Kutinjo shfaqet ndryshe nga ai i dy viteve më parë, gjen buzëqeshjen me Kumanin

18 Shtator 2020

Dy vite më parë, Filipe Kutinjo u largua nga Barcelona i zhgënjyer dhe i mërzitur. Ishte një lojtar i trishtuar, i cili në fushën e lojës nuk bënte dot asgjë. Nuk i dilnin ato që tentonte dhe tifozët filluan që ta kritikonin, por në ndeshjet e para të këtij sezoni, braziliani është tjetër lojtar.

Trajneri Kuman i transmetoi besim që në ditët e para dhe mesfushori brazilian është krejt ndryshe nga ai i dy viteve më parë. Në sfidën e parë kundër Gimnastik u pa një Kutinjo që kishte dëshirë të zinte vendin e titullarit duke luajtur në rolin e fantazistit pas sulmuesit kryesor.

Ky është roli që i pëlqen. Në ndeshjen e dytë luajti në krahun e majtë, një pozicion që me Valverden nuk dha të mirën, por ndaj Gironës po.

Që nga minuta e parë tregoi dëshirë dhe vullnet për të bërë mirë. Në pak minuta gjeti edhe golin e dytë të këtij sezoni dhe ka rigjetur buzëqeshjen. Ai mund të jetë një lojtar i rëndësishëm për katalanasit.

PANORAMASPORT.AL

www.panorama.com