Kukësi “zjarr” për rifillimin e sezonit, shtohen “hallet” për Shpëtim Duron

12 Shtator 2019

Pauza e Kombëtares erdhi si bekim në shtëpinë e verilindorëve, një kohë e mjaftueshme që Shpëtim Duro të punonte qetësisht me grupin, pa presion e kohës dhe ne komoditetin që i dhuron tabela e klasifikimit. Për vetë mënyrën e shpejtë se si u përgatit ky fillim sezoni, kjo periudhë pushimi i ka shërbyer më shumë teknikut kryeqytetas për të dhënë futbollistëve ngarkesën e duhur fizike dhe kohën e mjaftueshme elementëve të ardhur rishtas për tu përshtatur me pjesën tjetër të grupit dhe me filozofinë e trajnerit.

Kamara

Të gjithë lojtarët janë në dispozicion të trajnerit, tashmë Duro duhet të vendos për formacionin bazë, për momentin ky duket shqetësimi i vetëm, pasi disa lojtarë si Kamara kanë shfaqur një formë të admirueshme.

Abazaj gjithashtu po integrohet hap pas hapi duke fituar formën e duhur fizike. Me grupin e plotë dhe në formë, Duro duhet të bëjë tashmë llogaritë me një transfertë shumë delikate, atë kundër Bylis më 15 shtator.

Abazaj

Ballshiotët kanë konfirmuar në këtë fillim sezoni se janë një kundërshtarë i fortë për çdo rival, qoftë ku Kukësit, mjafton të shohim sfidën e fundit kundër Skënderbeut. Me 7 pikë në 3 javë, Kukësi kërkon të ruaj këtë ecuri pozitive, kjo është një transfertë ku vetëm 3 pikët kënaqin egon e trajnerit Duro dhe i shërbejnë objektivit kryesor, titullit kampion.
(BalkanWeb)

www.balkanweb.com