Icardi injoron futbollin modern dhe thjesht bën… Inzaghin

22 Tetor 2018

Sot quhen 9 fals, interpretues hapësirash ose thjesht Olivier Giroud… Duket sikur futbolli i ka fshirë nga kujtesa sulmuesin tipik, atë predatorin e zonës, që shtyn topin në portë dhe i jep fitoren skuadrës.

Për vite me radhë numri 9 tipik është dashur të bëjë edhe punë të tjera në fushë, duke mos u lënë më “pushim” aty në majë të sulmit për të bërë vetëm prekjen e fundit. Trajnerët filluan të kërkonin gjithmonë e më shumë. Shumë qendërsulmuesve tani u kërkohet që të vrapojnë më shumë, të kontribuojnë në ndërtimin e lojës, të bëjnë presion kur kundërshtari ka topin dhe me shumë altruizëm të pasojnë te shokët që kanë përreth.

Por ky nuk është rasti i Mauro Icardit. Kapiteni i Interit është një gjuetar “grykës” me objektivin e vetëm që të shënojë gol, një punë që e bën mjaft mirë për më tepër. Goli i shënuar në derbin në kohën shtesë të dielën është shembulli perfekt i manipulimit të mbrojtësve kundërshtarë.

Mjafton ta shohësh edhe një herë aksionin e golit dhe bindesh për këtë…

Një krosim i mrekullueshëm nga Matias Vecino, Icardi bën sikur po shkon tek shtylla e parë dhe përfiton një gjysmë metri ndaj mbrojtësit, aq sa i duhet për të mbetur i pamarkuar dhe për të dërguar topin në rrjetë. Pavarësisht daljes së gabuar të Donnarummas, instikti i tij ishte tejet i dukshëm.

Përveç golit, kontributi i Icardit në derbin e Milanos ishte vetëm 15 prekje topi. Nëse heq pjesën e parë të fjalisë duket diçka e papërfillshme. Por kur një prej këtyre prekjeve sjell golin e fitores, për më tepër në minutën e 92-të, nuk mund të mos e quash lojtarin e ndeshjes, ai që bën diferencën.

Duhet përqendrim i madh për të shndërruar në gol një rast që të jepet, pasi ke qëndruar totalisht anonim për një orë e gjysmë, nuk është një një aftësi që duhet marrë si e mirëqenë.

Pas Gerd Mullerit dhe Filippo Inzaghit duket se Europa ka gjetur një predator të ri. 104 gola në 166 ndeshje për Interin në Serie A e konfirmojnë këtë./EDS/

**********

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota ne kohe reale nga Futbolli dhe sportet tjera.

ulaş utku bozdoğan
ulaş utku bozdoğan astrolog
ulaş utku bozdoğan