Këto janë 10 futbollistët e mëdhenj që shkëlqyen edhe si trajnerë

Tranzicioni nga futbollist në trajner mbetet një sfidë për çdo lojtar që zgjedh t’i përkushtohet drejtimit të një ekipi. Të tentosh të aplikosh idetë dhe taktikat tek futbollistët dhe të zbatosh formulat e futbollit janë dy modalitet në funksion të njëra-tjetrës. Me pak fjalë, është raporti midis anës praktike dhe teorike të futbollit. Shumë futbollistë kanë shkëlqyer me uniformën e ekipit, por në kostumin e trajnerit e kanë gjetur të vështirë të përshtaten me rolin e ri.

Megjithatë disa kanë arritur të tejkalojnë famën si lojtarë duke fituar emër dhe autoritet si teknikë. “Talksport” përzgjedh 10 emrat që lanë shenjë si futbollistë të zotë por dhe si trajnerë të dalluar.

 

Fabio Capello

Në rolin e mesfushorit, “Don Fabio” luajti me 3 ekipet më të mira të viteve ’60 dhe ’70 në Itali. Me Romën ai fitoi Kupën e Italisë në 1969, kurse me Juventusin fitoi 3 tituj kampionë nga 1972 deri në 1975. Capello ishte dhe titullar me kombëtaren italiane kur përfaqësoi vendin në Kupën e Botës të 1974. Por reputacioni i tij si trajner u ngrit kur mori drejtimin e Milanit në 1991. Kuqezinjtë u kthyen një fuqi dominuese në Itali duke siguruar radhazi tre Serie A. Por finalja epike ndaj Barcelonës në ligën e Kampioneve në 1994 ishte momenti kur Capello legjitimoi veten si njëri nga trajnerët më të suksesshëm në historinë e futbollit. Ai ndihmoi Real Madridin në periudha të ndryshme drejtimi të fitonte La Ligan (1997 dhe 2007). Në 2001 ai riktheu Romën në fronin e futbollit italian kur i drejtoi drejt titullit të parë kampion pas 18 vitesh. Në krye të pankinës së Juventusit në dy sezone 2004-2006, Capello ndërtoi ekipin që fitoi radhazi dy Serie A pas largimit të një tjetër emri të madh si Marcello Lippi. Skandali i “Calciopolit” më verën e 2006 i kushtoi Juventusit dy titujt e fituar dhe “eksodin” e shumë futbollistëve bashkë me Fabio Capellon.

 

Juup Heynckes

Bashkë me Gerd Muller, Heynckes ishte një nga golashënuesit më të mirë të Bundesligës gjermane. Edhe pse përballë kishte një nga fuqitë më të konsoliduara në Gjermani dhe Europë si Bayern Munchen, kjo nuk e pengoi sulmuesin e Borussia Mönchengladbachut të fitonte 3 tituj kampion, Kupën UEFA dhe të arrinte finalen e Kupës Europiane në 1977 përballë Liverpoolit. Heynckes fitoi respektin dhe vëmendjen e mbarë Europës kur ndihmoi Real Madridin të fitonte Ligën e Kampioneve pas një periudhe të errët në kontinent prej 32 vitesh në 1998. 15 vjet më vonë Heynckes rivendosi statusin e merituar të kampionit të Europës dhe Gjermanisë me Bayern Munchen kur bavarezët siguruan tripletën në 2013.

 

Kenny Dalglish

Skocezi është një emër i adhuruar te të dyja klubet që ka luajtur në karrierë si te Celtic FC dhe te Liverpool. Talenti i tij shpërtheu në fillim të viteve ’70-të ku përveҫ golave, kontributi i tij lidhet me 4 titujt kampion të fituar në Skoci dhe 6 të tjerë me fanellën e Liverpoolit. Në Europë, Dalglish pushtoi kontinentin me “Të Kuqtë” kur fitoi tre herë Kupën Europiane (Ligën e Kampioneve). Por nga 1985 deri në përfundim të karrierës si lojtar në 1990, Dalglish kreu dhe funksionin e trajnerit të Liverpoolit kur drejtoi ekipin e “Anfield Road”-it drejt tre titujve kampion në 1986, 1988 dhe 1990. Në 1995 ai triumfoi me Blackburn Rovers në Premier League duke zënë vendin e parë. Në 2000 ai fitoi Kupën e Ligës Skoceze kurse në 2012 fitoi prapë si trajner i Liverpoolit Kupën e Ligës.

 

Diego Simeone

Karriera si futbollist e Simeones është shumëngjyrëshe pasi ka luajtur në Spanjë e Itali me Interin, Lazion, Sevilla dhe Atletico Madridin. Një mesfushor i fortë dhe luftarak Simeone fitoi Kupën UEFA me Interin në 1998, La Ligan në 1996 me Atleticon dhe në 2000 Serinë A me Lazion. Ai përfaqësoi Argjentinën në 14 vjet duke fituar me “bardhekaltërit” 2 Kupa Amerike. Kurse suksesi i tij si trajner nisi në Argjentinë me ekipet e Estudiantes dhe River Plate dhe më tej mbërriti në Spanjë për të stërvitur Racing Club. Në 2011 ai mori frenat e ekipit të Atleticos duke u kthyer hap pas hapi në një nga skuadrat më të arrira të viteve të fundit. Me “Los Colchoneros” Simeone arriti të siguronte titujt më të rëndësishëm si trajner; në 2012 kur fitoi Europa Leaguen dhe Superkupën e Europës, në 2013 theu tabunë ndaj Real Madridit duke i mposhtur në finalen e Kupës së Mbretit pas 15 vitesh. Në 2014 Simeone theu hegjemoninë Real Madrid-Barcelona në kampionatin spanjoll kur shpalli kampion Atletico Madridin në javën e fundit të sezonit në “Camp Nou”. Vetëm kupa e Ligës së Kampioneve mbetet “pengu” i Simeones kur në dy finalet e 2014 dhe 2016 u mposht nga armiqtë e përjetshëm të Real Madridit.

 

Brian Clough

Një personazh enigmatik në futbollin anglez. Brian Clough ishte një bomber i saktë kur shënoi 197 gola në 213 ndeshje me Middlesbrough dhe shtoi 54 gola të tjerë me me fanellën e Sunderlandit në 61 ndeshje. Në 1965 u detyrua të mbyllte para kohe karrierën si lojtar kur u dëmtua rëndë. Menjëherë ai mori detyrën e trajnerit të Hartlepool në 1965 dhe dy vite më vonë ai mori nga Divizioni i Dytë anglez Derby Countyn drejt Divizionit të Parë dhe më tej i shpalli kampion. Ai qëndroi vetëm 44 ditë në krye të ekipit të Leeds United dhe la stolin e tij duke marrë drejtimin e Nottingham Forestit. Me ekipin e fundit Clough triumfoi në 1978 duke fituar titullin e dytë kampion të Anglisë dhe në 1979 e 1980 Nottingham u rendit si ekipi më i mirë i Europës kur fitoi radhazi Kupën Europiane. Përveҫ këtyre trofeve të rëndësishëm, ai fitoi 4 herë Kupën e Ligës me “Forest”. Në këtë mënyrë legjitimoi lavdinë si njëri prej trajnerëve më të dalluar në historinë e futbollit.

 

Mario Zagallo

Njeriu i parë që ka fituar Kupën e Botës si futbollist dhe si trajner. Në triumfin e parë të Brazilit në 1958, Zagallo ishte lojtar formacioni bazë. Ai ishte prezent dhe me ekipin që mbrojti titullin 4 vjet më vonë në Kili. Në 1970 përpara fillimit të turneut në Meksikë, Zagallo në krye të pankinës së “Seleҫaos” komandoi formacionin më të mirë të të gjitha kohërave në futboll drejt titullit të tretë të Kupës së Botës të quajtur për nder të presidentit të FIFA-s Jules Rimet. Në 1994 ai ishte ndihmësi i Carlos Alberto Parreiras në triumfin e parë të 24 viteve në Botërorin amerikan me Brazilin. Në 1998, pati shansin të bëhej trajneri i parë në histori që fitonte dy Kupa Bote si trajner, por iu mohua nga golat e Zinedine Zidane dhe Emmanuel Petit.

 

Carlo Ancelotti

Në vitet ‘80-të Ancelotti ishte njëri prej mesfushorëve më cilësorë. Talenti i tij u shpërblye me seri ta pandalshme trofesh me Romën dhe Milanin legjendar të Sacchit dhe Capellos. Me verdhekuqtë ai u shpall kampion i Serisë A në 1983 plus 4 Kupa Italie. Në “San Siro” ai u bë pjesë e njërës prej gjeneratave më të suksesshme në historinë e futbollit kur fitoi dhe 2 tituj të tjerë Serie A dhe dy tituj të tjerë prestigjiozë si Liga e Kampioneve në 1989 dhe 1990. Pasi përfundoi karrierën si lojtar, Ancelotti mori detyrën e trajnerit të Reggianas në 1995. Titulli i parë kryesor si trajner mbërriti në 2003 kur fitoi Kupën e Italisë me Milanin dhe më tej fitoi 2 Liga të Kampioneve dhe titullin kampion të Italisë në 2004. Pas 8 viteve në Milano, ai nisi eksperiencën në Angli me Chelsean duke fituar një tjetër titull kampion në 2010. Fitoi një tjetër titull në 2013 me PSG-në. Në 2014 ai u bë trajneri i dytë pas Bob Paisleyt që fitonte tre Liga të Kampioneve si trajner kur i dha Realit titullin e 10-të të Europës. Me spanjollët Ancelotti fitoi dhe Kupën e Mbretit.

 

Franz Beckenbauer

Gjermani e meriton titullin “Der Kaiser” për lavdinë që i ka dhënë futbollit gjerman dhe botëror. Beckenbauer njihet si futbollisti që ndryshoi rolin e qendërmbrojtësit në mesfushorin me tipare mbrojtëse, një pozicion që kërkohet nga trajnerët në ditët e sotme në skemat e tyre. Një kapiten madhështor që ndikoi në triumfin e Kupave Europiane me Bayern Munchen (1974,1975 dhe 1976) dhe 4 Bundesligave gjermane. Por në arenën ndërkombëtare, ai ngriti titullin e Kupës së Europës dhe Kupës së Botës në 1972 dhe 1974 me kombëtaren e Gjermanisë. Pasi fitoi gjithҫka si lojtar, “Der Kaiser” mori drejtimin e një klubi dhe në 1982 udhëhoqi ekipin e Hamburgut drejt triumfit në Bundesligë. Menjëherë dështimit në EURO 1984, Beckenbauer u vendos në krye të pankinës së “panzerave”. Pasi dështoi të fitonte në dy turnetë e Botërorit dhe Kampionatit Europian në 1986 dhe 1988, Beckenbauer u shpall kampion bote me Gjermaninë Perëndimore në Botërorin Italian në 1990. Më tej, ai drejtoi Marseille në fitoren e kampionatit francez Ligue 1 dhe siguroi finalen e Kupës Europiane të atij viti kur u mposht nga ish-jugosllavët Crvena Zvezdas. U rikthye sërish te ekipi i tij dashur i Bayern Munchen në rolin e trajnerit dhe fitoi Bundesligan dhe Kupën UEFA. Beckenbauer është njëri nga personalitetet më të respektuara të futbollit.

 

Pep Guardiola

Katalanasi vlerësohet për influencën që i ka dhënë lojës me filozofinë e “tiki-takas”. Në uniformën e Barcelonës Guardiola ishte pjesë e grupit të quajtur “Ekipi i Ëndrrave” të Johan Cruyffit në fillim të viteve ‘90-të kur rrëmbeu një seri titujsh: 4 La Liga nga 1991-1994 dhe ndihmoi në triumfin e parë të shumëpritur në arenën europiane në 1992 kur Barcelona fitoi në finale ndaj Sampdorias. Në periudhën e holandezit Louis Van Gaal, katalanasi mbajti shiritin e kapitenit dhe udhëhoqi ekipin “blaugrana” drejt dy titujve të tjerë La Liga në 1998 dhe 1999. Ekipi i parë profesionist dhe elitar që drejtoi ishte padyshim Barcelona. Që në vitin debutues si trajner profesionist ai fitoi 6 tituj ku më kryesoret janë La Liga dhe Liga e Kampioneve në 2009. Në 4 vite në “CampNou” ai fitoi dy tituj të tjerë La Liga dhe një tjetër Ligën të Kampioneve. Në Gjermani me Bayern Munchen ai fitoi 3 tituj Bundeslige. Prej dy vitesh ai drejton Manchester Cityn dhe është në prag të një tjetër titulli kampion. Ndikimi i tij është njohur dhe në lojën dhe triumfet e Spanjës në Botërorin e 2010 dhe Europianin e 2012, por dhe te Kombëtarja e Gjermanisë në titullin e 2014. Mentori i tij zë vendin e parë në listë.

 

Johan Cruyff

Brenda fushës dhe jashtë saj, “Mozarti i futbollit” është figura që simbolizon klasin dhe madhështinë. Me emrin e tij nuk lidhet vetëm trofetë, por trashëgimia në futbollin modern. Në vitet ‘70 sulmuesi i Ajaxit ishte njëri nga yjet më të spikatur në botë. “Futbolli total” nën markën holandeze pushtoi Europën nga ai moment dhe më tej. Cruyff shkëlqeu duke fituar radhazi 3 Kupën Europiane me Ajax. Në 1974, gjenialitetit të tij në Botërorin e Gjermanisë Perëndimore i mungoi vetëm kurorëzimi kur vendasit i mohuan Kupën e Botës. Kalimi i tij në “Camp Nou” ndryshoi historinë e klubit katalanas dhe futbollit. Në Spanjë Barcelona u kthye në ekipin më të mirë duke fituar titullin e parë kampion pas 14 vitesh mungesë. Ai kthye në shtëpi pas 10 vitesh duke ndihmuar Feynoordin drejt titullit “Eredivisie”-s në 1984. Një vit më vonë ai drejtoi Ajaxin e Van Bastenit në titullin e Kupës së Kupave në 1987. Në Barcelona ai hodhi themelet e “Ekipit të Ëndrrave” që u kthye në superfuqi të futbollit të kohës duke fituar nga 1991-1994 4 La Liga dhe Ligën e Kampioneve në 1992. Deri sa u nda nga jeta nga kanceri në mushkëri, Cruyff nuk drejtoi më asnjë klub, por futbolli tij, gjenialiteti si lojtar dhe kontributi në futbollin e sotëm është i pamohueshëm. E gjitha bota përulet përpara “gjeniut të pavdekshëm të futbollit”./EDS/

ulaş utku bozdoğan
ulaş utku bozdoğan astrolog
ulaş utku bozdoğan