Ishte pranë largimit, por United i rinovon kontratën

Marouane Fellaini do të jetë pjesë e Manchester United deri në vitn 2020. Lajmin e ka zyrtarizuar vetë klubi anglez përmes një njoftimi të bërë në sajtin e tij. 30-vjeçari do të vazhdojë aventurën me gjigantët e Premier League edhe për dy sezone të tjera. United ka arritur akordin për rinovimin e kontratës me lojtarin deri në qershor të 2020-ës. Fellaini u bë pjesë e “Old Trafford” në 2013-ën dhe ka bërë 156 paraqitje me fanellën e “Djajve të kuq”, ku ka shënuar edhe 20 gola. Gjatë kohës së tij në United, ai ka fituar FA Cup, EFL Cup, UEFA Europa League dhe Community Shield.

“Jam i lumtur që do të vazhdoj të jem lojtar i Manchester United. E bëra këtë zgjedhje pasi jam shumë i lumtur këtu. Gjithashtu, më pëlqen kjo skuadër, nën drejtimin e Jose Mourinhos, kemi akoma shumë për të arritur. Dua të falënderoj veçanërisht trajnerin për besimin që ka shfaqur tek unë gjithmonë. Për momentin jam i fokusuar në Kupën e Botës dhe më pas do të punoj për një sezon të suksesshëm përpara”- tha 30-vjeçari.

Nga ana tjetër edhe “Special One” ka thënë fjalën e tij pas rinovimit të lojtarit. Tekniku portugez u shpreh i lumtur për qëndrimin e lojtarit, të cilin e vlerëson shumë.

“Jam shumë i lumtur që Marouane po qëndron me ne. Gjithmonë kam besuar tek ai dhe kam pasur dëshirën që ai të qëndrojë në këtë klub. Më bëhet qejfi që ai nënshkroi kontratë të re”- tha Mou.

Fellaini bëri një ndeshje fantastike me Belgjikën në fitoren minimale 1-0 ndaj Anglisë mbrëmjen e djeshme. Ai u vlerësua si një nga lojtarët më të mirë në fushë. Prej disa javësh mediat britanike shkruanin që belgu ishte shumë pranë largimit nga United, por që vetë klubi e vërtetoi të kundërtën. /EDS/

*************************

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota ne kohe reale nga Futbolli dhe sportet tjera.