Intervista/ Nga fusha në studio, Lorenc Jemini rrëfen 20 vitet në gjykim

Ti mund ta lexosh kete ne 4 min.
12 Janar 2018 10:46
Një jetë mes kënaqësive dhe presioneve, si ndihet tani që është tërhequr ish- arbitri i FIFA-s

Kur përmendet emri i tij, padyshim që na kujtohen emocionet e shumta që kemi përjetuar në ndeshjet e forta që ai arbitronte. Bëhet fjalë për një nga arbritrat më të mirë shqiptarë, Lorenc Jemini.

Pas 20-vitesh në fushën e blerë, vendosi (pa dëshirën e tij) ta mbyllte karrierën si gjyqtar. Punë që e bënte me dëshirë, ashtu siç e përshkruan edhe vetë ai në intervistën e dhënë për portalin tonë eduasportin.com.

Në fushë është karakterizuar nga autoriteti, por nga ana tjetër të gjithë ata që e njohin, e dinë mirë që pjesë e tij është transparenca me miqtë, si edhe me medien.

Jemini ka rrëfyer “pa dorashka” eksperiencën e tij disa vjeçare si arbitër, emocionet, vështirësitë dhe përplasjet që ka pasur. Pa harruar edhe pasionin e madh që kishte për këtë profesion. 

I dhatë “lamtumirën” karrierës si arbitër. Sa e vështirë ishte dhe pse kaq papritur ?

Në fakt ishte shumë e vështirë për mua pas një karriere 20-vjeçare si arbitër. Por, për disa mosmarrëveshje me FSHF-në vendosa të tërhiqem edhe pse nuk dëshiroja. Nuk mund të qëndroj diku nëse nuk më vlerësojnë si dikur. Ndoshta një ditë do ta kuptojnë gabimin që kanë bërë.

Si e priti familja ?

Vajzat e mia, 15 dhe 12 vjeçe, akoma nuk e besojnë që unë nuk do të jem arbitër. Pasi ishin mësuar të shihnin kur babai i tyre arbitronte pesë derbi (Partizani – Tirana) rresht (rekord më vete ky). Për më tepër më luteshin që ti shoqëroja në shkollë, pasi shokët e shoqet e klasës dëshironin të më takonin, të bënin edhe foto. Kam shkuar sigurisht, por tashmë fakti që nuk jam më arbitër, në të vërtetë i ka mërzitur shumë. Ndërsa bashkëshortja mendon ndryshe. Ajo e kupton më mirë situatën dhe më tha “më mirë, pasi çdo gjë ndodh për një arsye”. 

Si ndiheni në pozicionin e opinionistit?

Shumë mirë ndihem, por sigurisht, jo dhe aq mirë sa në fushë. Fushën e zotëroja totalisht ndërsa në studio kam akoma vështirësi por shumë shpejt do të jem si në fushë.

Le t’iu rikthejmë pak në fushë. Cili ka qenë lojtari që ju ka bezdisur dhe nervozuar më shumë?

Të jem i sinqertë, kam patur marrëdhënie shumë të mira me futbollistët. Madje, shumë prej tyre më kanë dërguar mesazh dhe më kanë pyetur pasi nuk e besonin që po e lija arbitrimin. Mund të përmend disa emra, Bekim Kuli, Sajmir Patushi, Arlind Nora para shumë vitesh. Për periudhën e fundit mund të them, Kalari dhe Vangjeli.

Cili ka qenë kartoni i kuq më i nxituar që keni dhënë?

Të mendohem, pasi kam shumë....

Na thuaj disa prej tyre.

Kam nxjerrë njëherë dy kapitenët, Mukën dhe Poçin në derbin e atëhershëm Dinamo – Tirana.

U penduat pas ndeshjes?

Nuk jam penduar shpesh për dhënien e kartonëve të kuq, sepse kurrë nuk i jepja kot. Por, në rastin konkret po, pasi mund ta anashkaloja. Mirëpo, atëherë isha më i ri dhe shumë më strikt në menaxhimin e lojës.

Jeni konfliktuar ndonjëherë me trajnerët apo presidentët pas ndeshjes?

Me presidentët kam pasur disa përplasje, si me atë të Laçit (Laskën) apo të Shkumbinit (në atë kohë deputeti Sulaj). Ndërsa me trajnerët nuk kam pasur, përveç ndonjë debati në pankinë, por që i kam nxjerrë jashtë për protestë. Këtu mund të përmend, Starovën, Dajën, Muçën dhe ndonjë tjetër që për momentin nuk po më kujtohet.

Cila ka qenë ndeshja më e vështirë që keni arbitruar?

Pjesën më të madhe të ndeshjeve që kam arbitruar kanë qenë të vështira. Mi kanë besuar për shkak të autoritetit (nuk dorëzohesha lehtë kundrejt presionit) dhe për arsye të stemës së FIFA-s. Mund të veçoj dy prej tyre, Laçi – Kastrioti në vitin 2011 dhe Shkumbini – Besa në 2009-ën.

Ju kanë kërcënuar ndonjëherë?

Sigurisht që po, janë pjesë e futbollit edhe kërcënimet. Kam marrë mesazhe apo telefonata anonime dhe i kam paraqitur në FSHF me detaje.

Keni pasur ndonjë rast që jeni nervozuar aq shumë në fushë, saqë keni dashur ta lini përgjysmë ndeshjen?

Jo, asnjëherë. Nuk dorëzohem kurrë në jetë, aq më shumë në arbitrim, në një profesion që e dashuroj.

Si e komentoni ndryshimin e nivelit të arbitrimit në vend?

Vështirësia më e madhe në arbitrim është unifikimi sepse jo të gjithë arbritrat janë njësoj si karaktere dhe sjellje brenda dhe jashtë fushës.

Si është një ditë e juaja pa arbitrim?

Ditët i kam të gjata në fakt. Herët në mëngjes nis me përgatitjet për të filluar punën dhe vazhdoj në darkë me stërvitjen rutinë.

Me çfarë merreni në përditshmëri?

Kam prej shumë vitesh një agjenci “Real Estate” dhe pjesën më të madhe të ditës merrem me biznesin.

A është e kënaqshme paga e një arbitri?

Po, sigurisht, sepse një arbitër në Superligë merr 40.000 lekë të reja për një ndeshje. Në Kategorinë e Parë, paguhen 30.000 lekë ndërsa në të dytën 20.000 lekë. Për nivelin ku jetojmë besoj është e kënaqshme. Mos të harrojmë që arbritrat bëjnë edhe punë të tjera, arbitrimin e kanë part-time.

Cili grup tifozësh ju ka bezdisur më shumë në stadium?

Tifozët në Vlorë (të Flamurtarit), kanë fjalor shumë banal. Por, nuk mbeten pas as ato të Laçit dhe Bylisit. Janë shumë agresivë në shkallët e stadiumit.

Ju kanë ofruar ndonjëherë favore (para) për të trukuar ndeshje?

Po të më kishin ofruar dhe t'i kisha pranuar do të isha akoma arbitër. (qesh)

Intervistoi: Eva MARKU

VIDEO | Basha mbërrin në Selanik, tifozët e presin si mbret

Ti mund ta lexosh kete ne 2 min.
23 Korrik 2018 00:33
Befasojnë grekët

Migjen Basha mbërriti pasditen e së dielës në Selanik për të firmosur kontratën me skuadrën e Aris. Mesfushori i kombëtares shqiptare e kishte zbuluar pak ditë më parë se klubi i tij i ri do të ishte Aris Selanik, klub i rikthyer sivjet në Superligë. Paga e tij do të jetë 300 mijë euro dhe me shumë mundësi mund të listohet te më të paguarit në skuadrën e tij, por bëhet fjalë për një mesfushor me një eksperiencë të madhe dhe që ka provuar të luajë edhe në Serie A, ndaj edhe mund të konsiderohet diçka normale.

Basha është surprizuar, pasi tifozë të shumtë dolën dhe e pritën duke i varur shallin e skuadrës së tyre në qafë ndërsa kanë pozuar me flamurin dhe fanellën e verdhezinjve. “Do të jap 200% për ekipin dhe të gjithë bashkë të bëjmë më të mirën për klubin. Ka mbetur vetëm vizita mjekësore por gjithçka është në rregull, nesër është firma”, ishin fjalët e para të Bashës, që në sezonet e fundit ka luajtur në Itali duke shfaqur një nivel të lartë. Interesant ishte fakti se në momentin që tifozët po prisnin Bashën, një nga mbështetësit grek mbante veshur fanellën e mbrojtësit korçar Kristi Vangjeli, i cili u aktivizua për 9 sezone me skuadrën nga Selaniku ku fitoi zemrat e tyre pas performancave të shkëlqyera në fushë. /EDS/

 

**************************

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.
Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota në kohë reale nga Futbolli dhe sportet e tjera.

Zbërthehet Mavraj: nga Koln te Hamburgu, e ardhmja dhe shqiponjat në Botëror

Ti mund ta lexosh kete ne 4 min.
23 Korrik 2018 00:21
Mbrojtësi i paqartë

Mërgim Mavraj aktualisht është një futbollist i lirë dhe po stërvitet te Koln, ish-klubi i tij për të mbajtur veten në formë. Në një intervistë të dhënë për “Express.de”, mbrojtësi i kombëtares shqiptare foli për gjithçka. Ai pranoi se ka disa oferta, por nuk ka vendosur akoma të ardhmen, ndërsa më pas u ndal te festa me shqiponjë e Xhakës dhe Shaqirit në Botëror pas golave ndaj Serbisë.

Mavraj, po stërviteni në Koln për të mbajtur veten në formë, pse kjo zgjedhje?

Koln ka qenë dhe është një pjesë e rëndësishme e jetës time. Tani është një moment i veçantë, pasi nuk ka diçka të sigurt për të ardhmen. Ndaj është e rëndësishme që të jem këtu me miq të vërtetë. Mund të kisha shkuar të stërvitesha me Benjamin Kugel në Majorka, por këtu në Koln kushtet janë po aq të kompletuara.

Cila tjetër? Ku do të shkoni?

Është e vështirë të them se ku do të shkoj. Sigurisht, objektivi është që të jetë kategoria e parë, kudo. Ka disa opsione, këtu dhe jashtë. Në moshën 32-vjeçare, nuk mendoj se jam pranë pensionit. Padyshim është edhe një shtysë për të ndëshkuar kritikët të cilët e thonë pikërisht këtë gjë.

Te Koln ishit një siguri. Pastaj mbrojtja dështoi. Ishte fatale për të dy palët që u larguat, apo jo?

Ishte rruga më e vështirë që zgjodhëm të dy palët. Në fund, rezultati nuk ishte ai që kishim shpresuar. Megjithatë, Hamburgu ishte një eksperiencë e rëndësishme për jetën, ndonëse kapitulli u mbyll pa lavdi. Padyshim, unë do të kisha dashur të luaja në Europë me Koln, për këtë nuk ka dyshime.

Si e keni përjetuar nga distanca rënien e Koln nga kategoria, me dorëheqjen e Stöger dhe Schmadtke?

Ishte shumë e papritur, por kështu ndodh edhe në jetë. Suksesi sjell gabimet më të mëdha. Sigurisht, ka gjithmonë sinjale. Por është e vështirë t’i shohësh ato kur je mirë. Kjo tashmë mund të aplikohet edhe me Federatën Gjermane. Sigurisht që u mërzita nga ajo që pashë. Por edhe te Hamburgu, nuk di të them në të vërtetë se cila ishte arsyeja e zhgënjimit, ndonëse isha vetë në aty.

Si e përjetuat Kupën e Botës? Duhet të keni ndjerë dhimbje pasi luajtët një rol të mirë me Shqipërinë në “Euro 2016”.

Ekipi kombëtar ka qenë motivimi im më i madh në muajt e fundit. Këtë dëshirë, për t’i kthyer diçka mbrapsht njerëzve të mi, kam arritur ta ruaj edhe në një moment të vështirë sportiv, në një moment kur njerëzit nuk kanë shumë respekt ndaj teje. Kjo dëshirë më ka mbajtur gjallë nga ana sportive. Është diçka e këndshme të arrish Europianin me Shqipërinë, dua të punoj për atë objektiv përsëri.

A mund të na i shpjegoni gjestet e Xhakës dhe Shaqirit në Botëror pas golave me Serbinë që sollën kaq polemika?

Historia luan një rol të madh. Ka qenë një periudhë e errët që nuk duhet të përsëritet! Ka pasur luftë mes Shqipërisë dhe Serbisë deri vonë. Fati e desh që prindërit e këtyre djemve të arratiseshin atëherë. Por këto vlera të origjinës, që njeriu i mban në vetvete, nuk harrohen. Xhaka e dashuron Zvicrën, por te Zvicra lufton si një shqiptar. Kjo do të thotë se ata këndojnë këngë shqiptare, festojnë martesat si shqiptarë, ruajnë traditat – dhe festojnë me këto simbole. Është diçka e mirë që nuk fshihet një gjë e tillë nga një qenie njerëzore. Duhet të jesh tolerant. Dhe ajo që është më thelbësore, është se golat e tyre kanë ndihmuar më shumë Zvicrën se Shqipërinë.

A ka ndonjë shans të ktheheni te Koln?

Unë nuk di të ketë pasur kontakte. Këto gjëra dalin kur prodhohen informacione përgjysmë. Sigurisht ishte e këndshme të luaja te Koln. Por e shoh skuadrën tani, është në një pozitë të mirë dhe ka cilësi. Padyshim pritshmëria te Hamburgu dhe Koln është e larta edhe në Ligën e Parë. Të gjithë presin të dominojnë që në ndeshjet e para. Por unë ju them se do t’ia dalin. Cilësia në Bundesliga 2 nuk është aq e lartë. Sigurisht, diferencat mes skuadrave janë të vogla, por niveli nuk është aq i lartë. /EDS/

**************************

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.
Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota në kohë reale nga Futbolli dhe sportet e tjera.

De Laurentiis zbulon merkaton dhe ndalet te Cavani

Ti mund ta lexosh kete ne 2 min.
22 Korrik 2018 23:32
Thumbon presidenti

Mbrojtësi i Manchester United, Matteo Darmian, është një nga opsionet e shumta që Napoli po e konsideron këtë merkato vere, konfirmoi presidenti i klubit, Aurelio De Laurentiis. 28-vjeçari po hyn në vitin e fundit të kontratës së tij në “Old Trafford” dhe ka përshkruar një dëshirë për të luajtur rregullisht sezonin e ardhshëm. De Laurentiis ka konfirmuar se Napoli është duke kërkuar të nënshkruajë me një mbrojtës të djathtë, me kolumbian Santiago Arias nga PSV Eindhoven, një prej opsioneve që ata janë duke kërkuar përveç Darmian. "Ka pesë ose gjashtë emra në listë. Ne jemi duke monitoruar Arias dhe Darmian, i cili mund të luajë në të dy anët. Të gjithë do të donim të nënshkruanin me Darmian për shkak të shkathtësisë së tij", tha De Laurentiis për "Radio Kiss Kiss".

Minutazhi i Darmian ka qenë i kufizuar që nga ardhja e trajnerit Jose Mourinho, me italianin duke bërë vetëm 17 paraqitje në të gjitha garat sezonin e kaluar. Nënshkrimi i Diogo Dalot nga Porto sugjeron se shanset e tij në “Old Trafford” do të bëhen edhe më të vogla nëse ai vendos të qëndrojë në sezonin e ardhshëm. “Sky” në Itali njoftoi muajin e kaluar se agjenti i Darmian u takua me drejtorin sportiv të Juventus, Fabio Paratici me negociatat në vazhdim. De Laurentiis hodhi poshtë raportet që lidhin Napoli me mbrojtësin e Barcelonës, Lucas Digne, duke vënë në dukje se klubi pritet që së shpejti të ketë të gatshëm Faouzi Ghoulam shumë të vlerësuar, nga një dëmtim në gju.

De Laurentiis gjithashtu mohoi se Napoli është i interesuar për nënshkrimin e Alvaro Morata nga Chelsea apo për të sjellë sulmuesin e Paris Saint-Germain, Edinson Cavani përsëri në “San Paolo”. "Nuk e kam telefonuar kurrë agjentin e Cavani-t", tha De Laurentiis, që vazhdoi: "Unë nuk e kam takuar Cavani-n për shumë vite dhe nuk do të shkoj në Paris për ta takuar atë. Kam lexuar se PSG dëshiron 55 milionë euro për të. Ne e shitëm për 63 milionë euro nuk do të lejoj kurrë që ata të marrin paratë e mia". /EDS/

**************************

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.
Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota në kohë reale nga Futbolli dhe sportet e tjera.

Ozil i jep fund me Gjermaninë, por largohet me lum akuzash ndaj presidentit

Ti mund ta lexosh kete ne 2 min.
22 Korrik 2018 21:13
Befason 29-vjeçari

Mesut Ozil ka konfirmuar se është tërhequr nga futbolli ndërkombëtar me efekt të menjëhershëm pas trajtimit që mori nga DFB. Sulmuesi i Arsenalit thotë se mënyra se si është trajtuar nga Federata Gjermane e Futbollit e bën atë që të mos veshë fanellën e kombëtares gjermane. Duke parë zhvillimet e fundit diçka e tillë ishte e pritshme. Mesut Ozil nuk ishte më i mirëpritur te Gjermani dhe ai i ka dhënë fund me kombëtaren, ndërsa para pak minutash ka publikuar vendimin e marrë për të hequr dorë nga “Pancerat”. Ozil pohoi se ai ishte fajësuar për zhgënjimin e Gjermanisë në Kupën e Botës, ndërsa foli edhe për fotografin e realizuar në maj. Ozil u kritikua nga politikanët gjermanë, pasi u fotografua me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Presidenti i DFB Reinhard Grindel ishte fokusi i pjesës së tretë dhe përfundimtare të deklaratës, pasi Ozil goditi zyrtarin, duke thënë: "Unë nuk do të qëndroj më për të qenë një kokë turku për paaftësinë e tij dhe pamundësinë për të bërë punën e tij siç duhet". Pas performancës katastrofike të Kupës së Botës në Gjermani, ku nuk arriti të dilte nga grupet dhe humbi si me Meksikën ashtu edhe me Korenë e Jugut, Ozil u kritikua rëndë nga mediat dhe nga DFB, ndërsa Grindel madje i kërkoi mesfushorit të bënte një deklaratë publike për takimin me Erdogan, duke vënë në pikëpyetje kredencialet e tij si një lojtar ndërkombëtar pas incidentit. Ozil detajoi se si Grindel u përpoq të përfitonte nga takimi i tij me Erdogan, duke synuar ta përdorte atë si një mjet për të shprehur pikëpamjet e tij politike dhe për të shkatërruar personalitetin e Ozil në këtë proces. Ai gjithashtu akuzoi presidentin e DFB për racizëm, duke deklaruar se: "unë jam gjerman kur fitojmë, por unë jam një emigrant kur humbasim". /EDS/

**************************

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.
Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota në kohë reale nga Futbolli dhe sportet e tjera.