Historiku i Botërorëve/ Krijimi dhe të fshehtat e kompeticionit të parë Uruguay 1930

30 Mars 2018
Historiku i Botërorëve/ Krijimi dhe të fshehtat e kompeticionit të parë Uruguay 1930

1930 – Uruguay- Lindja e Botërorit

Fakte

Periudha: 13 korrik -30 korrik

Finalja: Argjentina – Uruguaj 2-4

Vendi i tretë: Shtetet e Bashkuara                                                                             

Vendi i katërt: Jugosllavia

Ekipe: 13

Stadiume: 3

Qytete: 1

Ndeshje: 18

Gola: 70

Pjesëmarrja: 434,500

Golashënuesi: Guillermo Stábile (Argjentina) (8 gola)

Historiku

Në fillim të shekullit të 20-të, në Olimpiadat Verore organizohej gjithmonë një turne futbolli. Bëhet fjalë për Olimpiadën e vitit 1900 e cila përfshiu për herë të parë në histori sportin e futbollit.

Ishte FIFA, e themeluar në vitin 1904, që filloi të menaxhojë turnetë e futbollit në Lojërat Olimpike në edicionet 1920, 1924 dhe 1928. Meqënëse FIFA dhe IOC (Komiteti Ndërkombëtar Olimpik) nuk gjetën gjuhën e përbashkët rreth statusit të lojtarëve amator, FIFA vendosi të organizonte një turne botëror futbolli jashtë Olimpiadës, duke krijuar në këtë mënyrë Kupën e Parë të Botës.

Më 26 maj 1928, në kryeqytetin e Holandës, Amsterdam, presidenti i FIFA Jules Rimet bëri të ditur planin për të organizuar një turne futbolli të pavarur nga Lojërat Olimpike në vitin 1930. Më 18 maj 1929, FIFA njoftoi në kongresin e Barcelonës se Kupa e parë e Botës do të zhvillohej në Uruguaj. Në shenjë hakmarrje IOC vendosi të përjashtonte futbollin si sport në Olimpiadën e vitit 1932.

Janë disa arsye pse Uruguai u përzgjodh si vend organizator. Uruguai në atë kohë ishte kampion i Olimpiadave 1924 dhe 1928 dhe vendi festonte 100-vjetorin e saj. Kur Federata e Uruguajit u ofrua të paguante të gjitha shpenzimet, si shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit të ekipeve pjesëmarrëse, u bë e qartë se Uruguai do të zgjidhej si vendi i parë që do të organizonte një Kupë të Botës. Vendet e tjera si Hungaria, Holanda, Suedia, Italia dhe Spanja të cilët kishin shpallur kandidaturën përt të organizuar Botërorin, u tërhoqën në favor të Uruguajit.

Ekipet Pjesëmarrëse

Vetëm 13 shtete morën pjesë në Kupën e parë të Botës 1930. Ishin 7 vende nga Amerika e Jugut: Uruguai, Brazili, Argjentina, Paraguai, Kili, Peru dhe Bolivi. Ky është numri më i madh i vendeve nga Amerika e Jugut që kanë marrë pjesë në një Kupë të Botës. Është gjithashtu i vetmi edicion ku marrin pjesë më shumë vende nga Amerika e Jugut se sa nga Evropa. 4 shtete nga Evropa morën pjesë: Franca, Belgjika, Jugosllavia (Mbretëria e Jugosllavisë) dhe Rumania. 2 shtete nga Amerika Veriore / Qendrore dhe Karaibe: SHBA dhe Meksika.

Çdo vend i anëtarësuar ne FIFA u ftua të marrë pjesë, ku një ndër to ishte edhe Shqipëria. Shumë vende evropiane, refuzuan me arsyetimin që Uruguai ishte shumë larg. Po flasim për vitin 1930; dhe kjo do të thotë se fluturimi nuk ishte ende diçka që mund të përballohej nga të gjithë. E vetmja mënyrë ishtë të udhëtoje me anije. Pasi kishin mbetur vetëm 2 muaj nga fillimi i këtij kompeticioni, asnjë shtet evropian nuk ishte rregjistruar. Jules Rimet ndërhyri duke përdorur edhe lidhjet politike. 4 vende evropiane vendosën në minutën e fundit që të merrnin pjesë në Kupën e Botës 1930.

Rumania, Belgjika dhe Franca udhëtonin me të njëjtën anije, SS Conte Verde. Me ekipet udhëtonin gjithashtu edhe tre gjyqtarët evropianë dhe Jules Rimet që transportonte trofeun e Kupës së Botës. Jugosllavia ishte i vetmi ekip qe vendosi të udhëtonte me një anije mallrash të quajtur Florida.

Grupet

Meqënëse 13 është numër tek, ekipet u ndanë në 4 grupe, ku një grup përbehej nga 3 skuadra. Shorti u hodh në Montevideo, pasi kishin ardhur të gjithë ekipet. 4 shtete ishin koka grupi, pasi konsederoheshin si ekipet më të forta. Ato ishin Uruguai, Argjentina, Brazili dhe SHBA dhe u zgjodhën nga Komiteti Organizativ i FIFA-s. Kjo ishte hera e parë që u zgjodh një format i tillë. Fitorja kishte vlerën e 2 pikëve kurse barazimi 1 pikë.

Fituesi nga secili grup do të vazhdonte në gjysmëfinale, duke filluar në këtë mënyrë faza e eliminimit. Në këtë fazë, u vendos të luhej 30 minuta kohë shtesë nëse nuk do të kishte fitues pas kohës së rregullt, por nuk ishte e nevojshme. Pas gjysëmfinales u luajt vetëm finalja, pasi nuk ishte vendosur të luhej ndeshje për vendin e tretë.

Grupet ishin këto:

Grupi 1

Grupi 2

Grupi 3

Grupi 4

Argjentina

Jugosllavia

Uruguaj

Shtetet e Bashkuara

Kili

Brazili

Rumania

Belgjika

Franca

Bolivia

Peruja

Paraguaj

Meksika

 

 

 

Stadiumet

Vetëm 3 stadiume janë përdorur për ndeshjet e Kupës së Botës 1930, numri më i ulët në historinë këtij kompeticioni. Të gjitha ndeshjet u zhvilluan në 1 qytet të vetëm: kryeqytetin e Uruguajit Montevideo. Estadio Centenario u ndërtua posaçërisht për Kupën e Botës 1930 dhe në kuadër të 100 vjetorit të Uruguajit. Fillimisht u planifikua që të gjitha ndeshjet e Kupës së Botës të zhvilloheshin në këtë stadium, por për shkak se stadiumi përfundoi së ndërtuari vetëm 5 ditë pas fillimit të Kupës së Botës, u përdorën edhe Estadio Parque Central dhe Estadio Pocitos. Gjysëm finalet dhe finalja u luajtën në Estadio Centenario.

NDESHJET E PAHARRUESHME

GRUPI 1

Francë – Meksikë 4-1

Estadio Pocitos, Montevideo, 3.000

Ndeshja e parë në një Botëror, së bashku me ndeshjen SHBA kundër Belgjikës. Në këtë ndeshje megjithatë u shënua goli i parë i Kupës së Botës. Ishte lojtari francez Lucien Laurent i cili shënoi këtë gol të paharrueshëm në minutën e 19-të. Marcel Langiller dhe André Maschinot (2x) shënuan 3 gola në total për Francën. André Maschinot ishte lojtari i parë që ka shënuar 2 gola në një ndeshje të Botërori. Juan Carreo u bë i pari që shënoi për Meksikën.

Argjentinë – Meksikë 6-3

Estadio Centenario, Montevideo, 50.000

Kjo është ndeshja e parë e Kupës së Botës ku janë shënuar më shumë se 5 gola në total. Kjo ndeshje u bë e famshme për shkak të hat-trick-ut nga Guillermo Stábile (me pseudonimin El Enfiltrador). Kjo ndeshje është gjithashtu e njohur për penalltinë e parë të shënuar në historinë e Kupës së Botës,realizuar nga meksikani Manuel Rosas.

Grupi 2

Jugosllavi – Brazil 2-1

Estadio Parque Central, Montevideo, 5.000

Brazili ndeshjen e parë në një Botëror e humb me rezultatin 2-1. Ishte edhe ndeshja e parë në një Botëror që luante një vend i Amerikës Latine. Pritej që Brazili të kryesonte grupin, por për habi u fitua nga Jugosllavia. Aleksandar Tirnanic dhe Ivan Bek shënuan 2 gola për Jugosllavinë. Sulmuesi brazilian Preguinho shënoi golin e vetëm dhe të parë në një Botëror për Brazilin.

Grupi 3

Rumani – Peru 3-1

Estadio Pocitos, Montevideo, 300

Vetëm 300 njerëz e ndoqën këtë ndeshje. Kjo është pjesëmarrja më e ulët në ndonjë Botëror. Mund të thuhet me siguri se ky rekord nuk mund të thyhet përsëri. Mesfushori peruan Plácido Galindo u bë lojtari i parë që do të ndëshkohej me karton të kuq në një Botëror. Pati edhe një konflikt midis lojtarëve, ku u desh ndërhyrja e policisë. Rumania fitoi me gola të shënuar nga Adalbert Deu, Constantin Stanciu dhe Nicolae Kovács. Peruani Luis de Souza Ferreira shënoi golin e parë për Perunë në një Botëror.

Finalja

Finalja e parë e Botërorit u zhvillua midis dy vendeve nga Amerika Latine: Argjentinës dhe Uruguait. Të dy ekipet kishin fituar çdo ndeshje para se të arrinin në finale.Kjo finale u fitua nga Uruguai. Trajneri i Uruguajit Alberto Suppici ishte shumë i rreptë dhe nuk priste asgjë tjetër veçse disiplinë nga lojtarët e tij. Portieri Andrés Mazali u bë i pari lojtar që do të dëbohej nga një ekip pjesmarrës në Botëror. Ai u largua nga hoteli gjatë natës, ndërkohë që ishte e ndaluar nga trajneri. Ai nuk u rikthye më në ekipin kombëtar. Finalja e zhvilluar më 30 korrik u ndoq nga 93,000 njerëz në stadiumin Estadio Centenario. Gjyqtari belg, John Langenus, i cili drejtoi finalen, kërkoi një sigurim për jetën dhe një anije që të largohej direkt pas finales. Tensioni ishte i lartë gjatë finales. Lojtari argjentinas Luis Monti u kërcënua me vdekje.

Finalja u luajt me 2 topa të ndryshëm. Topi 1 u zgjodh nga Argjentina dhe u përdor në pjesën e parë. Topi 2 u zgjodh nga Uruguai dhe u përdor në pjesën e dytë. Kjo u vendos për shkak të mosmarrëveshjeve midis dy vendeve. Ishte gjyqtari John Langenus i cili e dha këtë ide. Uruguai e filloi mirë duke shënuar golin e parë në minutën e 12-të nga Pablo Dorado. Argjentina megjithatë, shënoi 2 gola pas kësaj në pjesën e parë. Goli i parë u shënua nga Carlos Peucelle (20 ‘) dhe goli i dytë i Guillermo Stábile (37’), të cilin disa thonë se ishte në pozicion jashtë loje.

Në pjesën e dytë u pa një Uruguaj nervoz. Megjithatë pak më shumë se 10 minuta pas fillimit të pjesës së dytë, Pedro Cea barazoi rezultatin 2-2 (57 ‘). Uruguai nuk ishte ende e kënaqur dhe shënoi 2 gola të tjerë me Santos Iriarte (68 ‘) dhe Hector Castro (89’) i cili luante me një krahë, pasi krahun e majtë e kishte humbur në një aksident. Me këto 2 gola Uruguai siguroi trofeun e Kupës së Botës me një rezultat mbresëlënës: 2-4.

 

Kuriozitete

Për shkak të dëmtimit, portieri francez Alex Thépot u bë i pari lojtar në historinë e Kupës së Botës që zëvëndësohet nga një lojtar tjetër (Augustin Chantrel) gjatë një ndeshje (kundër Argjentinës)Argjentina dhe Kili kishin trajnerët më të rinj në historinë e Kupës së Botës: 27 vjeç Juan Jose Tramutola dhe 29 vjeçar Gyorgi OrthE vetmja Kupë e Botës që nuk u zhvilluan ndeshje kualifikuese, edhe secili anëtari i FIFA-s u ftua të merrte pjesëE vetmja Kupë e Botës së bashku me atë të vitit 1950, që nuk zhvilloi ndeshje për vendin e tretëPeruja do të kualifikohej sërisht në një Botëror vetëm në vitin 1970Ekipi rumun u përzgjodh personalisht nga Mbreti Carol II i cili u premtoi lojtarëve para dhe garanci për punë pas turneutLojtari i fundit i mbijetuar i Botërorit 1930 ishte Francisco Varallo nga Argjentina, që vdiq më 20 Gusht 2010 në moshën 100 vjeçare, 80 vjet pas Kupës së Botës në UruguajLojtari francez Lucient Laurent ishte i vetmi që pa Francën duke fituar Kupën e Botës në Francë ’98