Kayzer: Futbollisti më i madh që nuk ka luajtur kurrë futboll (FOTO)

Kayzer: Futbollisti më i madh që nuk ka luajtur kurrë futboll (FOTO)

Sot ka shumë “Fake news”, por historia që do të lexoni më poshtë është ajo e dikujt që mund të quhet “fake footballer”… Carlos Kayzer është pa dyshim futbollisti më i madh që nuk ka luajtur kurrë futboll!

Braziliani është quajtur futbollist i rremë pasi ka arritur të krijojë një karrierë në këtë sport pa pasur fare talent apo aftësi në fushë. Tashmë 55-vjeçar, Carlos është regjistruar si lojtar i disa klubeve, ems tyre gjigantët brazilianë si Botafogo, Flamengo, Fluminense, Vasco da Gama dhe shumë të tjera, në një karrierë që për habi të të gjithëve ka zgjatur dy dekada.

Historia e tij fantastike tashmë është bërë dokumentar nga regjisori Louis Myles me titull “Kayzer: Futbollisti më i madh që nuk ka luajtur kurrë futboll”.

Nofkën Kayzer e ka marrë për shkak të ngjashmërisë me Franz Beckenbauer, por emri i tij i vërtetë është Carlos Henrique Raposo. Nuk ka luajtur asnjë ndeshje në jetën e tij duke kërcyer nga një klub në tjetrin e duke fshehur aftësitë e kufizuara me topin me demtime të rreme në momentin e parë që kuptonte se mund të merrej vesh hileja e tij.

Sekreti i “suksesit” të tij ishte manipulimi i figurave kryesore te secili klub ku shkonte duke fryrë CV-në e tij para presidentëve. Një mjeshtër i ndikimit te personat e tjerë, ai dinte si ta shiste veten shkëlqyeshëm. Dhe në një epokë kur nuk kishte internet, askush nuk mund ta vinte përballë fakteve.

Në filmin që i është kushtuar atij flasin edhe yje të futbollit Brazilian si Bebeto, Carlos Alberto, Zico, Junior, Renato Gaucho, të cilët pranojnën se historia e tij është surreale. Dikur Bebeto pati thënë për ish-shokun e tij të skuadrës: “Është aq i zoti me fjlët sa mjafton ta lësh të hapë gojën dhe të bën për vete. Nuk e shmangie dot”.

I lindur në Porto Alegre në një lagje të quajtur Moinhos de Vento, Kayzer pretendon se është marrë peng kur ishte vetëm 7 vjeç, për t’u dërguar në Rio de Janeiro në vitin 1970. Jetoi në lagjen Botafogo, i rritur nga një baba adoptiv i pasur dhe një mama e alkoolizuar. “Im atë ishte në rregull, por mamaja jo. Kishte gjithçka të keqe që mund të mendosh”, thotë ai. “Ishte e alkoolizuar. Prandaj edhe unë nuk pi. Jeta ishte e vështirë sepse mamaja ime nuk donte që babai të na mbështeste ekonomikisht pasi ishte shumë krenare. Unë shpërndaja ushqime, punoja në supermarket ndërkohë që stërvitesha”.

Kur ishte fëmijë Kayzer ra në dashuri me futbollin. Por më vonë kuptoi që më tepër se sa futbollist, ishte një shoqërues për shokët e skuadrës. “Më pëlqente të luaja futboll, por jo si profesionist. Unë rrija në klub më tepër për t’u kujdesur për futbollistët dhe sigurohesha që të mos u ndodhte gjë. Si mund ta shpjegoj… Kam marrë përsipër faje për shumë lojtarë të famshëm, isha dado e tyre. Isha unë që afroja sponsorët dhe paratë te lojtarët. Dhe kurdo që një president donte të më hiqte qafe, lojtarët i shkonin në grup dhe i luteshin të mos më shiste sepse unë i rrisja vlerën skuadrës, mbaja grupin e bashkuar”.

Zbuluesit e talenteve e panë për herë të parë teksa luante në lagje. “Dy vetë iu afruan babait tim dhe e pyetën kush ishte ai djali me flokë të gjatë. Ai u përgjigj “im bir”. Kështu ata i thanë që të më dërgonte të nesërmen në orën 7 të mëngjesit për një provë te Botafogo. Unë nuk kisha as këpucë futbolli, më dhanë një palë që më rrinin të mëdha”.

Prova nuk funksionoi por shumë shpejt u gjend të Flamengo me ndihmën e lojtarit të kombëtares braziliane Junior, ose të paktën kështu pretendoi ai. Siqodoftë, gjatë një ndeshjeje prove Kasier tha se u nxor me karton të kuq gabimisht në vend të një lojtari tjetër që i ngjante, kështu që u largua edhe nga klubi tjetër i Rios.

Kur ishte 16 vjeç firmosi kontratën e parë profeisonale me skuadrën meksikane Puebla, për t’u lënë më pas i lirë pas disa muajsh pa luajtur një ndeshje të vetme. Kur u rikthye në Brazil zuri shok emra të mëdhenj të futbollit të kohës, si Carlos Alberto Torres, Ricardo Rocha dhe Renato Gaúcho.

I njohur për festat e shumta ku merrte pjesë dhe promotor eventesh në Rio, Kayzer iu mundësoi miqve të tij që të trajtoheshin si mbretër në klubet e natës më të mirë në qytet, si dhe iu prezantonte vajzat më të bukura. Ishte një lëvizje e zgjuar me synimin për të ndërtuar një rrjet njohjesh dhe miqsh që do të dilnin krah tij dhe do ta ndihmonin të arrinte marrëveshje afatshkurtra me klube të ndryshëm.

Gjithmonë iu thoshte punëdhënësve se i mungonte forma fizike dhe do të merrej për disa javë vetëm me stërvitje pa top. Por në vitin 1980 vuri në lojë dikë që nuk duhet ta kishte bërë kurrë. Kur ishte marrë nga Bangu, një skuadër e Rios, mashtroi presidentin e klubit Castor de Andrade, një prej gangsterëve më të frikshëm në gjithë Brazilin. Ai kishte një rrjet të paligjshëm lojërash fati dhe ishte një kriminel i famshëm në atë periudhë.

Por kjo nuk e ndaloi Kayzerin që të përpiqej t’ia hidhte. Gjatë një ndeshjeje, kur trajneri i tha të futej në fushë si zëvendësues ai arriti të shpëtonte duke marrë karton të kuq nga stoli. “Në fillim të kontratës isha i dëmtuar për 3 muaj. Bëja kot, sepse në atë kohë nuk kishte rezonancë magnetike dhe teknologji të tjera për ta parë”, zbulon Kayzer.

“Mjeku besonte fjalën time. Por edhe pse isha “i dëmtuar” dhe kisha qenë në një klub nate deri në orën 4 të mëngjesit, trajneri më telefonoi një ditë para ndeshjes me Curtiban dhe më tha që të nesërmen do të ulesha në stol. Por sa për numër, nuk do të luaja. Ishte pothuaj 40 gradë celcius në hije atë ditë dhe nuk doja fare të luaja. Por pas pesë minutash Curtiba kishte shënuar dy gola dhe presidenti merr në radio trajnerin dhe i thotë të më fusë në fushë. Unë gati sa nuk po vdisja. Nis nxehjen dhe tifozët kundërshtarë filluan të më shanin. Kështu që unë kalova gardhin dhe fillova të zihesha me ta. Mora karton të kuq pa u future fare në fushë”.

Kayzer në stolin e Bangu. Lart, djathtas, duke komentuar ndeshjet në TV. Poshtë, djathtas, Presidenti i Bangu, mafiozi lokal Castor Andrade.

Në fund të ndeshjes Castor hyri në dhomën e zhveshjes dhe miqtë nisën ta ngacmonin duke i kujtuar se i kishte ardhur fundi hiles së tij. “Kur më afrohet unë i them menjëherë ‘Zoti mi ka marrë të dy prindërit, por më dha një baba tjetër të cilin ata e akuzuan si mashtrues. Kështu që e humba dhe iu hodha në fyt. Por mos u shqetës sepse kontrata ime skadon për një javë dhe do të largohem’. Por ai mori menaxherin në telefon dhe i tha: ‘Dyfishoja rrogën Kayzerit dhe zgjati kontratën edhe për gjashtë muaj’…”.

 

Një tjetër armë e fortë e tij ishte mënyra se si merrej me gazetarët. i mbante me të mira dhe ata gjithmonë shkruanin lajme të këndshme për të, sigurisht të rreme. “Gjithmonë i përshëndesja gazetarët, i jepja fanella. Iu siguroja intervista me lojtarët më të mirë sa herë që ata donin, kështu arrita të kaloj 26 vite pa u zbuluar”, rrëfen Kayzer.

Ai pretendon se ka fjetur me më shumë se 1000 femra dhe shpesh shtirej sikur ishte ylli i futbollit të viteve ’80 Renato Gaucho. “Lojtarët e dinin, por ishin të gjithë miqtë e mi. Gazetarët nuk kishin interes të më demaskonin, ndërsa mjekët gënjeheshin sepse nuk kishte rezonanca. Një herë kisha një mik dentist dhe kisha siguruar një raport prej tij të cilin e përdora ndaj një presidenti klubi që më pyeti pse nuk luaja asnjëherë. i thashë është problem dhëmbësh. Të gjtiha gënjeshtra”, kujton Kayzer.

“Në një klub tjetër ku kam luajtur ata morën një majigstar për të kryer disa rituale ndaj meje në mënyrë që dëmtimi të shërohej. E paguanin edhe mirë madje, por unë i thashë të merrte paratë sepse nuk kam asgjë. Merri paratë por mos u lodh kot duke bërë ato gjërat e tua me mua sepse unë kam ndërmend të qendroj i dëmtuar gjatë gjithë jetës sime”…. Dhe kështu bëri./EDS/

**********

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota ne kohe reale nga Futbolli dhe sportet tjera.