KE akordon premio për Kombëtaren e Futsalit, federata diskuton dhe për “Air Albania Stadium”

10 Shkurt 2020

Në Federatën Shqiptare të Futbollit është zhvilluar sot mbledhja e radhës e Komitetit Ekzekutiv. Një premio prej 15 mijë eurosh për Shqipërinë e Futsalit dhe diskutimet për kampionatet e moshave ishin në rend të ditës.

Gjithashtu, u diskutua dhe për “Air Albania Stadium”, ku me gjasë temë e KE-së do të ketë qenë edhe cilësia e tapetit të këtij impianti, i cili vijon të shfaqë të njëjtën problematikë.

Njoftimi i FSHF-së

Sot, më datën 10 Shkurt është mbajtur në ambjentet e Federatës së Futbollit mbledhja e zakonshme e Komitetit Ekzekutiv nën drejtimin e Presidentit Armand Duka.
Në këtë mbledhje u vendos zhvillimi i Asamblesë së zakonshme të FSHF dhe rendi i ditës, që do të mbahen më datën 9 Prill në Tiranë.
Ndër të tjera, Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit, vendosi që të ndajë një premio prej 15 mijë Euro për Ekipin Kombëtar të Futsalit, si një vlerësim i merituar pas suksesit të tyre në kalimin e turit në Elite Round.
Komiteti vendosi të diskutojë në mbledhjen e radhës dy propozime të rëndësishme për organizimin e Kampionatit Kombëtar U-13 dhe U-21, pasi këto propozime të diskutohen nga ana e Federatës së Futbollit edhe me klubet.
Në këtë mbledhje, Komiteti u informua lidhur me ecurinë e menaxhimit të Air Albania Stadium, si dhe me ecurine e punimeve tek Shtëpia e Futbollit.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.Grupi Balkanweb
www.balkanweb.com