Katër ekipe të Superiores zbresin sot në fushë

Katër ekipe të Superiores zbresin sot në fushë

Një pjesë e madhe e ekipeve të Superiores dhe jo vetëm i janë drejtuar bregdetit të Antalias në Turqi, ku po zhvillojnë fazën përgatitore dhe natyrisht kanë planifikuar ndeshje miqësore.

Skuadra e parë që zbret në fushë është Kamza, ku në ornë 13:00 me orën lokale të Shqipërisë do të luajë ndaj Alanias. Trajneri Ndreu do të shohë formën e lojtarëve të tij dhe sidomos atyre që janë afruar së fundmi.

Në të njëjtin orar do të luajë edhe Skënderbeu takimin e luksit ndaj ekipit të Besiktas. Në këtë ndeshje korçarët do të masin forcat e tyre ndaj një prej skuadrave më të mëdha të Turqisë.

Flamurtari gjithashtu do të luajë në orën 13:00 ndeshjen e parë testuese ndaj ekipit turk BB Erzurumspor. Vlonjatët kanë afruar disa futbollistë të rinj nga merkato dhe trajneri Duro po përpiqet që ata të përshtaten me pjesën tjetër të ekipit sa më shpejt.

30 minuta më pas, në orën 13:30 do të jetë Partizani që do të luajë ndeshjen e parë miqësore në tokën turke dhe kundërshtar do të ketë ekipin e Superligës vendase, Kasimpasa. Në përfundim të kësaj ndeshjeje, trajneri Starova do të vendosë edhe për sulmuesin senegalez Fall, i cili është në provë.