Klubi pranon largimin e Qakës, dy ekipe të tjera pas tij

05 Janar 2018
Klubi pranon largimin e Qakës, dy ekipe të tjera pas tij

Emri më në modë i Kombëtares shqiptare në këtë merkato janari është Kamer Qaka. Trajneri Pannuci e zbuloi nga “hiçi”, ndërsa tani është kthyer në një prej lojtarëve më të dëshiruar të Shqipërisë.

22-vjeçari mund të bëjë hapin e madh në karrierë këtë janar, pasi së fundmi për të kanë shfaqur interes edhe portugezët e Braga-s, por edhe ekipi rumun i CS U Craivo-s. Ky fakt është pranuar edhe nga presidenti i Qakës te klubi i CSM Iasi.

“Për Qakan nuk kemi marrë ende një ofertë konkrete, por menaxheri i tij është në bisedime me disa skuadra në Itali dhe Spanjë, por edhe ekipi portugez i Braga-s ka shprehur dëshirën për të transferuar lojtarin tonë. Na kontaktuan për të mësuar rreth Qakas. Ekipi i fundit që ka shfaqur interes është CS U Craiova. Ata u interesuan edhe këtë vit për situatën kontraktuale të Qaka. Ne duam ta mbajmë atë deri në verë, por do të jetë shumë e vështirë, sepse shumë ekipe janë të interesuar për shërbimet e tij”, – u shpreh presidenti Adrian Ambrosie.

Qaka u afrua me ekipin e CSM Iasi-t në verë dhe tashmë ka tërhequr vëmendjen e disa ekipeve nga jashtë, por edhe brenda Rumanisë. Përveç skuadrave italiane Benevento dhe Sampdoria, ku ai u propozua nga trajneri i Shqipërisë, Christian Panucci, mesfushori i ri kërkohet nga skuadrat spanjolle të Ligës së Parë të Girona dhe Las Palmas, pa harruar edhe ekipet kryesore të kampionatit rumun CFR Cluj , FCSB dhe CS U Craiova. /EDS/