Kapiteni i Tiranës flet për “News 24”, Muça: E pranojmë titullin nëse FSHF na e jep në tavolinë!

04 Prill 2020

Kapiteni i Tiranës, Gentian Muça, do ta priste krahëhapur titullin kampion, qoftë edhe nëse ai do të vinte në tavolinë. Mbrojtësi bardheblu, në një prononcim për “News 24”, tregon jetën e tij në karantinë dhe shakanë e Albi Dokës për 1 prill. Një nga argumentët më të diskutuar ka qenë përfshirja e futbollit në paketën ndihëmese të qeverisë, por Muça mendon se ka persona të tjerë që kanë nevojë më emergjente për këtë ndihmë.

Si po shkojnë ditën në karantinë?
Është shumë e vështirë për çdo njeri jo vetëm për futbollistët. Mund të them se kohën që kam humbur me familjen time, po e shfrytëzoj tani. Në familje jemi shumë mirë. Nuk kam dalë fare nga shtëpia, ndoshta vetëm 2 herë në javë. Tani nuk mendojmë më për futbollin, por përgatisim veten psikologjikisht për të kaluar këtë moment. Është diçka që nuk mund ta shohim dhe duhet të presim. Kjo ndalesë ndikon shumë te forma e lojtarëve dhe jemi jashtë forme për momentin. Mundohemi që të mbajmë veten në formë duke u stërvitur individualisht, që të paktën të jemi në 50% tonë. Në po mundohemi të punojmë me programin që na kanë nisur. Bëjmë më shumë ushtrime në palestër. Me sa kam informacion të gjithë në ekip nuk ka asnjë të prekur. Doka na trembi për 1 prill duke na thënë se ishte infektuar.

Keni frikë nga e nesërmja?
Sigurisht që do të ketë edhe efekte financiare. Nuk është vetëm individi që do vuajë, por të gjithë. Mendoj se do ketë probleme edhe për vitet e ardhshme. Duam ta vazhdojmë aty ku e lamë, pavarësisht se nuk jemi si më parë. Nëse titulli në tavolinë është zgjidhja e vetme, atëherë do të pranonim.

Kërkesë?
FSHF po bën të pamundurën që të na përfshijë edhe ne te paketa e ndihmës, por mendoj se ka njerëz që kanë më shumë nevojë se ne. Unë dua të miratohet Ligji i Sportit. Kjo çështje është e përkohshme, pas vështirësive vjen edhe lehtësimi.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.Grupi Balkanweb
www.balkanweb.com