Jadon Sancho kalon Lewandowskin dhe Thiago Alcantaran, anglezi bëhet lojtari më i vlefshëm në Bundesliga

08 Mars 2019

Jadon Sancho vazhdon të mahnitë të gjithë në Gjermani dhe jo vetëm me paraqitjet e tij.

Ylli anglez ka shkëlqyer këtë edicion me fanellën e liderit aktual të Gjermanisë, Borussia Dortmund.

18-vjeçari ka shënuar nëntë gola dhe ka dhuruar 14 asistime në të gjitha garat me Dortmundin, gjë që ka bërë të rritet vlera e tij në tregun e transferimeve.

Faqja e specializuar për çmimin e futbollistëve ‘Transfermarkt’, ka përditësuar çmimet e lojtarëve të Bundesligas.

Jadon Sancho. (Foto: Gonzalo Arroyo Moreno/Getty Images/Guliver)

Kësisoj Sancho është bërë lojtari me vlerën më të madhe në kampionatin gjerman dhe tani vlen 80 milionë euro.

Reprezentuesi anglez ka lënë mbrapa vetës dy yjet e Bayernit, Robert Lewandowskin dhe Thiago Alcantaran që vlejnë 10 milionë më pak.

Thiago Alcantara dhe Robert Lewandowski janë në pozitën e dytë me vlerë prej 70 milionë eurove. (Foto: Clive Brunskill/Getty Images/Guliver)

Vlerë prej 65 milionë eurove kanë Timo Werner i RB Leipzig, Kai Havertz i Bayer Leverkusen dhe James Rodriguez i Bayernit.

Mbrojtësi i Bayernit, Joshua Kimmich dhe sulmuesi i Dortmundit, Christian Pulisic kanë vlerën e 60 milionë eurove.

Ndërsa top 10 lojtarët më të shtrenjtë në Bundesliga i përmbyllin David Alaba me 55 milionë dhe Marco Reus me 50 milionë. /Telegrafi/

www.telegrafi.com