Drejtoi Partizanin për një periudhë të shkurtër kohore dhe u largua duke lënë vetëm gjurmë negative në kampionatin shqiptar, por Mark Iuliano nga sot është rikthyer në punë, ai do të jetë ndihmësi i Igor Tudor, trajnerit të ri të Udinese-s në Serie A.
Normalisht, ambiciet e teknikut 44-vjeçar kanë qenë më shumë se kaq, por cilësia që të ofron kampionati italian dhe shkolla italiane e përzgjedhjes së trajnerëve mund të mos i ofrojë Iulianos një pozicion komod siç ai e kishte në Tiranë te Partizani.
Ndërtoi një skuadër siç ai dëshiroi, por ecuria e tij te Partizani ishte negative dhe la shije të hidhur, edhe pse erdhi me emër të madh verën e vitit të shkuar. Tashmë Iuliano-s i jepet një mundësi në Itali, por me “ulje” në detyrë. Këtë herë si zëvendës, për të mësuar diçka më tepër nga kolegët e tij që kanë më tepër eksperiencë në bankinë.
Udinese – Në Udine nuk po kalojnë situatë të mirë. Në Friuli numërojnë 12 humbje radhazi në kampionat, që do të thotë se janë 4 pikë larg zonës së rënies në Serie B. Për këtë arsye është larguar dhe trajneri i mëparshëm, Massimo Oddo, për t’i lënë vendin Igor Tudor-it dhe Mark Iuliano-s
Faktikisht Tudor do të merrte këtë pankinë në fund të sezonit, por mënyra se si rrodhën ngjarjet sollën që kroati të mbërrinte në Itali para kohe. Kroati në fund të dhjetorit u shkarkua nga drejtimi i Galatasaray-it, por e drejta për t’u paguar është deri në përfundim të sezonit. Por, tani ai merr drejtimin e një tjetër skuadre dhe merr me vete ish-trajnerin e Partizanit në rolin e ndihmësit. Edhe ky i fundit nuk pati ecuri dhe u shkarkua nga stoli i kuq për shkak të ecurisë negative. Ndoshta, të dy bashkë mund të rigjejnë suksesin në Serie A. /EDS/