Trajneri Ronald Kuman e pranon vështirësinë ekonomike që po kalon Barcelona dhe thotë se është i kënaqur me grupin e futbollistëve që ka në dispozicion. Ai tregon me bindje që skema 4- 2-3-1 është e duhura për katalanasit.
KOMBËTARET – “Ky lloj pushimi është pak pozitiv sepse thjesht të largon presionin e ndeshjes së fundjavës. Ndoshta të jep kohë për të punuar për ndeshjet e ardhshme si Getafe, Champions-i dhe Reali i Madridit. Kemi një kalendar të vështirë deri në ndalesën e radhës në nëntor. Do të punojmë mirë në stërvitje dhe do të analizojmë kundërshtarët”.
SKUADRA – “Ekipi është mirë dhe jam i lumtur me grupin e lojtarëve që kam në dispozicion. Tentuam që ta përmirësonim në merkato. Në disa role ia kemi dalë, ndërsa në të tjera jo, por duhet të kuptojmë edhe situatën ekonomike ku ndodhet klubi. Duhet ta pranojmë dhe të punojmë”.
BILANCI – “Kemi pasur 3 ndeshje kundër Vijarealit, Seltës dhe Sevijes. Kundër Sevijes nuk ishim aq mirë, sepse është ekip i fortë dhe do të luftojë për vendet e kreut të tabelës. Rendimenti nuk ishte ai që donim dhe duhet të përmirësohemi, por sigurisht duhet të kuptojmë që vetëm prej 5 javësh po punojmë me një skemë të re, me lojtarë të rinj. Si çdo trajner edhe mua më duhet kohë”.
REVOLUCION – “Kam kërkuar nga futbollistët që të kemi më shumë intensitet dhe për këtë fakt stërvitjet janë të tilla. Punohet shumë. Kemi një kalendar të vështirë dhe për këtë arsye duhet që stërvitjet të jenë intensive”.
MBROJTJA – “Jemi përmirësuar në këtë aspekt. Gjithmonë kam menduar që mbrojtja në një skuadër fillon që me sulmuesit. Nëse bëjnë ata shumë presing, atëherë mbrojtja jonë nuk do të ketë shumë probleme. Është një çështje që përfshin gjithë skuadrën”.
ANSU FATI – “Jemi duke folur për një futbollist që është vetëm 17 vjeç. Ai ka luajtur në 3 ndeshjet me një nivel shumë të lartë. Ka talent, por duhet të mësojë akoma më shumë gjëra. Jemi këtu për ta ndihmuar. Mendoj se asnjë lojtar tjetër në botë në moshën e tij nuk është në kombëtaren e madhe”.
SKEMA – “Si çdo trajner tjetër, edhe unë kam preferencat e mia. Kur ke shumë lojtarë nga krahët, sigurisht që do të luash nga krahët. Mendoj që moduli 4-2-3-1 është më i miri për Barcelonën. Ky është kualiteti që kemi”.
OBJEKTIVI – “Objektivi është që t’i fitojmë të gjitha ndeshjet. Nuk është aspak e lehtë. Getafe është një skuadër e fortë dhe e ka treguar në kohët e fundit që merr më të mirën nga ndeshjet. Në vitin e fundit eliminoi Ajaksin nga Kupat e Europës dhe nuk është e lehtë. Shpresoj që lojtarët tanë të rikthehen nga kombëtaret pa probleme”.
www.panorama.com