Kuman me dhimbje koke, ka vetëm 5 lojtarë në skuadër

13 Tetor 2020

Ronald Kumanin e pret një javë shumë e vështirë. Deri të enjten nuk do të ketë asnjë lojtar që është grumbulluar me kombëtaret në dispozicionin e tij dhe kjo do të thotë se ka pak kohë për të përgatitur sfidën kundër Getafes, e cila do të luhet të shtunën në orën 21:00 në stadiumin “Alfonso Perez”. Për më tepër, lojtari i tij më i mirë, Leo Mesi, do të jetë i fundit që do të vijë duke qenë se do të luajë mbrëmjen e sotme sfidën eliminatore kundër Bolivisë.

Rikthimi i kapitenit është parashikuar në orën 17:30 të së enjtes, kur do t’i bashkohet grupit për të punuar për sfidën me Getafen. Problemeve të kalendarit do t’i shtohet edhe lodhja e një dueli kundër Bolivisë, që do të zhvillohet në 3000 metra lartësi. Kjo do të thotë se Kuman mund ta ulë Leo Mesin në stolin e rezervave për duelin kundër Getafes, duke qenë se të martën do të luhet edhe në Ligën e Kampionëve kundër Ferencvaroshit. Për më tepër, në fundjavë do të luhet sfida “El Clasico” me Realin e Madridit dhe “Pleshti” ka nevojë për të pushuar.

Por Leo nuk do të jetë lojtari i vetëm që do t’i bashkohet skuadrës ditën e enjte. Edhe lojtarët e tjerë që janë grumbulluar nga kombëtaret e tyre do të kenë ndeshje të mërkurën: Lengle, Grizman, Breitheit, Trinkao, Pjaniç, Kutinjo, Arauho. Nuk përjashtohet mundësia që ndonjë lojtar tjetër të ulet në stolin e rezervave dhe më të rrezikuarit janë ata që kanë udhëtuar shumë (sidomos amerikanojugorët). Lajmi i mirë është që Kumanit i rikthehen lojtarët spanjollë më shpejt si Buskets, Fati dhe Roberto, por edhe të rinjtë Pedri, Injaki Pena dhe Riki Puxh.

Ata do të jenë pjesë e skuadrës në stërvitjen e së mërkurës në mëngjes. Vetëm 5 lojtarë- Gjatë kësaj jave, puna ka qenë specifike dhe do të vazhdojë të jetë e tillë edhe këto ditë. Trajneri nuk mund të bëjë taktikë apo të përgatisë ndeshjen, sepse nga ekipi i parë ka në dispozicion vetëm 5 futbollistë: Neto, Dest, Alenja, Pike dhe Dembele. Të tjerët si Ter Shtegen, Xhunior, Mateus, Umtiti dhe Alba janë të dëmtuar. Mbetet për t’u parë, se di do ta përballojë Barcelona këtë vështirësi, të cilën e kanë thuajse edhe skuadrat e tjera.

PANORAMASPORT.AL

www.panorama.com