Guardiola pas incidentit me talentin: Nuk e kontrolloj dot veten

Pep Guradiola e pranon se nuk e kontroll dot veten, kur ai qëndron në anë të fushës gjatë ndeshjeve të ekipit të tij.

Tekniku i Manchester City-t u bë protagonist pas takimit me ekipin Southampton, ku ai nuk i kurseu të bërtiturat si edhe kritikat ndaj talentit të “shenjtorëve”, Nathan Redmond në ndeshjen e së mërkurës, të fituar nga “qytetarët” me rezultatin 2-1.

 “Kur jam në vijën anësore asnjëherë nuk arrij ta kontrolloj veten gjatë ndeshjes. Redmond-it i kujtova thjesht se sa lojtar i zoti është sidomos kur sulmon. Atë ditë Southampton mbroheshe gjatë gjithë kohës. Një veprim të tillë e bëra dhe me Koshua Kimich kur isha te Bayern, por u përmirësova dhe do ta bëj edhe këtu”, deklaroi ish-trajneri I Barcelonës dhe Bayern Munich-ut në prag të sfidës ndaj West Ham-it.

Megjithatë pavarësisht deklaratave të Pep, Federata Angleze e Futbollit(FA) ka kërkuar sqarime nga ana e teknikut të Manchester City-t dhe i ka dhënë afat të justifikojë veprimet e tij deri të Hënën në mbrëmje.

“Unë jam i gatshëm të jap shpjegime në ҫdo kohë që do të më kërkohet “, deklaroi Guardiola.

Zyrtarët e Federatës kritikojnë tonin e lartë të përdorur nga Guardiola ndaj Redmond dhe sjelljen nënvlerësuese ndaj lojës së ekipit të drejtuar nga Mauricio Pellegrini.

“Kjo nuk është e vërtetë. Nuk mund t’i tregoj kundërshtarëve tanë për mënyrën se si ata duhet të luajnë ndaj nesh. Në qoftë se nuk doni të më besoni, e ndërpresim këtu konferencën dhe më mirët shohim ndeshjet “, përfundon 47-vjeҫari.

Federata Angleze mund ta paralajmërojë,pezullojë ose ta gjobisë Guardiolën, por vendimi përfundimtar do të zbardhet në ditët në vijim.