i Alegrit nuk zhgënjen kurrë

09 Dhjetor 2018

Goli me peshë tri pikët nuk është një risi në këtë sezon për Mario Manxukiçin. Sulmuesi kroat është duke përjetuar një moment fantastik dhe po kalon një formë mjaft të mirë. Pavarësisht yjeve dhe futbollistëve spektakolarë si Kristiano Ronaldo dhe Paulo Dibala, ai e ka vendin e sigurt në formacionin e trajnerit Maks Alegri.

Askush nuk e ka vënë kurrë në diskutim grintën dhe punën taktike të kroatit, por pas disa vitesh që luante nga krahët për shkak të çështjes së formacionit, Manxukiç ka rigjetur edhe golat. Janë 8 në 16 ndeshje këtë sezon. Në këtë sens, merita indirekte është e Kristiano Ronaldos, i cili ka bërë që Juventusi të ndryshojë modulin. Dhe siç na ka mësuar eksperienca te Reali i Madridit me Benzemanë, portugezi pëlqen që të ketë një pikë referimi në majën e sulmit, në mënyrë që të niset nga disa metra më pas. Kështu, Manxu është rikthyer të shijojë më shpesh kënaqësitë e festimit.

GOLA ME PESHË

Pas 20 golave në sezonin e parë “italian”, në vitet e tjera është ndalur në kuotat: 13, 11 dhe 10. Ndërsa sot, edhe pse ka kaluar shumë pak kohë nga nisja e sezonit, kroati është shumë pranë arritjes së golave me dy shifra. Dhe janë gola që vlejnë shumë, me peshë të rëndë, të cilët kanë zhbllokuar ndeshjet vendimtare si ato ndaj Lacios dhe Milanit (2-0), gol dhe asist kundër Parmës (2-1), dopietë vendimtare kundër Napolit (3-1), gol me vlerë 3 pikë në Champions kundër Valencias. Erdhi edhe goli ndaj Interit, skuadër ndaj së cilës nuk kishte shënuar ende.

Manxukiç është nga ata lojtarë që luan me kokë (tru) në fushën e lojës, në kuptimin e dytë të fjalës… Por, edhe në kuptimin e parë. Nëse e shërben përpara portës ai të ndëshkon me kokë. Tre nga 5 golat e tij të fundit kanë ardhur pikërisht me kokë. “Sulmuesi i fundit, i cili me Bajernin ka fituar Ligën e Kampionëve ishte Mario Manxukiç. Janë lojtarë me peshë, të cilët qëndrojnë në fushë edhe me fizikun e tyre”, ka thënë trajneri Alegri pas ndeshjes. Mario është 32 vjeç, ka mbi shpatulla edhe një Botëror ku e dërgoi skuadrën në finale. Por ai nuk zhgënjen kurrë. Në fushën e lojës është thjesht një garanci.

NUK DORËZOHET

Gladiatori bardhezi është nga ata që nuk dorëzohet kurrë në fushën e lojës. Kjo është motoja e tij, i duruar dhe me besim pret deri në fund për të thënë fjalën në një ndeshje. “Mos u dorëzo kurrë dhe prit gjithmonë momentin. Hap pas hapi. Forca Juventus”, ishte statusi i tij në rrjetet sociale pas ndeshjes me Interin, ku i dhuroi skuadrës 1 fitore me vlerë dhe 3 pikë të rëndësishme.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

www.panorama.com

ulaş utku bozdoğan
ulaş utku bozdoğan astrolog
ulaş utku bozdoğan