Kë të qajmë, futbollin apo Vllazninë me Teutën?

Ti mund ta lexosh kete ne 2 min.
16 Prill 2018 16:10
Historia e përhershme

Ndodh shpesh që në vendin tonë që një ekip të trajtohet si i nënë, një si i njerkës. E bën Federata, e bëjnë arbitrat, e bëjmë edhe ne. Se Lushnja bie nga Superiorja askujt s’ia ndjen (sigurisht tifozëve të shumtë të këtij ekipi po, pasi ata e vuajnë situatën e klubit të tyre), e dinin të gjithë se atë fat do të kishte. Superiorja do gjunjë, financa dhe mbështetje. Kur nuk i ke, më mirë të mos ngjitesh në elitë. Gjithsesi Lushnja e provoi dhe historia u përsërit, duke u larguar pa zhurmë.

Por kush do ta shoqërojë Lushnjën? Një vit më parë të gjithë bërtisnin me të madhe: “Pa Tiranën nuk ka Superiore”. Kemi humbur vetëm derbin dhe emocionet e tij, por një vit është. Partizani mungoi për disa vite në elitë, Dinamo nuk dihet ku ka kokën, por futboll luhet. Ka realitete si Kukësi, që për vite me radhë lufton për trofe. Disa mendojnë: “U prish dynjaja, fituan edhe këta titullin”. Po fiton edhe City në Angli dhe ka shumë që e përgëzojnë, pse nuk duhet ta pranojmë edhe në këtë realitet. Në Shkodër kanë këtë tjetrën: “Çfarë nuk nin njeri, lun Laçi Milotit futboll”. Luan dhe madje e bën mirë: Vllaznia nuk ka fituar prej më shumë se 10 ndeshjesh me kurbinasit. Kush ua ka fajin? E dinë, por nuk i gjejnë zgjidhje.

Zërat vajtues kanë nisur që tani: “Vllaznia i duhet Superiores, një qytet si Shkodra nuk e meriton një situatë të tillë”. E vërtetë, por kush ua ka fajin. Ndoshta po të bien në të Parën do të zënë mend. Mos do ishte më mirë kështu? Askush nuk e di, por edhe kështu si po “zvarriten” nuk ka hije për një klub futbolli me tradita. Gjithsesi nëse nuk luajnë në elitë vitin tjetër, askush nuk ka pse qan, aq më tepër që tani. Nëse vendoset në fushë, mirë t’i bëhet.

Pse duhet ta qajmë më shumë se Kamzën, apo se Teutën. Edhe për këta të fundit thuhet se i duhen Superiores, nuk duhet të bien dhe gjëra të tilla, njëjtë si me Vllazninë. “Kurban” të gjithë bëjnë Kamzën, është ekipi që po të binte do nxirrte më pak tifozë të pakënaqur se pse nuk do të luajnë në elitë, ndërkohë që do të bënte që shumëkush të kishte material për t’u marrë me Federatën. Ne dhe të gjithë duhet të qajmë vetëm për garën: le të qëndrojë Kamza, ta lënë të luajë dhe ta meritojë. Duhet të na interesojë gara, ajo është e shenjtë. Vllaznia dhe Teuta janë të shenjta vetëm për Shkodrën dhe Durrësin dhe le t’i trajtojnë atje si të tilla. Urojmë dhe shpresojmë të luhet deri në fund, kaq mjafton! /EDS/

Tjetër mentalitet, komplimente Dajës dhe... sinqeritet

Ti mund ta lexosh kete ne 2 min.
25 Prill 2018 15:41
Peter Pacult të bën për vete

Peter Pacult është nga ata trajnerë që e di më së miri atë shprehjen “tërhiqe e mos e këput”. Austriaku që mori në janar drejtimin e Kukësit kërkon disiplinë në stërvitje, por nuk është se kërkon ta kthejë ekipin e tij në një repart ushtarak. Nuk mungojnë shakatë, pasi morali dhe ana psikologjike e futbollistëve është e rëndësishme. E di mirë këtë Pacult, e dinë edhe trajnerët e tjerë në vendin e tonë, por kreu i pankinës së verilindorëve nuk ka kompleke.

Në një konferencë për shtyp u paraqit me tuta të shkurta sportive. E kujt i intereson fort, sapo kishte mbaruar stërvitjen me skuadrën. Iu përgjigj pyetjeve, ndërkohë që batutat nuk i mungojnë në asnjë moment. Para ndeshjes me Skënderbeun ka menduar të zhvillojë një seancë në bregdet. Shumëkush në vendin tonë mund të mendojë: “Hë, do ia lënë ndeshjen Skënderbeut këta. Shikoni si stërviten, kanë ikur për qejf në plazh”.

“Nuk është ditë relaksi, por stërvitje e mirëfilltë. Është mënyra më e mirë për t’i larguar skuadrës presionin”, thotë Pacult në Supersport, ndërkohë që skuadra e tij vjen pas dy barazimeve me Laçin dhe i pari u kushtoi eliminimin nga Kupa e Shqipërisë. Tanimë luajnë kundër Skënderbeut dhe dëshira e trajnerit të verilindorëve është t’i shtyjë festën e titullit të korçarëve. Fjalë të mira për Ilir Dajën. “Një ndeshje e vështirë, por duam që t’ia shtyjmë festën e titullit Skënderbeut. Daja ke një ekip me kualitet dhe po e menaxhon mirë situatën pas atij dënimi që u ka dhënë UEFA. Objektivi ynë është t’u shtyjmë festën e titullit”, ka thënë mes të tjerash Pacult, që thekson se për Europën dhe lojtarët do të mendojë vetëm pasi ta sigurojnë pjesëmarrjen matematikisht. Kukësi momentalisht mban vendin dytë me 54 pikë, ndërkohë që Luftëtari ndjekës ka shtatë pikë më pak, kurse Partizani 9 pikë./EDS/

Nga Egjipti në majat e futbollit, Salah zbulon sekretet e jetës

Ti mund ta lexosh kete ne 2 min.
25 Prill 2018 15:24
Sulmuesi rrëfen detaje interesante

Mohamed Salah vazhdon të surprizojë me paraqitjet e tij mbresëlënëse në Premier League dhe Champions, me fanellën e Liverpool. Sulmuesi egjiptian po kalon një formë të jashtëzakonshme pas transferimit nga Roma në “Anfield”. 25-vjeçari realizoi dy gola në fitoren (5-2) e gjysmëfinales së parë të Ligës së Kampionëve ndaj ish-ekipit të tij, Romës.

Në një intervistë për CNN, Salah ka rrëfyer jetën e tij përtej futbollit, në veçanti për atdheun e tij, Egjiptin. I pyetur se si arrin t’a mbajë gjithë këtë presion mbi kurriz, ai tha se nuk ndjen asnjë të tillë, përkundrazi ndihet i lehtësuar.

Ushqimi

“Ushqimi është shumë i rëndësishëm, është pjesë e lojës. Më ka ndihmuar shumë të rikuperohem, të fle më mirë dhe trupin tim që të përshtatet më shpejt. Për shkak se nuk kam ndonjë yndyrë në trupin tim, mund të ha çfarë të dua. Gjithashtu nuk pi, kështu që është mirë. Kur kthehem në Egjipt, i them shokut tim që të më blejë kushari kur të vijë të më marrë në aeroport. Vendos kapuçin në kokë dhe futem në makinë për të ngrënë menjëherë.

Kushari është ushqim tradicional në Egjipt, e cila përbëhet nga orizi, makarona dhe thjerrëzat. Duket që ka pasur efekt fantastik tek Salah, i cili ka shënuar 43 gola këtë sezon me fanellën e “The Reds”.

Jeta dhe Egjipti

“Nëse flasim për Egjiptin, ne jemi 100 milionë. Duhet të jem i natyrshëm dhe të mos bëj asgjë të rreme, të mashtroj në mediat sociale, në intervista dhe në jetë. Kjo është jeta ime, është tepër e thjeshtë. Nuk ka asgjë të komplikuar. Nuk kam asgjë për të bërë gjatë ditës por përgjegjësinë e kam në fund. Duhet t’a marrësh me qetësi dhe të ecësh përpara. Unë nuk jam nervoz për këtë. Është pak e vështirë, pasi nuk keni lirinë që të bëni gabime, diçka të gabuar. Ky është presioni, por kur ju ndiheni nën presion për shumë vite, mund të biesh dakord me të. Është në rregull.

Mohmaed Salah ka shënuar 31 gola (9 asiste)  në 31 ndeshje në Premier league deri më tani ndërsa në kompeticionet evropiane, në 10 takime ka shënuar 10 gola dhe ka dhënë 4 asiste. /EDS/

VIDEO | Tërbohen tifozët, përplasje me lojtarët para stërvitjes

Ti mund ta lexosh kete ne 1 min.
25 Prill 2018 14:42
Humbja e fundit e Juventus-it me Napolin i ka tërbuar

Humbja e fundit me Napolin nuk është pritur mirë nga tifozët e Juventusit, që presin reagim nga skuadra e tyre në përballjen me Interin. Por duket se gjërat kanë dalë disi jashtë kontrollit, pasi së fundmi në qendrën sportive të Vinovo ka pasur tension mes një grupi tifozësh të Juventusit dhe lojtarëve bardhezi. Para stërvitjes ka patur një përplasje mes tyre dhe dyshes Marchisio-Sturaro, ndërkohë që nuk kanë munguar edhe koret kontestuese.

Më pas kanë mbërritur forca policorë për të mbajtur situatën nën kontroll, ndërkohë që anëtarë të grupit “Tradizione” kanë pasur një takim edhe me Buffon-in dhe më pas janë dëgjuar këngë mbështetëse për ekipin. Gjithashtu tifozët kanë folur edhe me Higuain, ndërsa të tjerët pas stërvitjes janë larguar. Nga ana e Drughi ka pasur një mesazh mbështetës të martën, teksa në ambientet ku stërvitet ekipi ishte shpalosur mesazhi: “Ne me zë, ju me zemër: fitojmë!”. /EDS/

Erdhi dita, Kosova do t'i rrëmbejë talentin Serbisë!

Ti mund ta lexosh kete ne 1 min.
25 Prill 2018 14:22
Askush nuk e kishte menduar

Quhet Anton Zekaj, luan në Serbi në ligën e tretë në Sopot, ndërkohë që ka qenë edhe pjesë e Partizan Beograd. Ka lindur në krahun e Vojvodinës dhe është aktivizuar me përfaqësueset e moshave të Serbisë, ndërkohë që tanimë del në skenë edhe Kosova. E duan në përfaqësuese, por kjo sigurisht që në Serbi nuk është pritur mirë. Për mesfushorin 18-vjeçar ftesa ka shkuar në klubin serb, por Zekaj kërkon kohë të mendohet.

Ai e ka edhe një mesazh: “Ftesa ka ardhur, por duhet të mendoj me kujdes për vendimin. Nuk është ende përfundimtare. Nuk besoj se do të kisha probleme. Varet nga shumë rrethana, por unë kam lindur në Somboru, kam pasaportë serbe. Kam luajtur me Partizanin dhe me ekipet e moshave të Serbisë, ku kam qenë edhe kapiten. Nëse do e dija që në të ardhmen do të më vinte një ftesë e Serbisë, do ta pranoja”, thotë mes të tjerash Zekaj në “Blicsport”.

Anton Zekaj, në një ndeshje me Serbinë. Bie në sy shiriti i kapitenit

Në lidhje me lojtarin ka folur edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, i cili ka deklaruar në TV Kosova 2 ndër te tjera: “I dimë cilësitë e tij dhe shpresojmë që gjithçka do të dalë mirë. Tani vendimi i përket atij. Shpresoj të mos ketë probleme, ai është me origjinë nga Kosova”. E vështirë duhet që në Serbi të mendohet një lëvizje e tillë, por rregullat e FIFA-s ia mundësojnë Kosovës që ta marrë talentin e mesfushës, mjafton që ai të ketë dëshirën ta pranojë ftesën e trajnerit Bernard Challandes./EDS/