Interi vepron rrufeshëm, gati firma me dy përforcime

Ti mund ta lexosh kete ne 1 min.
12 Janar 2018 12:48
Mungo firma me Rafinha-n dhe Lisandro Lopez

Rafinha është një hap larg Interit. Klubi zikaltër ka marrë miratimin e futbollistit dhe për të mos humbur kohë ia kanë rritur ofertën Barcelonës që ta lërë të lirë mesfushorin.

Italianët duan ta marrin 24 vjeçarin të huazuar me të drejtë blerjeje për shumën e 20 milionë eurove, shto këtu edhe 3 milionë euro bonus.

Braziliani ka 8 muaj pa luajtur dhe Interi në fillim është i interesuar për gjendjen fizike të tij. Vizitat mjekësore do të përcaktojnë situatën reale, por italianët besojnë se Rafinha do të jetë një element me rëndësi për ekipin.

Ndërkohë, nëna 80 vjeçare e trajnerit Luciano Spalletti mund të qëndrojë e qetë. Kjo sepse Interi gjeti mbrojtësin e ri të qendrës. Ai quhet Lisandro Lopez dhe vjen nga Benfica.

Palët kanë gjetur akordin dhe mungon vetëm firma. Interi do të paguajë 8 milionë euro për kartonin e 28 vjeçarit.

 Ai është i gjatë 189 cm dhe peshon 80 kg. Ai jep mjaft siguri në prapavijë dhe goditja me kokë është pika e tij më  e fortë.

Ekskluzive/ Fair Play Financiar jep efektet e para në Shqipëri

Ti mund ta lexosh kete ne 2 min.
25 Prill 2018 16:21
Një klub me emër shlyen borxhet

Që prej datës 13 maj të vitit 2012 Dinamo e Tiranës ndodhet në Kategorinë e Parë. 18 herë kampionët e vendit prej shumë problemeve, ekonomike dhe politike ndryshuan pamje, nga ekip kampion në vitin 2010 në ekip të shthurur dy vite më pas. Por, kjo situatë që prej asaj dite e deri më sot nuk ka pasur ndryshim. Blutë e kryeqytetit kanë qenë dhe kanë mbetur pjesë e Kategorisë së Parë, duke provuar edhe ethet për t’u rikthyer në elitë, por edhe ato të rënies në një kategori më poshtë.

Pesë sezone në Kategorinë e Parë dhe po bëhen gati për të gjashtin. Normalisht që nuk kanë qenë të lehtë për një ekip legjendar që u nxor nga ambientet e tij. Nga një klub shembull u kthye në një klub lagjesh. Por, duket se rimëkëmbja do të jetë e vështirë, megjithatë, një hap pozitiv është marrë që të gjithë të besojnë se diçka do të ndodhë.

Dinamo në sezonin 2010-2011 nuk ishte më klubi korrekt, duke lënë pas dore shumë pagesa që vit pas viti çuan në heqjen e pikëve në kampionat për blutë. Hera e fundit që Dinamos i janë zbritur pikë nga mosshlyerja e detyrimeve për palët e treta apo për lojtarët ka qenë sezoni 2014-2015. Por, që prej këtij sezoni çdo gjë është mbyllur dhe nuk ka më probleme të tilla.

Duke qenë se organizmat e UEFA-s dhe FIFA-s për Fair-Play-in Financiar kanë nisur të marrin masa, eduasportin.com është interesuar për këtë problem që ka shqetësuar më së shumti këtë ekip. Nga kërkimet tona jemi njohur se Dinamo e ka shlyer borxhin ndaj palëve të treta dhe lojtarëve dy vite më parë, duke shpëtuar njëherë e përgjithmonë nga penalizimet me pikë apo me pjesëmarrje në Europë.

Jo më larg se dje, Panathinaikos u ndëshkua me tre vite penalizim për shkak të borxheve, që do të thotë se klubet për t’u licencuar duhet që t’i kenë bilancet e pastra. Por, të mos harrojmë që Tirana prej borxheve të pashlyera ndaj palëve të treta nuk mori shpërblimin 215 mijë euro nga UEFA për pjesëmarrjen në Europa League.

E ardhmja – Dinamo nuk është shquar ndonjëherë në Shqipëri për tifozeri të dhunshme apo të zjarrtë, megjithatë, një grup njerëzish e mbështesin hap pas hapi, edhe pse ndodhet prej pesë vitesh në të Parën. Gjatë këtij sezoni që është drejt mbylljes, Dinamo u rendit në pesëshen e parë të grupit të Veriut, po pa arritur që të rivalizojë për kreun e tabelës, megjithatë, e ardhmja pritet të jetë ndryshe.

Bëhet me dije se një grup investitorësh janë gati që të investojnë për blutë 18 herë kampionë të Shqipërisë dhe ta nxjerrin në një kategori më lartë. Megjithatë, për momentin çdo gjë është vetëm një plan, pasi pritet që ky projekt të nisë zbatimin në muajin korrik kur do të nisë puna për ekipin e sezonit 2018-2019. /EDS/

Ekskluzive/ S'ka paqe për mesfushorin e Kombëtares, ndryshon sërish ekip

Ti mund ta lexosh kete ne 2 min.
25 Prill 2018 16:19

Nuk po gjen paqe mesfushori shqiptar, Ergys Kaçe. Shtatshkurtri nuk po kalon një moment të mirë në karrierën e tij, pasi ka gjetur shpëtim te skuadra e falimentuar e Panathinaikos-it. Ai u huazua në janar nga skuadra e PAOK-ut te skuadra tjetër greke, pasi nuk po gjente hapësira te ekipi që e nxori futbollist. Kaçe ka gjetur veten te skuadra e Panathinaikos-it, pasi ka luajtur në 8 ndeshje dhe të gjitha si titullar duke marrë minutat e munguara.

Karriera e tij shkoi për poshtë në momentin që u larguar nga skuadra e PAOK-ut dhe shkoi drejt Viktoria Plzen. Gabim i madh, pasi luajti vetëm 4 ndeshje dhe u largua para përfundimit të kontratës. Largimi me probleme nga PAOK-u dhe rikthimi te klubi grek sigurisht që nuk ishte i mirë. Drejtuesit e klubit dhe trajnerët e anashkaluan dhe shtatshkurtri nuk arriti të kthehej më si protagonist te skuadra e tij. Në fund, shpëtimi erdhi te kalimi me Panathinaikos-in. Në fakt, duket se “oazi” i tij është vetëm 6 muaj, pasi në fund të mbarimit të kontratës do të largohet nga ekipi grek. Burime të besueshme pranë lojtarit bëjnë me dije për Eduasportin.com se Kaçe do të braktisë Panathinaikosin duke parë problemet e shumta financiare që ka klubi grek.

Të njëjtat burime saktësojnë se lojtari ka nisur bisedimet me disa klube në Francë. Lojtari ka biseduar me disa klube dhe po pret përgjigje. Dera e tij është e mbyllur dhe nga PAOK-u, pasi ekipi që e nxori si futbollit nuk e do më. Kjo verë do të jetë e nxehtë dhe me plot zhvillime për Kaçrn, pasi nuk do të qëndrojë me Panathinaikosin, nuk e do PAOK-u dhe po mundohet të depërtojë në Francë. Karakteri i tij i vështirë i ka prishur jo pak punë shtatshkurtrit, pasi cilësitë futbollistike nuk vihen në diskutim./EDS

Tjetër mentalitet, komplimente Dajës dhe... sinqeritet

Ti mund ta lexosh kete ne 2 min.
25 Prill 2018 15:41
Peter Pacult të bën për vete

Peter Pacult është nga ata trajnerë që e di më së miri atë shprehjen “tërhiqe e mos e këput”. Austriaku që mori në janar drejtimin e Kukësit kërkon disiplinë në stërvitje, por nuk është se kërkon ta kthejë ekipin e tij në një repart ushtarak. Nuk mungojnë shakatë, pasi morali dhe ana psikologjike e futbollistëve është e rëndësishme. E di mirë këtë Pacult, e dinë edhe trajnerët e tjerë në vendin e tonë, por kreu i pankinës së verilindorëve nuk ka kompleke.

Në një konferencë për shtyp u paraqit me tuta të shkurta sportive. E kujt i intereson fort, sapo kishte mbaruar stërvitjen me skuadrën. Iu përgjigj pyetjeve, ndërkohë që batutat nuk i mungojnë në asnjë moment. Para ndeshjes me Skënderbeun ka menduar të zhvillojë një seancë në bregdet. Shumëkush në vendin tonë mund të mendojë: “Hë, do ia lënë ndeshjen Skënderbeut këta. Shikoni si stërviten, kanë ikur për qejf në plazh”.

“Nuk është ditë relaksi, por stërvitje e mirëfilltë. Është mënyra më e mirë për t’i larguar skuadrës presionin”, thotë Pacult në Supersport, ndërkohë që skuadra e tij vjen pas dy barazimeve me Laçin dhe i pari u kushtoi eliminimin nga Kupa e Shqipërisë. Tanimë luajnë kundër Skënderbeut dhe dëshira e trajnerit të verilindorëve është t’i shtyjë festën e titullit të korçarëve. Fjalë të mira për Ilir Dajën. “Një ndeshje e vështirë, por duam që t’ia shtyjmë festën e titullit Skënderbeut. Daja ke një ekip me kualitet dhe po e menaxhon mirë situatën pas atij dënimi që u ka dhënë UEFA. Objektivi ynë është t’u shtyjmë festën e titullit”, ka thënë mes të tjerash Pacult, që thekson se për Europën dhe lojtarët do të mendojë vetëm pasi ta sigurojnë pjesëmarrjen matematikisht. Kukësi momentalisht mban vendin dytë me 54 pikë, ndërkohë që Luftëtari ndjekës ka shtatë pikë më pak, kurse Partizani 9 pikë./EDS/

Nga Egjipti në majat e futbollit, Salah zbulon sekretet e jetës

Ti mund ta lexosh kete ne 2 min.
25 Prill 2018 15:24
Sulmuesi rrëfen detaje interesante

Mohamed Salah vazhdon të surprizojë me paraqitjet e tij mbresëlënëse në Premier League dhe Champions, me fanellën e Liverpool. Sulmuesi egjiptian po kalon një formë të jashtëzakonshme pas transferimit nga Roma në “Anfield”. 25-vjeçari realizoi dy gola në fitoren (5-2) e gjysmëfinales së parë të Ligës së Kampionëve ndaj ish-ekipit të tij, Romës.

Në një intervistë për CNN, Salah ka rrëfyer jetën e tij përtej futbollit, në veçanti për atdheun e tij, Egjiptin. I pyetur se si arrin t’a mbajë gjithë këtë presion mbi kurriz, ai tha se nuk ndjen asnjë të tillë, përkundrazi ndihet i lehtësuar.

Ushqimi

“Ushqimi është shumë i rëndësishëm, është pjesë e lojës. Më ka ndihmuar shumë të rikuperohem, të fle më mirë dhe trupin tim që të përshtatet më shpejt. Për shkak se nuk kam ndonjë yndyrë në trupin tim, mund të ha çfarë të dua. Gjithashtu nuk pi, kështu që është mirë. Kur kthehem në Egjipt, i them shokut tim që të më blejë kushari kur të vijë të më marrë në aeroport. Vendos kapuçin në kokë dhe futem në makinë për të ngrënë menjëherë.

Kushari është ushqim tradicional në Egjipt, e cila përbëhet nga orizi, makarona dhe thjerrëzat. Duket që ka pasur efekt fantastik tek Salah, i cili ka shënuar 43 gola këtë sezon me fanellën e “The Reds”.

Jeta dhe Egjipti

“Nëse flasim për Egjiptin, ne jemi 100 milionë. Duhet të jem i natyrshëm dhe të mos bëj asgjë të rreme, të mashtroj në mediat sociale, në intervista dhe në jetë. Kjo është jeta ime, është tepër e thjeshtë. Nuk ka asgjë të komplikuar. Nuk kam asgjë për të bërë gjatë ditës por përgjegjësinë e kam në fund. Duhet t’a marrësh me qetësi dhe të ecësh përpara. Unë nuk jam nervoz për këtë. Është pak e vështirë, pasi nuk keni lirinë që të bëni gabime, diçka të gabuar. Ky është presioni, por kur ju ndiheni nën presion për shumë vite, mund të biesh dakord me të. Është në rregull.

Mohmaed Salah ka shënuar 31 gola (9 asiste)  në 31 ndeshje në Premier league deri më tani ndërsa në kompeticionet evropiane, në 10 takime ka shënuar 10 gola dhe ka dhënë 4 asiste. /EDS/