Historiku i Botërorëve/ Krijimi dhe të fshehtat e kompeticionit të parë Uruguay 1930

Ti mund ta lexosh kete ne 8 min.
30 Mars 2018 22:33
Si u organizua turneu unik

1930 – Uruguay- Lindja e Botërorit

Fakte

Periudha: 13 korrik -30 korrik

Finalja: Argjentina - Uruguaj 2-4

Vendi i tretë: Shtetet e Bashkuara                                                                             

Vendi i katërt: Jugosllavia

Ekipe: 13

Stadiume: 3

Qytete: 1

Ndeshje: 18

Gola: 70

Pjesëmarrja: 434,500

Golashënuesi: Guillermo Stábile (Argjentina) (8 gola)

Historiku

Në fillim të shekullit të 20-të, në Olimpiadat Verore organizohej gjithmonë një turne futbolli. Bëhet fjalë për Olimpiadën e vitit 1900 e cila përfshiu për herë të parë në histori sportin e futbollit.

Ishte FIFA, e themeluar në vitin 1904, që filloi të menaxhojë turnetë e futbollit në Lojërat Olimpike në edicionet 1920, 1924 dhe 1928. Meqënëse FIFA dhe IOC (Komiteti Ndërkombëtar Olimpik) nuk gjetën gjuhën e përbashkët rreth statusit të lojtarëve amator, FIFA vendosi të organizonte një turne botëror futbolli jashtë Olimpiadës, duke krijuar në këtë mënyrë Kupën e Parë të Botës.

Më 26 maj 1928, në kryeqytetin e Holandës, Amsterdam, presidenti i FIFA Jules Rimet bëri të ditur planin për të organizuar një turne futbolli të pavarur nga Lojërat Olimpike në vitin 1930. Më 18 maj 1929, FIFA njoftoi në kongresin e Barcelonës se Kupa e parë e Botës do të zhvillohej në Uruguaj. Në shenjë hakmarrje IOC vendosi të përjashtonte futbollin si sport në Olimpiadën e vitit 1932.

Janë disa arsye pse Uruguai u përzgjodh si vend organizator. Uruguai në atë kohë ishte kampion i Olimpiadave 1924 dhe 1928 dhe vendi festonte 100-vjetorin e saj. Kur Federata e Uruguajit u ofrua të paguante të gjitha shpenzimet, si shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit të ekipeve pjesëmarrëse, u bë e qartë se Uruguai do të zgjidhej si vendi i parë që do të organizonte një Kupë të Botës. Vendet e tjera si Hungaria, Holanda, Suedia, Italia dhe Spanja të cilët kishin shpallur kandidaturën përt të organizuar Botërorin, u tërhoqën në favor të Uruguajit.

Ekipet Pjesëmarrëse

Vetëm 13 shtete morën pjesë në Kupën e parë të Botës 1930. Ishin 7 vende nga Amerika e Jugut: Uruguai, Brazili, Argjentina, Paraguai, Kili, Peru dhe Bolivi. Ky është numri më i madh i vendeve nga Amerika e Jugut që kanë marrë pjesë në një Kupë të Botës. Është gjithashtu i vetmi edicion ku marrin pjesë më shumë vende nga Amerika e Jugut se sa nga Evropa. 4 shtete nga Evropa morën pjesë: Franca, Belgjika, Jugosllavia (Mbretëria e Jugosllavisë) dhe Rumania. 2 shtete nga Amerika Veriore / Qendrore dhe Karaibe: SHBA dhe Meksika.

Çdo vend i anëtarësuar ne FIFA u ftua të marrë pjesë, ku një ndër to ishte edhe Shqipëria. Shumë vende evropiane, refuzuan me arsyetimin që Uruguai ishte shumë larg. Po flasim për vitin 1930; dhe kjo do të thotë se fluturimi nuk ishte ende diçka që mund të përballohej nga të gjithë. E vetmja mënyrë ishtë të udhëtoje me anije. Pasi kishin mbetur vetëm 2 muaj nga fillimi i këtij kompeticioni, asnjë shtet evropian nuk ishte rregjistruar. Jules Rimet ndërhyri duke përdorur edhe lidhjet politike. 4 vende evropiane vendosën në minutën e fundit që të merrnin pjesë në Kupën e Botës 1930.

Rumania, Belgjika dhe Franca udhëtonin me të njëjtën anije, SS Conte Verde. Me ekipet udhëtonin gjithashtu edhe tre gjyqtarët evropianë dhe Jules Rimet që transportonte trofeun e Kupës së Botës. Jugosllavia ishte i vetmi ekip qe vendosi të udhëtonte me një anije mallrash të quajtur Florida.

Grupet

Meqënëse 13 është numër tek, ekipet u ndanë në 4 grupe, ku një grup përbehej nga 3 skuadra. Shorti u hodh në Montevideo, pasi kishin ardhur të gjithë ekipet. 4 shtete ishin koka grupi, pasi konsederoheshin si ekipet më të forta. Ato ishin Uruguai, Argjentina, Brazili dhe SHBA dhe u zgjodhën nga Komiteti Organizativ i FIFA-s. Kjo ishte hera e parë që u zgjodh një format i tillë. Fitorja kishte vlerën e 2 pikëve kurse barazimi 1 pikë.

Fituesi nga secili grup do të vazhdonte në gjysmëfinale, duke filluar në këtë mënyrë faza e eliminimit. Në këtë fazë, u vendos të luhej 30 minuta kohë shtesë nëse nuk do të kishte fitues pas kohës së rregullt, por nuk ishte e nevojshme. Pas gjysëmfinales u luajt vetëm finalja, pasi nuk ishte vendosur të luhej ndeshje për vendin e tretë.

Grupet ishin këto:

Grupi 1

Grupi 2

Grupi 3

Grupi 4

Argjentina

Jugosllavia

Uruguaj

Shtetet e Bashkuara

Kili

Brazili

Rumania

Belgjika

Franca

Bolivia

Peruja

Paraguaj

Meksika

 

 

 

Stadiumet

Vetëm 3 stadiume janë përdorur për ndeshjet e Kupës së Botës 1930, numri më i ulët në historinë këtij kompeticioni. Të gjitha ndeshjet u zhvilluan në 1 qytet të vetëm: kryeqytetin e Uruguajit Montevideo. Estadio Centenario u ndërtua posaçërisht për Kupën e Botës 1930 dhe në kuadër të 100 vjetorit të Uruguajit. Fillimisht u planifikua që të gjitha ndeshjet e Kupës së Botës të zhvilloheshin në këtë stadium, por për shkak se stadiumi përfundoi së ndërtuari vetëm 5 ditë pas fillimit të Kupës së Botës, u përdorën edhe Estadio Parque Central dhe Estadio Pocitos. Gjysëm finalet dhe finalja u luajtën në Estadio Centenario.

NDESHJET E PAHARRUESHME

GRUPI 1

Francë - Meksikë 4-1

Estadio Pocitos, Montevideo, 3.000

Ndeshja e parë në një Botëror, së bashku me ndeshjen SHBA kundër Belgjikës. Në këtë ndeshje megjithatë u shënua goli i parë i Kupës së Botës. Ishte lojtari francez Lucien Laurent i cili shënoi këtë gol të paharrueshëm në minutën e 19-të. Marcel Langiller dhe André Maschinot (2x) shënuan 3 gola në total për Francën. André Maschinot ishte lojtari i parë që ka shënuar 2 gola në një ndeshje të Botërori. Juan Carreo u bë i pari që shënoi për Meksikën.

Argjentinë - Meksikë 6-3

Estadio Centenario, Montevideo, 50.000

Kjo është ndeshja e parë e Kupës së Botës ku janë shënuar më shumë se 5 gola në total. Kjo ndeshje u bë e famshme për shkak të hat-trick-ut nga Guillermo Stábile (me pseudonimin El Enfiltrador). Kjo ndeshje është gjithashtu e njohur për penalltinë e parë të shënuar në historinë e Kupës së Botës,realizuar nga meksikani Manuel Rosas.

Grupi 2

Jugosllavi - Brazil 2-1

Estadio Parque Central, Montevideo, 5.000

Brazili ndeshjen e parë në një Botëror e humb me rezultatin 2-1. Ishte edhe ndeshja e parë në një Botëror që luante një vend i Amerikës Latine. Pritej që Brazili të kryesonte grupin, por për habi u fitua nga Jugosllavia. Aleksandar Tirnanic dhe Ivan Bek shënuan 2 gola për Jugosllavinë. Sulmuesi brazilian Preguinho shënoi golin e vetëm dhe të parë në një Botëror për Brazilin.

Grupi 3

Rumani - Peru 3-1

Estadio Pocitos, Montevideo, 300

Vetëm 300 njerëz e ndoqën këtë ndeshje. Kjo është pjesëmarrja më e ulët në ndonjë Botëror. Mund të thuhet me siguri se ky rekord nuk mund të thyhet përsëri. Mesfushori peruan Plácido Galindo u bë lojtari i parë që do të ndëshkohej me karton të kuq në një Botëror. Pati edhe një konflikt midis lojtarëve, ku u desh ndërhyrja e policisë. Rumania fitoi me gola të shënuar nga Adalbert Deu, Constantin Stanciu dhe Nicolae Kovács. Peruani Luis de Souza Ferreira shënoi golin e parë për Perunë në një Botëror.

Finalja

Finalja e parë e Botërorit u zhvillua midis dy vendeve nga Amerika Latine: Argjentinës dhe Uruguait. Të dy ekipet kishin fituar çdo ndeshje para se të arrinin në finale.Kjo finale u fitua nga Uruguai. Trajneri i Uruguajit Alberto Suppici ishte shumë i rreptë dhe nuk priste asgjë tjetër veçse disiplinë nga lojtarët e tij. Portieri Andrés Mazali u bë i pari lojtar që do të dëbohej nga një ekip pjesmarrës në Botëror. Ai u largua nga hoteli gjatë natës, ndërkohë që ishte e ndaluar nga trajneri. Ai nuk u rikthye më në ekipin kombëtar. Finalja e zhvilluar më 30 korrik u ndoq nga 93,000 njerëz në stadiumin Estadio Centenario. Gjyqtari belg, John Langenus, i cili drejtoi finalen, kërkoi një sigurim për jetën dhe një anije që të largohej direkt pas finales. Tensioni ishte i lartë gjatë finales. Lojtari argjentinas Luis Monti u kërcënua me vdekje.

Finalja u luajt me 2 topa të ndryshëm. Topi 1 u zgjodh nga Argjentina dhe u përdor në pjesën e parë. Topi 2 u zgjodh nga Uruguai dhe u përdor në pjesën e dytë. Kjo u vendos për shkak të mosmarrëveshjeve midis dy vendeve. Ishte gjyqtari John Langenus i cili e dha këtë ide. Uruguai e filloi mirë duke shënuar golin e parë në minutën e 12-të nga Pablo Dorado. Argjentina megjithatë, shënoi 2 gola pas kësaj në pjesën e parë. Goli i parë u shënua nga Carlos Peucelle (20 ') dhe goli i dytë i Guillermo Stábile (37'), të cilin disa thonë se ishte në pozicion jashtë loje.

Në pjesën e dytë u pa një Uruguaj nervoz. Megjithatë pak më shumë se 10 minuta pas fillimit të pjesës së dytë, Pedro Cea barazoi rezultatin 2-2 (57 '). Uruguai nuk ishte ende e kënaqur dhe shënoi 2 gola të tjerë me Santos Iriarte (68 ') dhe Hector Castro (89') i cili luante me një krahë, pasi krahun e majtë e kishte humbur në një aksident. Me këto 2 gola Uruguai siguroi trofeun e Kupës së Botës me një rezultat mbresëlënës: 2-4.

 

Kuriozitete

  • Për shkak të dëmtimit, portieri francez Alex Thépot u bë i pari lojtar në historinë e Kupës së Botës që zëvëndësohet nga një lojtar tjetër (Augustin Chantrel) gjatë një ndeshje (kundër Argjentinës)
  • Argjentina dhe Kili kishin trajnerët më të rinj në historinë e Kupës së Botës: 27 vjeç Juan Jose Tramutola dhe 29 vjeçar Gyorgi Orth
  • E vetmja Kupë e Botës që nuk u zhvilluan ndeshje kualifikuese, edhe secili anëtari i FIFA-s u ftua të merrte pjesë
  • E vetmja Kupë e Botës së bashku me atë të vitit 1950, që nuk zhvilloi ndeshje për vendin e tretë
  • Peruja do të kualifikohej sërisht në një Botëror vetëm në vitin 1970
  • Ekipi rumun u përzgjodh personalisht nga Mbreti Carol II i cili u premtoi lojtarëve para dhe garanci për punë pas turneut
  • Lojtari i fundit i mbijetuar i Botërorit 1930 ishte Francisco Varallo nga Argjentina, që vdiq më 20 Gusht 2010 në moshën 100 vjeçare, 80 vjet pas Kupës së Botës në Uruguaj
  • Lojtari francez Lucient Laurent ishte i vetmi që pa Francën duke fituar Kupën e Botës në Francë '98

 

 

Milani në prag revolucioni, ja kush pritet të jetë trajneri i ri

Ti mund ta lexosh kete ne 2 min.
17 Korrik 2018 18:32

Edhe pse në deklaratën e Elliottit , bëhej e qartë se Gennaro Gattuso është e tashmja edhe e ardhmja e Milan-it, qëndrimi i Rinos në stolin e kuqezinjve  nuk është aq i sigurt, sipas asaj që raporton Sport Mediaset. Me sa duket, në fakt, trajneri i ardhshëm i Milan-it mund të jetë Antonio Conte. Tekniku nga puglia është zgjedhja e parë e pronarëve të rinj, pas largimit nga Chelsea. Pika e kthesës, me sa duket, do të vijë menjëherë: pas asamblesë që pritet të zhvillohet të shtunën. Disa herë, në vitet e fundit, Conte ka qenë afër kuqezinjve, por këtë herë mund të jetë momenti i duhur.

Elliott duket se dëshiron të ndryshojë gjithçka që mund të ndryshohet nga menaxhimi i Yonghong Li, duke përfshirë edhe trajnerin. Për momentin Elliott, nuk është shprehur asnjëherë për  trajnerin ose për ndonjë çështje tjetër. Që prej deklaratës zyrtare të fondit, kanë ndodhur  tri gjëra të rëndësishme: Conte u shkarkua, Gattuso përfundoi nën hetim dhe Curva Sud lëshoi një komunikatë që e lidhte Rinon drejtpërdrejt me Massimiliano Mirabelli-n.

Ky është problemi kryesor: Marco Fassone dhe drejtori sportiv i kanë ditët e numëruara. Drejtori Ekzekutiv është duke kërkuar për ndonjë mundësi tjetër dhe duket se do të përfundojë në Ligën e Futbollit, ndërsa ky i fundit do të vazhdojë të operojë në merkato deri në fund të sezonit, edhe pse nën mbikëqyrjen e Leonardo-s. Pastaj, mund të caktohet një drejtor i ri sportiv. Mund të jetë Cristiano Giuntoli, por edhe Daniele Pradé. Ardhja e Conte-s mund të lehtësojë transferimin e Alvaro Morata. Sulmuesi ishte kërkuar të Chelsea nga Conte dhe do të ishte dakort për një transferim në Milano. Përveç kësaj, me ardhjen e ish-trajnerit të kombëtares Italiane, mund të qëndrojë edhe kapiteni Leonardo Bonucci, në qendër të thashethemeve të shumta rreth merkatos. /EDS/

**************************

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota ne kohe reale nga Futbolli dhe sportet tjera.

Hamburgu merr vendimin zyrtar për Mavrajn

Ti mund ta lexosh kete ne 1 min.
17 Korrik 2018 18:15
Tani me sytë nga e ardhmja

Rrugët e Mërgim Mavrajt dhe Hamburgut janë ndarë sot përfundimisht. Klubi gjerman ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se ka zgjidhur me mirëkuptim kontratën me 32-vjeçarin shqiptar i cili tashmë është një lojtar i lirë.

Edhe pse kontrata mes Mavrajt dhe hamburg përfundonte një vit më vonë, palët kanë rënë dakord për prishjen e menjëhershme të saj. “Falenderojmë Mërgimin për shërbimet e tij dhe i urojmë fat në të ardhmen”, shkruhej në postimin e Hamburg.

Mavraj u transferua te Hamburg nga Këlni në dhjetor 2016, i blerë nga klubi verior për 1,8 milionë Euro. Edhe pse luajti fillimisht mirë me Hamburg e në fillim të sezonit të kaluar madje u emërua edhe zëvendës kapiten, por që prej mbërritjes së trajnerit Christian Titz gjërat nisën të merrnin për keq për mbrojtësin shqiptar. Fillimisht ai nisi të mos aktivizohej rregullisht e më vonë erdhi edhe dërgimi për t’u stërvitur me skuadrën e dytë.

Tani Mavrajt i duhet të gjejë një skuadër tjetër. Më parë emri i tij është lidhur me turqit e Trabzonspor, ndërkohë që më pas kanë dalë në dritë edhe disa klube italiane apo spanjolle, si Deportivo la Coruna. Gjithsesi tani që lojtari është i lirë mund ta ketë më të lehtë të gjejë një skuadër për të garantuar minuta për sezonin e ardhshëm./EDS/

**********

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota ne kohe reale nga Futbolli dhe sportet tjera.

 

Tronditet Arsenal, kontrata e firmosur me sponsorin kinez jo e vërtetë

Ti mund ta lexosh kete ne 2 min.
17 Korrik 2018 17:50

Ndodh që të gjithë të mashtrohemi njëherë në jetë. Fatura e telefonit e kripur, një blerje nëpërmjet internetit që vjen bosh. Natyrisht, që ti ndodhë një klubi futbolli, me gjithë volumin e punës që sillet rreth botës së futbollit, është mjaft komike. Sidomos në qoftë se klubi në fjalë nuk është një ekip i lënë pas dore, por Arsenali i lavdishëm. Që, siç raportohet nga Daily Mail, në prill kishte njoftuar një partneritet me BYD, një kompani kineze që prodhon makina elektrike. Disa nga lojtarët e Gunners ishin fotografuar me fanellat që mbanin emrin e kompanisë. Por në fakt ...

Ndërsa tani, vetë BYD deklaron se çdo marrëveshje e arritur dhe e nënshkruar me Arsenal-in do të konsiderohet absolutisht e pavlefshme. Dhe për një arsye madhore. Personi i cili ka firmosur këtë marrëveshje ... nuk punon për BYD. Në fakt, ai kurrë nuk ka punuar atje. Daily Mail njofton se Li Juan, arkitekti i dyshuar i këtij mashtrimi, është arrestuar në Shangai. Pikërisht në qytetin më të populluar në botë, Li Juan kishte selinë e saj, ku mashtronte klientët, duke pretenduar se ishte një emisar i BYD-së, duke u pajisur me një vulë të rreme të kompanisë.

Dhe versioni kinez i faqes së Arsenalit konfirmon se Gunners gjithashtu është në listën e të mashtruarve. "BYD ka njoftuar Arsenalin se ka qenë viktimë e mashtrimit në lidhje me disa marrëveshje sponsorizimi, duke përfshirë edhe atë me klubin". Kompania ka lëshuar një deklaratë zyrtare, duke nënvizuar se Li Juan është hequr si një anëtar i stafit të BYD dhe ka përdorur një vulë të falsifikuar për të nënshkruar kontrata. Të gjitha detajet  BYD i ka raportuar në polici, të cilët kanë kryer arrestimin. Një dëm i madh për imazhin e kompanisë, por edhe për vetë Arsenal-in, që kishte postuar fushata reklamuese në faqen e saj të internetit për të bërë publike partneritetin. Dhe në fakt, është përballuar me një marrëveshje të rremë. Por, kjo i ndodh edhe më të mirëve. Megjithatë, nga hera tjetër, kujdes se çfarë firmosni. /EDS/

**************************

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota ne kohe reale nga Futbolli dhe sportet tjera.

Liverpool, ofertë rekord për Alisson

Ti mund ta lexosh kete ne 1 min.
17 Korrik 2018 17:34
A mund t'i thuash jo?!

Liverpool ka bërë një ofertë rekord, prej 70 milionë Eurosh për portierin e Romës, Alisson Becker. Sipas BBC klubi italian po e konsideron seriozisht ofertën edhe pse kërkon 5 milionë euro më shumë. Portieri brazilian sapo është kthyer nga kombëtarja ku mori pjesë në Kupën e Botës në Rusi. 25-vjeçari vesh fanellën verdhekuqe prej dy vjetësh dhe sezonin e kaluar ka luajtur 37 ndeshje, ndërsa karrierën e ka nisur te Internacional në vendlindje.

Nëse oferta e parë e klubit anglez pranohet, do të thyente rekordin e shumës me të cilën është blerë një portier, 53 milionë Euro të paguara nga Juventus në llogaritë e Parmës në vitin 2001 për të marrë Gianluigi Buffon. Rekordin në Premier League e mban portieri i Manchester Cityt, Ederson, për të cilin Guardiola pagoi vjet 40 milionë Euro te Benfica.

Trajneri i Liverpool duket nuk ka ndërmend të vazhdojë sezonin e ardhshëm me Loris Karius në portë, pas dy gafave fatale të gjermani në finalen e Champions League kundër Real Madrid që i kushtuan Reds-ave trofeun.

Alisson luajti në të pesë ndeshjet e Brazilit në Botëror, ku Seleçao arriti deri në çerekfinale, ndërsa e ruajti të paprekur portën në tre raste.

Por përveç këresës së Romës për më shumë para, Liverpool duhet të ruhet edhe nga futja në garë e Chelsea-t, sepse Blutë e Londrës janë shumë pranë shitjes së Thibaut Courtois dhe mund të kenë nevojë për një zëvendësues./EDS/

**********

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota ne kohe reale nga Futbolli dhe sportet tjera.