Hazard flet pas shënimit të golit të parë në fanellën e Realit

08 Gusht 2019

Pas pesë ndeshjeve para-sezonale në fanellën e Real Madridit, Eden Hazard u lehtësua më në fund pasi realizoi golin e parë gjatë ditës së djeshme kundër Red Bull Salzburgut.

Belgu shënoi një gol të shkëlqyeshëm kundër austriakëve, i cili do të jetë edhe i fitores minimale prej 1-0.

Ai mendon se goli do t’i japë atij shtytjen që i nevojitet para fillimit të kampionatit të ri, i cili do të startojë gjatë javës së ardhshme dhe madrilenët do të luajnë kundër Celta Vigos.

“Jam i lumtur, por kjo është një ndeshje miqësore. Qëllimi ynë kryesor është të jemi të gati për Celta [Vigo]. Ne e dimë që është ndeshje para sezonale, por shënimi sjell besim”, tha sulmuesi anësor.

“Kur je në fushë, ti dëshiron të fitosh dhe, nëse je në avantazh, dëshiron të shënosh. Unë kam pritur këtë moment në ndeshjet e fundit dhe jam shumë i lumtur. Ne po fitojmë energji dhe forcë. Kemi dhjetë ditë para ndeshjes së parë dhe duhet të përqendrohemi dhe të vazhdojmë të punojmë”, deklaroi belgu.

Ndryshe, Reali do ta ketë edhe një ndeshje në kuadër të miqësoreve, kur të dielën do të takohen me Romën. /Telegrafi/

www.telegrafi.com