Josa flet pas barazimit ndaj St Joseph’s: Do të jetë e vështirë në ndeshjen e kthimit

27 Qershor 2019

Mirel Josa nuk është ndarë i kënaqur me epilogun përfundimtar të ndeshjes Prishtina – St Joseph’s, pasi që të besuarit e tij nuk ia dolën më shumë se një barazim 1-1 në shtëpinë e tyre “Fadil Vokrri”.

Në prononcimin e tij pas ndeshjes Josa theksoi mungesat që kishte para fillimit të këtij dueli, ndërkohë që lëndimi i Shillovës ia vështirësoi edhe më shumë punët.

“Duhet të kishim më shumë logjikë në pjesën e dytë, duhet të ishim më të qetë. Largimi i Shillovës për arsye dëmtimi na goditi shumë sepse ishte pikë referimi, pastaj duhet të ndryshonim për arsye mungesash”, deklaroi Josa për RTK.

Më tej tekniku 56-vjeçar foli edhe për duelin kthyes që pritet të zhvillohet më 2 korrik.

“Do të jetë vështirë edhe në ndeshjen e kthimit sepse kemi përballë një ekip që i shfrytëzon të gjitha armët, madje edhe vonimin e lojës”, përfundoi ai.

Ndeshja e kthimit luhet në Gjibraltar më 2 korrik të martën me fillim nga ora 17:45. /Telegrafi/

www.telegrafi.com