Ka refuzuar klube si Barca, Unitedi e PSG – Reus nuk pendohet: Unë e kam vendin këtu, Dortmundi është klubi im

18 Korrik 2019

Marco Reus thotë se nuk pendohet për vendimin e tij që të qëndrojë te Borussia Dortmundi, teksa agjenti i tij ka bërë të ditur se top-klubet evropiane i kishin kërkuar shërbimet e mesfushorit në vitin 2015.

Gjermani nënshkroi për BVB nga Borussia Monchengladbachu në vitin 2012 dhe shumë shpejt u bë ndër lojtarët më të kërkuar, pasi shkëlqeu nën urdhrat e Jurgen Klopp. Që në sezonin e parë (2012/2013), ai i ndihmoi skuadrës që të kualifikohej në finale të Ligës së Kampionëve.

Mirëpo, në vitet e fundit, lëndimet patën ndikim të madh në karrierën e Reus, pasi ai ka munguar shumë në sezonet e fundit për shkak të problemeve me ligamente.

(Foto: Maja Hitij/Getty Images/Guliver)

Në vitin 2015, mesfushori ofensiv kishte nënshkruar kontratë të re me Dortmundin, ndërsa klubet si Barcelona, Arsenali, Paris Saint-Germaini, Milani, Manchester Unitedi dhe Manchester City, i kishin kërkuar shërbimet e tij.

Lexo po ashtu: Të gjitha lajmet nga Marco Reus

Reus u rikthye në formë në sezonin e kaluar duke shënuar 21 gola në 36 paraqitje, ndërsa përkundër mungesës së trofeve në edicionet e fundit, ai nuk pendohet për vendimin e tij.

“Natyrisht që kam menduar për ofertat e këtyre top klubeve një kohë të gjatë, do të ishte gënjeshtër nëse do të thosha ndryshe. Por, në fund, gjithmonë e zgjedhja klubin tim, akoma edhe sot nuk pendohem për atë vendim”.

“Sepse unë e kam vendin këtu. Sepse Dortmundi është klubi im. Dhe vërtet dua ta fitoj Bundesligan me këtë klub. Dua të jem sërish fitues i DFB Pokal. Dua të luaj sërish në finale të Ligës së Kampionëve. Duke ditur se kam edhe tri ose katër vite të mira, secilin vit përpiqem të jap maksimumin”, është shprehur 30-vjeçari. /Telegrafi/

www.telegrafi.com