“Kreu nuk më çudit, Milani ka ende disa misione”, Pioli: Për Ibrën s’vendos unë

06 Tetor 2020

Dhjetë ditët e ardhs hme do të jenë vendimtare për Stefano Piolin i cili pret t’i kthehen disa lojtarë të dëmtuar. Ndërkohë, trajneri bën bilancet e para të sezonit kuqezi duke vendosur theksin te fitoret e arritura, por edhe te paraqitjet të cilat dukshëm i kanë dhënë jo pak kënaqësi.

Cili ishte plani për ndeshjen?
Rreshtova formacionin më të mirë të mundshëm. Ndoshta surprizova ndokënd, por ishim të lodhur nga ndeshja e Ligës së Europës dhe isha i detyruar të mbaja disa pushim. Në pjesën e parë nuk luajtëm keq, por disa gabime në metrat e fundit kompromentuan manovrën e mirë që bënim. Mendoj se 5 zëvendësimet janë një fat i madh sepse mund të pushojnë më shumë lojtarë.

Nuk rezultoi edhe aq e lehtë kjo ndeshje apo jo?
Ndeshjet duhen luajtur fillimisht dhe vështirësitë janë normale. Fakti që kemi arritur 6 suksese në 18 ditë janë një tregues i rëndësishëm. Ky ishte objektivi ynë primar dhe jemi të lumtur që e arritëm, megjithatë e dimë se shumë aspekte duhen përmirësuar.

Çfarë ju shtyu të aktivizonit Leaon që nga minuta e parë pas paraqitjes zhgënjyese ndaj Rio Aves?
Kam besim total te lojtarët e mi dhe me Leaon po bëj një punë psikologjike ndaj së cilës djaloshi po përgjigjet mirë. Nuk është në maksimumin e formës, por ka cilësi për të na ndihmuar gjithmonë.

E prisnit një paraqitje të tillë nga skuadra juaj?
Gjithmonë pres paraqitjen më të mirë nga ekipi. Në pjesën e parë ishim të ngadaltë në qarkullimin e topit, por ndeshja ime ishte dinjitoze pavarësisht se vinim nga një sfilitje 120-minutëshe në Europë.

Çfarë i thatë Frenk Kesit për lënien në stol?
Frenku është një djalë i ndjeshëm dhe në fillim kam pasur jo pak fërkime me të. Më pas u sqaruam dhe nisa të kuptoj këndvështrimin e tij. Kjo është mënyra më e mirë për të marrë maksimumin nga lojtarë kaq të fortë.

Mendoni se nevojitet një zëvendës-Ibra që të jetë më i përgatitur sesa Kolombo?
Nëse një ekipi i heq dy sulmuesit kryesorë, atëherë çdokush do të kishte vështirësi. Ne kemi bërë një nisje cilësore sezoni, sidomos nëse marrim parasysh edhe mungesat që kemi pësuar. Përveç Kolombos, kemi edhe Leaon që ka cilësi të veçantë në mënyrën se si e interpreton rolin e pykës.

Si e gjykoni paraqitjen e Hauges?
Ka vetëm pak ditë në skuadër, por më pëlqen sepse di të luajë mes reparteve, ka teknikë dhe është i shpejtë. Karakteristikat e tij mund të na nevojiten gjatë sezonit.

Çfarë ndjesie ju jep fakti që shkoni në derbi me pikë të plota?
Do të jetë një kënaqësi e veçantë, aq më tepër që paraqitemi në atë takim me të gjitha premtimet e mbajtura. Sa për kreun, nuk më bën përshtypje sepse kampionati është ende shumë i gjatë.

Mendoni se do të rikuperoni ndonjë lojtar në këto dy javë ndalesë?
Për Rebiçin do të vendosim javën e ardhshme sepse ndien ende dhimbje. Romanjolin mendoj se do ta kem gati për derbi, ndërsa Muzakios do t’i nevojitet edhe pak kohë. Sa për Ibrën e Duarten nuk mund të them asgjë sepse nuk varet nga ne.

REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

www.panorama.com