Kampioni Europian i Gjimnastikës, rusi me pasaportë shqiptare viziton palestrën e gjimnastikës në Berat

09 Janar 2021

Ai u shpall “kampion Europe” në gjimnastikë nën përfaqësimin e Shqipërisë

Kampioni Europian i Gjimnastikës, rusi me pasaportë shqiptare Matvey Petrov, vizitoi sot palestrën e gjimnastikës në qytetin e Beratit.

Gazetarja Eneida Petova raporton për “Balkanweb” se Petrov e fitoi titullin “kampion europian” në gjimnastikë, duke përfaqësuar Shqipërinë në Kampionatin Europian të gjimnastikës, që u zhvillua në Turqi.

Petrov ka qenë me Kombëtaren Ruse për 12-vjet me radhë dhe ka qënë nën/kampion i gjimnastikës por në vitin 2016 atë nuk e futën në lojërat olimpike dhe u largua nga ekipi.

Pasi u njoh me trajnerin shqiptar Alon Hasa, ai vendosi të garojë nën siglën e flamurit shqiptar. Për herë të parë në jetën e tij, duke përfaqësuar Shqipërinë, ai fitoi kampionatit europian për të rritur. Pas vizitës që kreu sot në Palestrën e Gjimnastikës në Berat, ku u njoh me kolegët e tij gjimnastë, Matvey Petrov, ka deklaruar se, fitoren ja dedikon jo vetëm përpjekjeve dhe stërvitjes së tij. por edhe të gjithë atyre që e suportuan dhe trajnerëve që e bindën të garonte nën flamurin shqiptar në Kampinatin Europian të Gjimnastikës.

“Jam shumë i gëzuar që kam pasaportë shqiptare dhe ndihem krenar. Minimumi edhe 3-vjet,deri tek olimpiadat e Parisit do të garoj nën flamurin shqiptar”, ka thënë Petrov.

Trajneri Alon Hasa ka folur edhe rreth qëllimit të takimit që ai dhe Petrov do të zhvillojnë të Hënën me kryeministrin Rama. “Ne do të takohemi edhe me kryeministrin Edi Rama sepse kemi vizione të qarta dhe duam të investojmë në ndërtimin e një palestre gjimnastike në një nga qytetet e Shqipërisë,ndoshta edhe në Berat. Do të jetë një palestër moderne dhe me kushte ndërkombëtare sepse pa kushte ndërkombëtare nuk mund të garojmë dot me gjimnastë botëror. Palestra në Shqipëri ka pak por nga ajo që kemi parë e vetmja palestër e mirë gjimnastike është kjo në Berat por edhe këtu mungojnë kushtet për tu stërvitur.Për këtë arsye,ne do do të kërkojmë mbështetjen dhe suportin e të gjithëve”-,ka thënë trajneri Hasa.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.Grupi Balkanweb
www.balkanweb.com