Ka fituar miliona prej tyre, Ronaldo braktiset nga sponsorët?

Ka fituar miliona prej tyre, Ronaldo braktiset nga sponsorët?

Cristiano Ronaldo ka mbledhur 400 milionë euro pasuri gjatë karrierës së tij, falë aftësive në fushën e blertë por edhe figurës prej superylli të sportit dhe tërheqjes së kompanive më të mëdha që mbajnë radhën për të bashkëpunuar me të.

Por pasi u akuzua nga një vajzë se e ka përdhunuar në një dhomë hoteli në Las Vegas në vitin 2009, një prej sponsorëve më të mëdhenj të tij ka thënë se mund të largohet pasi po e monitoron nga afër situatën. Pretendimet janë ende të paprovuara dhe vetë Ronaldo i ka mohuar me forcë, por kompania e prodhimit të lojërave elektronike, EA Sports, është duke ndjekur nga afër të gjithë zhvillimet.

Ronaldo është personazhi kryesor i kësaj kompanie për lojën e famshme të futbollit FIFA, ku prej disa vitesh ai është në kopertinën e saj. Por që kur policia amerikane ka nisur të hetojë mbi ngjarjen e ndodhur dhjetë vjet më parë, EA Sports duket se po “mban shënim”.

Një zëdhënës i kompanisë tha për “The Sun”: “Jemi njoftuar për këtë lajm shqetësues dhe akuzat e detajuara kundër Cristiano Ronaldos. Po e monitorojmë me kujdes situatën pasi presim që sportistët që janë në kopertinën e lojërave tona të sillen në një mënyrë që përputhet me vlerat e Electronic Arts”.

Sponsorë të tjerë të Ronaldo përfshijnë gjigantë të industrive të ndryshme si Nike, Herbalife, Tag Heuer dhe shumë të tjera, prej të cilave ai përfiton shumë të konsiderueshme që e kanë renditur për të dytin vit radhazi të parin në listën e sportistëve më të paguar.

Madje në vitin 2016, Nike nënshkroi një kontratë të përjetshme me portugezin, prej së cilës ai do të përfitojë 1 miliardë dollarë. Kompania e veshjeve sportive deri tani ka refuzuar të komentojë mbi ngjarjet e fundit. Ai mendohet se përfiton gjithashtu deri në 80 milionë euro në vit nga marka CR7, e cila përdoret në industrinë e veshjeve, hotelerisë, e deri te parfumet./EDS/

**********

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota ne kohe reale nga Futbolli dhe sportet tjera.