Juventus ”injoron” kampionatin, Dybala lihet pushim në prag të sfidës ndaj Manchester United

18 Tetor 2018

Tetë fitore në po kaq ndeshje kampionati të luajtura, është vetëm një objektiv i vogël. Juventusi ka vendosur t’ia zgjasë jetën kësaj ecurie të suksesshme dhe të ndjekë rekordin e Romës së Rudi Garcia në sezonin 2013-2014. Atëherë, verdhekuqtë do të regjistronin dhjetë fitore radhazi në fillim të turneut.

Pengesa e radhës për bardhezinjtë do të jetë Genoa, e freskët nga ndryshimi i trajnerit, pas humbjes në shtëpi kundër Parmës. Ivan Juric është kthyer për herë të tretë në stol, për të zëvendësuar Davide Ballardini, i kritikuar ashpër nga presidenti Enrico Preziosi për mungesën e njohurive teknike dhe taktike. Massimiliano Allegri duhet të bëjë disa ndryshime në formacionin e tij. Siç raportohet nga “La Gazzetta dello Sport”, Paulo Dybala do ta nisë nga stoli, pas pesë ndeshjeve radhazi si titullar, në kampionat dhe Champions. Argjentinasi ka marrë një goditje gjatë miqësores së luajtur mes Brazilit dhe Argjentinës, duke e lënë fushën në pjesën e dytë, pas një problemi të muskujve, që ende e shqetëson personelin mjekësor të Juventusit. Ky i fundit do ta ruajë Dybala, që ta ketë gati për ndeshjen në “Old Trafford”, kundër Manchester United, e planifikuar të luhet të martën në mbrëmje.

Një pushim, që ndoshta do të vinte në çdo rast, duke marrë parasysh angazhimin e dyfishtë me Albiceleste dhe udhëtimet interkontinentale të ish-lojtarit të Palermos. Kandidat për të startuar kundër Genoa është Douglas Costa. Braziliani është shëruar plotësisht nga lëndimi në kyçin e këmbës dhe “adductor”, ndaj është gati për të qenë në fushë nga minuta e parë. Kjo do të ndodhë për herë të parë pas 19 shtatorit, data e paraqitjes së tij të fundit në Valencia. Ai e ka përmbushur pezullimin me katër ndeshje nga Disiplina, pasi pështyu Federico Di Francesco, ndaj mund të jetë pjesë e “tridentit” bardhezi këtë fundjavë, me Cristiano Ronaldon dhe Mandzukic. /EDS/

***********************

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota në kohë reale nga Futbolli dhe sportet e tjera.