Ish-kampion Kevin Schwantz kërkon masa të ashpra ndaj Marquez

Ti mund ta lexosh kete ne 2 min.
14 Prill 2018 13:12
Piloti duhet të mbahet në vëzhgim

“Marc Marquez duhet të vendoset në provë deri në fund të sezonit, pas episodeve në fundjavën e kaluar në çmimin e Madh të Argjentinës”. Ky është të paktën mendimi i Kevin Schwantz. Piloti spanjoll i Honda u kritikua shumë për garimin e tij në cirkuitin e Termas de Rio Hondo, ku tërhoqi vëmendjen e drejtuesve të garës, pas incidenteve me Aleix Espargaro dhe Valentino Rossi, që më pas shkaktoi dhe rrëzimin e pilotit italian. Kampioni i Botës në 1993, Schwantz, tha se 25-vjeçari duhet të jetë në vëzhgim për pjesën e mbetur të sezonit për sjelljen e tij në Argjentinë, dhe nëse ndodh sërish diçka e ngjashme, duhet të merren masa më të ashpra ndaj tij.

“Ai u penalizua për atë që bëri. Por sipas mendimit tim duhet të mbahet në vëzhgim për pjesën e mbetur të sezonit. Atij duhet t’i thuhet se për çfarëdolloj arsyeje, ai kryen sërish kontakte me të tjerët, atëherë duhet të pezullohet ose skualifikohet. Edhe nëse ai u justifikua me pjesën se ishte shumë i shpejtë, Marquez është një kampion, dhe ai e di që është shumë i shpejtë edhe para se të hyjë në parakalim me një motor tjetër dhe të bëjë kontakt me të. Nuk mund të garosh, dhe të godasësh pilotin tjetër dhe më pas të thuash: “Më fal, bëra një gabim”. Të gjithë e dimë që nuk është e drejtë. Të gjithë bëjnë gabime rastësore në situata kritike, por ai nuk duhet të krijonte situatën e vet kritike ku gabimet e tija të kishin pasoja te pilotët e tjerë.”

Kur kanë kaluar 6 ditë nga gara e Argjentinës, polemikat për incidentin mes Rossit dhe Marquez vazhdojnë ende. Të shumta kanë qenë kritikat ndaj spanjollit për mënyrën e tij të garimit. Gjithsesi piloti i Honda nuk mendon aspak të ndryshojë stilin e tij pavarësisht gjithçkaje. /EDS/

Kërkesa për kod të ri
Ne ju kemi dërguar një link për të ndërruar kodin. Ju lutem kontrolloni postën tuaj elektronike