Kameruni, skuadra e ëndrrave që bëri revolucion në futboll 28 vjet më parë

Kameruni, skuadra e ëndrrave që bëri revolucion në futboll 28 vjet më parë

Finalet e Botërorit kanë rezervuar gjithmonë befasi. Shumë skuadra inferiore kanë përmbysur në shumë raste parashikimet duke rrëzuar ekipe të fuqishme, ku disa kanë statusin e përhershëm të kandidatit për fitues të turneut. Kur e pamundura thyen iluzionin dhe kthehet në fakt, shumë njerëz fillojnë ta konsiderojnë seriozisht.

Në kronologjinë e 21 edicioneve të Kupave të Botës do të ndalemi te fenomeni “Kamerun” në kampionatin botëror “Itali 1990” kur një komb nga kontinenti afrikan ndryshoi perceptimet e mbarë botës për Afrikën dhe stereotipet negative që identifikonin popujt me ngjyrë. Dëshira e për të prekur një finale kampionati botëror vazhdon të jetë ende një mit në kontinentin afrikan, por përpara më shumë se 30 vitesh skuadrat afrikane as që mund të mendoheshin se mund të masnin forcat me superfuqi nga Europa dhe Amerika Jugore.

Lojtarët dhe ekipet kombëtare të kontinentit të parë të krijuar në Tokë kanë vuajtur prej dekadash me radhë shtypjen, paragjykimin dhe neglizhencën nga ekipet e hemisferës perëndimore për naivititetin, mungesën e racionalitetit e inteligjencës, dhe të qenit instiktiv. Këto përshtypje janë ngurtësuar vazhdimisht nga kolonializmi e post-kolonializmi që ka ndikuar në mënyrë agresive në transformimin e identitetit kulturor të popujve afrikanë. Lojtarët nga Kontinenti i Zi intimidoheshin nga pretendimet se i përkisnin popujve të pacivilizuar që jetonin në kushte parahistorike. Një mllef të tillë e ka shfaqur dhe njëri prej lojtarëve të Kamerunit, Omam-Biyik.

“E  urrejmë kur reporterët europianë na pyesin ne nëse hamë majmunë dhe vizitohemi te doktorë shtriganë”, – deklaron njeriu që mposhti Argjentinën në ndeshjen e parë të Kupës së Botës 1990.

Në vitet ‘80 përveç Pelesë, futbollistët me ngjyrë ndesheshin kudo me barriera si racizmi, përshtatja me mënyrën e jetesës europiane. Prandaj për vite me radhë futbollistët nga Afrika kanë kaluar shumë peripeci për të fituar të drejtën e të qenit futbollistë profesionistë e deri në yje.

“Luanët e pamposhtur”, Kameruni shkeli për herë të parë fushën e një kompeticioni emocionues si Kupa e Botës në 1982 dhe dhuroi një perfomancë modeste. Por deri në atë moment, ekipet afrikane shiheshin gjithmonë me përçmim për shkak se nuk demonstronin finesë, teknikë apo gjenialitet me topin. Përshtypjet ishin forcuar nga paraqitjet e Zairesë ( Republika Demokratike e Kongos sot) në Kupën e Botës së 1974. Kampionët e Afrikës në atë kohë përveçse nuk shënuan asnjë gol dhe pësuan 14 të tjerë në një grup me emra të rëndësishëm si Brazili, Skocia dhe Jugosllavinë, por mënyra e të luajturit me forcë dhe pa rrjedhë logjikë shtuan pakënaqësitë te tifozët.

Në ndeshjen e parë kundër Skocisë, lojtarët e Zairesë u shfaqën komplet të çorientuar nga loja e rivalëve. Kjo nuk i shpëtoi komenteve sarkastike dhe thumbuese të komentuesit anglez, Hugh Johns.

“Zairea duket sikur ka humbur atë pak organizim të vërtetë që kishte… Ata po fillojnë tani të ndjekin dhe të vrapojnë pas topit si fëmijë të entuziazmuar në mëngjesin e një të shtunë në park”, – komentonte lojën e ekipit afrikan Johns.

Por 8 vite më vonë Kameruni mori tre barazime dhe u kalua nga Italia nisur nga golavarazhi që kishin “të kaltrit”. Si përherë, italianët u shpallën kampion bote në momentin më të keq të tyre. Ndërsa në 1990, e gjithë bota do të mbahej e fiksuar në televizor nga energjia e “Luanëve të Pamposhtur”. Edicioni i 14-të do të niste nga ndeshja e ekipit afrikan me kampionët në fuqi të botës Argjentinën e Maradonës. Kur pritej që sfida të ishte një test stërvitor për “bardhekaltrit” kamerunasit u bënë një kockë e fortë për Maradonën dhe lojtarët e tij.

Mesfushori François Omam-Biyik bën të heshtë i gjithë stadiumi “Giuseppe Meazza” kur goditja e tij me kokë nuk u kontrollua si duhet nga portieri argjentinas Nerry Pumpido dhe topi zvarritet brenda portës. Lojtarët kamerunas ishin të gatshëm të sakrifikonin gjithçka për të gjunjëzuar kampionët e botës. Dhe dy lojtarë të tyre lanë fushën e lojës pas dy kartonëve të kuq. Benjamin Massing, qendërmbrojtësi shtatlartë e pagoi me daljen e tij nga loja kur me një ndërhyrje brutale i preu vrullin sulmuesit argjentinas Claudio Caniggia. Episodi ka mbetur emblematik. Aq e egër ishte ndërhyrja e Massing saqë këpuca e tij që doli nga këmba dukej si armë e karikuar që vrau Caniggia-n. Në fund, rezistenca stoike e kamerunasve shkaktoi një nga momentet më shokuese në historinë e futbollit kur takimi përfundoi 1-0.

Gazetarët sportivë nisën të aludonin se afrikanët patën fat, por ende nuk kishte nisur pjesa kryesore e kësaj aventure të pabesueshme. Në ndeshjen e dytë kundër Rumanisë që kishte të rreshtuar emra si Gheorge Hagi, Marius Lacatus, Gica Popescu, pritej që ballkanasit t’u provonin afrikanëve se fitorja e tyre ndaj Argjentinës ishte një rastësi. Ishte momenti kur Roger Milla, lojtari më i moshuar i turneut do të hynte në fushën e lojës  në minutën e 58-të. Pas 18 minutash ai do të shkaktonte tërmetin e radhës kur fitoi duelin fizik me Ioan Andone dhe kaloi topin mbi portierin rumun Silviu Lung. Veterani festoi në mënyrën më unike duke kërcyer në flamurin e këndit të fushës, që më pas filloi të imitohej nga të gjithë fëmijët. Milla ishte tërhequr tre vite më patë nga futbollit, por presidenti i vendit Paul Biya i kishte kërkuar personalisht të rikthehej në aktivitet për të ndihmuar skuadrën e Kamerunit në turneun e Italisë.

Disa minuta më vonë, i njëjti skenar do të vihej në lojë kur Milla shënon për të dytën herë duke i dhënë kualifikimin historik vendit të tij. Mbarë bota ishte shtangur nga eleganca dhe lirshmëria në lojë e ekipit afrikan. Pas ndeshjes me Bashkimin Sovjetik ku i lejuan vetes të mundeshin thellë 4-0, Kameruni kishte prenotuar vendin e parë në grupin B. Kamerunasit kishin filluar të bënin për vete shumë tifozë joafrikanë dhe gëzonin simpatinë e shumë komentuesve dhe gazetarëve sportiv. Raundi i 1/16 i vinte përballe një ekipi amerikano-latin si Kolumbia, që i kishte varur shpresat te mesfushori impresionues, Carlos Valderrama. Ndeshja rezultoi një seri e dytë e ndeshjes me Rumaninë. I gjithë 90-minutëshi do të përfundonte me rrjeta të paprekura, por fati do të zgjidhte sërish të njëjtin njeri për të ndryshuar situatën. Milla, i inkuadruar në lojë nga në minutën e 54-të pasi merr një pasim të shkurtër lëshon një vetëtimë mbi portierin akrobatik Rene Higuita. Veterani me shpirtin e një djaloshi 20-vjeçar nuk do t’u linte shumë kohë të pranishmëve për të festuar emocionin e golit të parë. Ai përfiton nga një mosmarrëveshje midis Higuitas dhe njërit prej lojtarëve kolumbianë duke i rrëmbyer topin nga këmbët portierit dhe shënon me portën e boshatisur. Në këtë mënyrë Kameruni bëhej i pari shtet afrikan që arrinte në fazën e çerekfinaleve të një kampionati botëror.

Tani ata nuk mund të konsideroheshin si një shenjë rastësore e fatit. Prej disa vitesh skuadra kishte ngritur nivelin e lojës duke bërë që shumë komentues dhe gazetarë të futbollit t’u jepnin nota të larta “Luanëve të Pamposhtur” për delikatesën në lojë. Kamerunasit brenda një kohe të shkurtër fituan zemrat e shumë tifozëve nga mbarë Europa. Mbarë bota po kërcente me ritmin e Roger Millas.

Por me kalimin e fazave paraqiten dhe kundërshtarë më seriozë. Kamerunasit duhej të nxirrnin jashtë turneut anglezët që drejtoheshin nga Bobby Robson. Por këtë herë ndoshta nevojitej një “magji” afrikane për të hipnotizuar “Tre Luanët”. Ndeshja do të fillonte më mirë për anglezët kur një krosim i qendërmbrojtësit Stuart Pierce do të gjente David Platt, i cili mposhti me kokë portierin mitik Thomas N’Kono. U krijua iluzioni se ekipi anglez do të “argëtohej” me skuadrën që kishte sjellë surpriza në këtë botëror. Por sërish me Millan në lojë kamerunasit luajnë me siguri shfrytëzojnë në disa momente në seri hapësirat në prapavijën e anglezëve. “Plakushi” Milla lëviz me topin në afërsi  të zonën e portierit Peter Shilton, dhe dërgon topin mjeshtërisht te Ekeke, i cili mposht ballë për ballë portierin veteran anglez. Kamerunasit kthejnë me këmbë në tokë anglezët euforikë.

Por afrikanët fillojnë të jetojnë në një ëndërr pasionante kur në minutën e 61-të, Milla një nga personazhet e këtij kompeticioni depërton në zonën e rreptësisë dhe rrëzohet në mënyrë naive nga i riu i talentuar Paul Gascoigne. Për “Luanët e Pamposhtur” ishte mundësia për të provuar herët shijen e një kualifikimi. Mbrojtësi Kunde dërgon saktë topin në portën e “Tre Luanëve” dhe feston me shokët çastin më jetësor. Por loja duhej të vendosej nën shina dhe Gary Lineker kërkon golin e shpëtimit me çdo kusht. Këmbëngulja e tij i detyron kamerunasit ta rrëzojnë në zonën e rreptësisë. Arbitri Edgardo Codesal nuk mendohet dy herë për të dhënë penallti. Sulmuesi i Tottenham-it shënon i qetë për të rihapur çështjen e kualifikimit.

Duhej të vinte minuta e 105-të që mësohej fituesi i kësaj sfide historike të futbollit. Lineker merr në këmbët e tij situatën dhe pengohet pastër nga portieri N’Kono. Këtë herë dyshimet kursehen dhe anglezët janë gati të afrohen një tjetër finaleje pas 24 vitesh. Golashënuesi më i mirë në Kupën e Botës të para 4 viteve në Meksikë nuk rrëmbehet nga emocionet dhe shënon golin jetik që i jep fund njërës prej ndeshjeve më madhështore në histori. Gascoigne, Lineker, Platt, Pierce dhe Wadle kanë të drejtën të jenë fituesit e legjitimë të takimit, por afrikanët e kuptojnë se jo çdo barrierë e realitetit mund të kapërcehet.

Roger Milla duhet të tregohet i matur dhe të japë disa mesazhe maturie për kualifikimin e mundshëm të vendit të tij në gjysmëfinale.

“Në qoftë se de do të mposhtnim Anglinë, e gjithë Afrika do të shpërthente. Do të kishte vdekje. Zoti i Madh e di se çfarë duhet të bëjë. Unë e falënderoj Atë që na ndaloi ne në këtë rrugë (në çerekfinale)”, – flet pas përfundimit të takimit njëri nga personazhet kryesorë të “festivalit” “Itali 1990”.

Në  Kupat e Botës që pasuan, kombëtare të tjera afrikane krijuan kulturën e tyre përfaqësuese në futbollin botëror me Nigerinë, Senegalin, Ganën dhe Bregun e Fildishtë. Padyshim ai brez ka hyrë në histori si plejada që i çeli horizontin shteteve të tjera të Afrikës për të konkurruar dhe për lënë gjurmë në kampionatet botërorë të futbollit. Tashmë afrikanët nuk shihen më si një kategori e përçmuar dhe e përjashtuar nga futbolli i sotëm.

Madje njëri prej emrave të Kamerunit të 1990, ish-portieri i Espanyol, Thomas N’Kono me paraqitjen që dhuroi me fanellën e “Luanëve të Pamposhtur” ndikoi tek djaloshi Gianluigi Buffon që të zgjidhte të mbante dorezat në të ardhmen e shkëlqyer që e priste. Kurse njëri yjeve të futbollit të Afrikës, Samuel Eto’o shfaq respekti dhe nostalgji për vëmendjen që fituan lojtarët e Kamerunit në Itali përpara 28 vitesh.

“Milla i vuri zjarrin një kontinenti të tërë me golat dhe kërcimin e tij. Është një zjarr që ende djeg edhe sot… Ne afrikanët i duam historitë ku e pamundura kthehet në realitet. Dhe ne duam t’i tregojmë ata (Roger Milla me shokë) si më tepër heroikë nga sa janë në historitë e vërteta”. Kjo tregon se si ushqehet miti i futbollit kamerunas që shkëlqeu në Itali në Afrikë nga ish-kampioni dhe një nga golashënuesit më të mirë të dekadës së fundit Samuel Eto’o./EDS/