Khabib takohet me Putin dhe kërcënon UFC

11 Tetor 2018
Khabib takohet me Putin dhe kërcënon UFC

Khabib Nurmagomedov ka kërcënuar se do të largohet nga UFC nëse shoku i tij i skuadrës përjashtohet nga kompania për faktin që goditi Conor McGregor gjatë sherrit që shpërtheu në përfundim të sfidës mes të dyve në Las Vegas.

Zubaira Tukhugov u përfshi në përleshjen masive që ndodhi në T-Mobile Arena pasi kampioni i peshave të lehta sulmoi Dillon Danis. Por Khabib beson se do të ishte e pandershme që të ndëshkohej shoku i tij, duke kujtuar se ndaj McGregorit nuk u zbatua e njëjta rregullore kur sulmoi autobusin e skuadrës së tij në prill.

“Do të doja t’i adresohesha UFC”, shkroi Khabib në një postim në Instagram. “Pse nuk përjashtuat asnjë nga skuadra tjetër kur sulmuan autobusin dhe plagosën disa njerëz? Ata mund të kishin vrarë dikë aty, pse askush nuk flet për faktin që ai ka ofenduar vendlindjen time, fenë, kombin dhe familjen time? Pse duhet të ndëshkoni vetëm skuadrën time, kur të dy palët u përleshën. Nëse thoni që e nisa unë sherrin, nuk jam dakord. Unë thjesht përfundova atë që kisha nisur. Sidoqoftë, më ndëshkoni mua, ai nuk kishte fare të bënte me këtë çështje”.

Nurmagomedov gjithashtu shtoi se besonte që McGregor e nisi i pari sherrin pasi dha goditjen e parë në oktagon. “Mos harroni që ishte Conor që goditi shokun tim i pari, kontrolloni videot. Nëse vendosni të prishni kontratën me të, duhet ta dini se do të më humbisni edhe mua. Ne në rusi nuk i dorëzojmë kurrë vëllezërit tanë dhe nëse e bëni këtë mos harroni të më nisin edhe mua prishjen e kontratës, përndryshe do t’jua nis vetë”.

Deklarata e Khabib vjen vetëm një ditë pasi ai dhe babai i tij Abdulmanap, udhëtuan me bileta të klasit të parë nga Dagestani për në Uljanovsk për të takuar Presidentin rus Vladimir Putin. Edhe aty sherri që shpërtheu pas ndeshjes u diskutua, me Putin që deklaroi: “Gjithkush mund të kishte kërcyer në atë mënyrë nga kafazi. Nëse sulmohemi në atë mënyrë, të gjithë, jo vetëm ti, mund të kërcejmë ashtu… por gjithsesi është më mirë të mos arrish në atë pikë. Do t’i kërkoj babait tënd mos të të ndëshkojë shumë, sepse ti arrite të përmbushësh detyrën kryesore, me meritë dhe bindshëm”./EDS/

**********

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota ne kohe reale nga Futbolli dhe sportet tjera.