Kë të qajmë, futbollin apo Vllazninë me Teutën?

Ti mund ta lexosh kete ne 2 min.
16 Prill 2018 16:10
Historia e përhershme

Ndodh shpesh që në vendin tonë që një ekip të trajtohet si i nënë, një si i njerkës. E bën Federata, e bëjnë arbitrat, e bëjmë edhe ne. Se Lushnja bie nga Superiorja askujt s’ia ndjen (sigurisht tifozëve të shumtë të këtij ekipi po, pasi ata e vuajnë situatën e klubit të tyre), e dinin të gjithë se atë fat do të kishte. Superiorja do gjunjë, financa dhe mbështetje. Kur nuk i ke, më mirë të mos ngjitesh në elitë. Gjithsesi Lushnja e provoi dhe historia u përsërit, duke u larguar pa zhurmë.

Por kush do ta shoqërojë Lushnjën? Një vit më parë të gjithë bërtisnin me të madhe: “Pa Tiranën nuk ka Superiore”. Kemi humbur vetëm derbin dhe emocionet e tij, por një vit është. Partizani mungoi për disa vite në elitë, Dinamo nuk dihet ku ka kokën, por futboll luhet. Ka realitete si Kukësi, që për vite me radhë lufton për trofe. Disa mendojnë: “U prish dynjaja, fituan edhe këta titullin”. Po fiton edhe City në Angli dhe ka shumë që e përgëzojnë, pse nuk duhet ta pranojmë edhe në këtë realitet. Në Shkodër kanë këtë tjetrën: “Çfarë nuk nin njeri, lun Laçi Milotit futboll”. Luan dhe madje e bën mirë: Vllaznia nuk ka fituar prej më shumë se 10 ndeshjesh me kurbinasit. Kush ua ka fajin? E dinë, por nuk i gjejnë zgjidhje.

Zërat vajtues kanë nisur që tani: “Vllaznia i duhet Superiores, një qytet si Shkodra nuk e meriton një situatë të tillë”. E vërtetë, por kush ua ka fajin. Ndoshta po të bien në të Parën do të zënë mend. Mos do ishte më mirë kështu? Askush nuk e di, por edhe kështu si po “zvarriten” nuk ka hije për një klub futbolli me tradita. Gjithsesi nëse nuk luajnë në elitë vitin tjetër, askush nuk ka pse qan, aq më tepër që tani. Nëse vendoset në fushë, mirë t’i bëhet.

Pse duhet ta qajmë më shumë se Kamzën, apo se Teutën. Edhe për këta të fundit thuhet se i duhen Superiores, nuk duhet të bien dhe gjëra të tilla, njëjtë si me Vllazninë. “Kurban” të gjithë bëjnë Kamzën, është ekipi që po të binte do nxirrte më pak tifozë të pakënaqur se pse nuk do të luajnë në elitë, ndërkohë që do të bënte që shumëkush të kishte material për t’u marrë me Federatën. Ne dhe të gjithë duhet të qajmë vetëm për garën: le të qëndrojë Kamza, ta lënë të luajë dhe ta meritojë. Duhet të na interesojë gara, ajo është e shenjtë. Vllaznia dhe Teuta janë të shenjta vetëm për Shkodrën dhe Durrësin dhe le t’i trajtojnë atje si të tilla. Urojmë dhe shpresojmë të luhet deri në fund, kaq mjafton! /EDS/

Zidane e shpjegon me filozofi fitoren: Ky është futbolli, ishim cinikë...

Ti mund ta lexosh kete ne 1 min.
25 Prill 2018 23:54

Real Madrid është me një këmbë në finalen e Champions League pas fitores së rëndësishme 1-2 në transfertë ndaj Bayern Munchen. Pas këtij suksesi të madh, trajneri i “Los Blancos”, Zinedine Zidane, për mikrofonin e Premium Sport ka pranuar verdiktin e fushë, duke shpjeguar edhe filozofinë e tij për sfidën: “Ky është futbolli. Të dy ekipet kishin shumë shanse, por në fund triumfuam ne. Ne duhet të jemi të lumtur me atë që kemi bërë në një fushë të vështirë. Ne kemi vuajtur në fund të ndeshjes, por në fund kemi luftuar dhe kemi arritur një rezultat shumë të rëndësishëm”, - deklaroi trajneri gjatë konferencës për shtyp.


Më tej, trajneri i Real Madrid e pranoi se skuadra e tij u tregua cinike, ndërsa vlerësoi Asension, por edhe skuadrën për paraqitjen e bërë.
“Humbëm Isco-n për shkak të një dëmtimi, por nga ana tjetër Asensio ishte ai që shënoi golin e dytë. Ai është i pabesueshëm, ka bërë diferencën dhe ky nuk përbën më një lajm, janë të rrallë lojtarët jo si ai që shkon në atë mënyrë në vertikale. Edhe Lucas Vazquez ka bërë një ndeshje të madhe, duke punuar shumë edhe në fazën mbrojtëse. Me ndihmën e Modric ka kontrolluar mirë Ribery. Ekipi ishte fantastik. Treguam se mund të bëjmë edhe pa golat e Ronaldos. Ne fituam në mënyrë cinike. Zëvendësimi Carvajal-Benzema kur rezultati ishte 2-1? Mua më pëlqen të luaj futboll dhe gjithmonë të përpiqem të realizoj një lojë sulmuese”, - tha Zidane për median./EDS/

Heynckes i habitur: Nuk kam parë një ndeshje të tillë!!!

Ti mund ta lexosh kete ne 2 min.
25 Prill 2018 23:31

Gjashtë fitore radhazi për Real Madridin kundër Bayern Munchen, ndërsa Jupp Heynckes humbet për herë të parë në pesë vjet në Campions League. Një humbje që komplikon shumë shanset e kampionëve të Gjermanisë për të shkuar në finalen e Campions. Tani “Los Blancos” janë shumë afër suksesit të trefishtë në këtë veprimtari, ndonëse e dinë se janë edhe 90’ minuta për t’u luajtur. Në përfundim të takimit, bavarezët u shfaqën të zhgënjyer, ndërsa besojnsë se mund ta përmbysin disavantazhin në ndeshjen e kthimit në “Santiago Bernabeu”.

“Ia dhuruam të dy golat Real Madridit. Nuk ishim efikas përpara portës, krijuam vërtetë shumë raste, por nuk arritëm t’i shfrytëzonim. Kjo na penalizoi. Pika e kthesës për ta ishte goli i barazimit, nuk kam parë ndonjëherë një gjysmëfinale të Champions të kishte kaq shumë raste të pashfrytëzuara, aq më shumë ndaj Real Madridit. Gjithashtu dëmtimet bën të vetën”, tha Jupp Heynckes.

Thomas Müller, kapiteni i Bayern thotë se kualifikimi është i hapur, ndërsa e pranoi se u treguan të dobët. "Ne ishim shumë naiv... Ne patëm shumë shanse dhe shkuam në 1-1, në pjesën e dytë ata kalun shumë shpejt në avantazh. Sonte rezultati mund të ishte shumë më ndryshe”. “Ne e pamë vitin e kaluar se gjithçka është e mundur në Madrid, ku ishim në gjendje të ktheheshim nga një defiçit 1-2. Ne patëm disa shanse shumë të mira, por ndoshta rëndësia e ndeshjes luajti një rol... gjithsesi duhet të kishim marrë një rezultat më të mirë sonte", shtoi gjermani.

"Ishte e dhimbshme që Robben u largua aq herët: ai është një lojtar që i tërheq kundërshtarët rreth vetes dhe kjo krijon hapësirë për mua, kjo nuk nënkupton se Thomas nuk ka bërë një punë të mirë - ai krijon boshllëqe me lëvizjen e tij", tha autori i golit të vetëm të Bayern, Kimmich. /EDS/

Lajm jo i mirë për tifozët, Rusia me sanksione të forta për Botërorin 2018

Ti mund ta lexosh kete ne 1 min.
25 Prill 2018 23:06

Në një përpjekje për të parandaluar dhunën e tifozëve gjatë Botërorit, zyrtarët rusë kanë marrë vendimin për të ndaluar pijet alkoolike në Moskë gjatë zhvillimit të këtij kompeticioni. Në fakt alkooli do të lejohet të shitet nëpër stadiume apo zonat e tifozëve, por Bashkia e Moskës do të kufizojë shitjen e pijeve alkoolike jashtë këtyre zonave në kryeqytet, në ditën e ndeshjeve dhe një ditë përpara.


Kohët e fundit tifozët rusë kanë krijuar rrëmuja kudo ku kanë udhëtuar, kur gjatë zhvillimit të Euro 2016 në Francë u konfliktuan me përkrahësit anglezë, që u pasua nga në një numër i madh arrestimesh. Në formë hakmarrjeje huliganët nga vendi pritës kanë kërcënuar me vdekje tifozët anglezët, nëse vendosin të udhëtojnë në Rusi.


Zyrtari i Bashkisë së Moskës, Kirill Malyshkin deklaroi: "Organet ekzekutive kanë përcaktuar tashmë vendet ku do të ndalohet shitja dhe konsumimi i alkoolit, në prag të një ndeshje futbolli të Kupës së Botës. Pubet, restorantet, supermarkete dhe të gjitha pikat e tjera të shitjeve, do të preken nga ky vendim dhe janë të detyruara të zbatojnë këtë vendim, sepse në të kundërtën do të kenë pasoja të rënda”.

Në dy stadiumet e Moskës do të zhvillohen gjithsej 12 ndeshje gjatë gjithë turneun, duke përfshirë finalen dhe gjysmëfinalen. Por për habinë e të gjithëve, tifozët do lejohen të hyjnë në stadium me kanabis, kokainë dhe madje heroine, por jo me alkool. /EDS/

Ky do ishte formacioni super i Basel nëse nuk do i shiste yjet

Ti mund ta lexosh kete ne 2 min.
25 Prill 2018 23:01

Të gjithë janë habitur me formën e fantastike të Mohamed Salah gjatë këtij sezoni. Por janë të paktë ata që e dinë faktin që egjiptiani karrierën në Evropë e ka nisur në Zvicër te Basel. Pas një performance fantastike në Zvicër, ai mahniti drejtuesit e Chelsea-t që nuk humbën kohë dhe e transferuan në Londër. Por aventura në Angli nuk ishte ajo që priste lojtari, për shkak se Mourinho nuk besonte tek ai. Në merkaton e janarit, egjiptiani u përfshi në shkëmbimin, që pa Cuadradon të transferohej në Londër, dhe Salah në Fierenze. Vetëm pas një viti u transferua te Roma, ekip që e shiti tek Liverpool për shifrën 40 milion euro, ku po shkruan emrin në historinë e këtij klubi. Por Salah nuk është i vetmi lojtar i madh, që është formuar tek Basel. Ekipi zvicerian do të kishte një ekip pretendent për të fituar Champions League, po të mos t’i shiste këta lojtarë gjatë kësaj dekade të fundit.


Porta do të mbrohej nga Yann Sommer, që aktualisht luan tek Borussia Moenchengladbach.


Mbrojtja do të përbëhej nga Marcelo Diaz (Pumas), Fabian Schar (Deportivo de la Coruna), dhe David Abraham, aktualisht tek Eintracht Frankfurt.


Boshti i skuadrës do të ishte mesfusha, ku do të përbëhej nga lojtarë kalibri si Ivan Rakitic (Barcelona), dhe dy lojtarët që aktivizohen tek Arsenali, Granit Xhaka dhe Mohamed Elneny, dhe do të kompletohej nga Gokhan Inler, i cili luan në Basaksehir i transferuar nga Napoli.


Sulmi, përveç Salahut do të përbëhej nga Xherdan Shaqiri, ish-futbollist i Bayern Munich dhe Interit që për momentin aktivizohet me Stoke City-n si dhe Felipe Caicedo, i cili është tek Lazio, me një të kaluar tek ekipe si Manchester City, Sporting, Malaga, Levant, Lokomotiv Moska dhe Espanyol.


Këto janë sakrificat që duhet të bëjë një ekip i vogël si Basel, që me të ardhura modeste ka zbuluar lojtarë të shkëlqyer. /EDS/