Kuqo nga NBA shfryn ndaj basketbollit shqiptar

Ti mund ta lexosh kete ne 2 min.
26 Dhjetor 2017 16:27
Ish-basketbollisti kuqezi flet për eksperiencën te Los Angeles Clippers

Ish-basketbolliti kuqezi, Ermal Kuqo në një prononcim për “ Top Channel” ka rrëfyer eksperiencën te Clippers në kampionatin më të madh të basketbollit në botë, NBA.

37-vjeçari ka një rol me rëndësi te ekipi amerikan, drejtues i Departamentit të Zbuluesve të Talenteve të Los Angeles Clippers.

“Për një kohë shumë të shkurtër arrita të jem drejtor i Departamentit të Scout Pro, jo vetëm për Evropën, por ndërkombëtarisht”, deklaroi ai.

I pyetur nëse e shikon veten në rolin e trajnerit në të ardhmen, Kuqo u shpreh se e përjashton mundësinë për këtë pozicion.

“Trajner nuk doja të bëhesha, pasi është një fushë shumë ndryshe dhe unë jam pak si diktator. Kam luajtur me shumë lojtarë që kanë qenë të padisiplinuar dhe kur mendoja sikur të isha trajneri i tyre… Nuk do të përfundonte shumë mirë dhe besoj se nuk do të kisha karrierë të gjatë si trajner”, shprehet 37-vjeçari.

Lidhur me basketbollin shqiptar, Kuqo nuk kursehet në kritikat e tij për drejtuesit e tij në këtë vend. Madje thekson fort se shumë drejtues e shohin si biznes për të fituar para dhe jo për t’a rritur.

“Për të zbritur tek lojtarët, duhet të shohim kokën, pasi peshku qelbet nga koka. Këtu, çdo njeri që përfundon Institutin Sportiv e ndjen veten trajner basketbolli, merr disa topa dhe ia jep kalamajve vetëm për të fituar para’. E shohin këtë sport thjesht për para’, jo për të rritur breza sportistësh”.

Ndër të tjera ai foli edhe për afrimet në Kombëtaren e Basketbollit duke i cilësuar talente që vijnë nga jashtë “shpëtim” për trajnerët.

“Arsyeja kryesore përse kërkojnë shpëtim nga jashtë është sepse mendojnë që ata janë përgatitur andej dhe këtu do të na sjellin ndonjë gjë tjetër. Unë kam qenë pjesë e ekipit kombëtar kur u mblodh kombëtarja e parë dhe na futën në motel. I binte derës recepsionisti dhe na nxirrte jashtë sepse vinte klienti i rregullt”.

Përsa i përket të ardhmes së tij, rikthimit në Shqipëri Kuqo e përjashton këtë mundësi ndërsa thekson se nuk dëshiron që të kthehet më në atdheun e tij.