Java e 14 nis të premten me një super sfidë

Java e 14 nis të premten me një super sfidë

Nesër kombëtarja kuqezi do të luajë ndeshjen miqësore kundër Uellsit dhe më pas e gjithë vëmendja e FSHF-së do të jetë e zhvendosur plotësisht te java e 14 e Kategorisë Superiore. Natyrisht që edhe sot ka qenë, duke pasur parasysh se është nisja e javës. Janë përcaktuar oraret, ku do të luhet në tre ditë.

Të premten, më 23 nëntor do të zhvillohet takimi i parë i javës së 14, ku në Vlorë është zhvendosur e gjithë vëmendja. Në orën 18:00 do të shkelmohet topi i parë i takimit Flamurtari – Partizani, ku të dy ekipet duan të ruajnë ecurinë pozitive.

Skuadra e Ilir Dajës ka shfrytëzuar pushimet, duke bërë që disa lojtarë të riaftësohen plotësisht dhe të jenë gati për ndeshjen e radhës. Madje, stafi i kuqezinjve ka lënë jashtë fushës lojtarët titullarë edhe në takimin e luajtur në Fier kundër Apolonisë, miqësore që përfundoi në barazim 1-1.

Nga ana tjetër, Partizani që ka një grup të rinjsh të talentuar, po pret rikthimin e “gardianit” Hoxha, i cili nuk ishte në gjendje të vijonte me kombëtaren kuqezi. Për teknikun Gega do të ishte një lajm i mirë nëse ai do të rikthehej për këtë ndeshje delikate që vlen shumë për ecurinë për të ruajtur kreun e tabelës së klasifikimit.

Të shtunën do të luhen dy takimet e tjera, ai mes Tiranës dhe Skënderbeut, që çuditërisht është zhvendosur në orën 14:00 dhe ai mes Teutës e Luftëtarit, i parashikuar në orën 17:00 në “Niko Dovana”. Durrsakët rikthehen në fushën e tyre pas mbjelljes së barit.

Ndërkohë që të dielën Laçi do të presë Kastriotin në fushën e tij, po e mbjellë me bar tërësisht, që i bëri kurbinasit të sakrifikonin tre ndeshje në stadiume neutrale. Ndërsa Kamza do të presë Kukësin në fushën e vet. Përballje interesante për ecurinë e të dy skuadrave. Të dyja ndeshjet në orën 14:00. /EDS/

**************

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota në kohë reale nga Futbolli dhe sportet e tjera.