Historia e çuditshme/ Vidal, madrileni që urren Realin dhe kërkon hakmarrje

03 Nëntor 2020

Arturo Vidal do të përballet me Realin e Madridit mbrëmjen e sotme për herë të 13-të në karrierën e tij. Vjen në këtë duel me fanellën e Interit pasi ka luajtur 4 herë me Juven, 2 me Bajernin dhe 6 me Barcelonën. Në rrjetet sociale ai është shndërruar në një nga “armiqtë” më të mëdhenj të Realit. Por fanella e bardhë është ajo që ëndërronte ta vishte në fëmijërinë e tij. Ky është rrugëtimi i një madrileni, që tani është anti-madrilen. Arturo Vidal në biografinë e tij ka një kapitull “Rruga drejt Madridit”. Nëna e tij thotë se një ditë donte të luante në Madrid.

Ivan Zamorano ishte idhulli i tij dhe ndeshjet që ka luajtur me Realin ishin një pikë referimi. Një nga të afërmit e tij, Hugo Albornoz ia futi në mendje idenë për të luajtur një ditë në “Bernabeu”. “Më thoshte që ëndrra e tij ishte të luante Realin”, tregon një nga punonjësit historikë të skuadrës KoloKolo, mik i Vidalit. E kishte kaq të ngulitur në kohë këtë gjë, saqë në vitin 2011 kur shkoi te Juventusi tha se ishte një hap i madh drejt ëndrrës për t’u transferuar në Madrid. Por pastaj e korrigjoi këtë deklaratë duke thënë se Juventusi ishte një ekip i madh. Ançeloti e kishte si objektiv Vidalin. Por nuk ndodhi kurrë. Thonë se aksidenti që bëri me makinë dhe informacionet negative mbi jetën personale ndryshuan planet e Realit për ta transferuar.

SA SHUMË POLEMIKA – Me Juventusin “Mbreti” Vidal u përball 4 herë: 2 në grupet e sezonit 2013-2014 dhe në gjysmëfinale, ku u kualifikua Juventusi pas fitores 2-1 në Torino dhe 1-1 në “Bernabeu”. Ai arriti të shënonte me penallti në ndeshjen e parë. Por rivaliteti më i madh mes tij dhe Realit erdhi në kohën kur ishte lojtar i Bajernit. Ishin çerekfinalet e Champions-it në sezonin 2016-2017 dhe u largua me karton të kuq, ku Bajerni e çoi sfidën në shtesë pas humbjes 1-2 në Gjermani. “Dy gola në pozicion jashtë loje, mungesa e kartonit të kuq për Kasemiron. Kur të vjedhin në një ndeshje të tillë është diçka e madhe. U kuptua në fushë që arbitri gaboi shumë dhe na eliminoi.

Reali na vodhi dhe kjo ishte e qartë”, tha Vidal pas ndeshjes. Një sezon më vonë shpërtheu sërish në rrjet kur u luajt gjysmëfinalja mes Realit dhe Juventusit, ku madrilenët fituan penallti në fund. “Nuk i bëri asgjë. Po ndodh sërish”, shkroi ai. Në sezonet e ardhshme ai doli sërish si rival, ku nuk munguan polemikat. Bajerni luajti në gjysmëfinale me Realin dhe Arturo kërkoi hakmarrje. I shkoi afër, por sërish u kualifikuan madrilenët me polemika. Me Barcelonën i sfidoi disa herë madrilenët, ndërsa në rrjetet sociale tregonte gjithmonë pakënaqësi për arbitrimin. Kurrë nuk është fshehur. “Nuk jam antimadrilen, por i them të vërtetat”, tha ai kur u transferua në Katalonjë. Kur Reali fitoi penallti me Bilbaon ai qeshi me të madhe në “Instagram”. Sot rikthehet sërish si rival dhe Konte ka nevojë për “ushtarin” e tij.

PANORAMASPORT.AL

www.panorama.com