La futbollin 28 vjeç për të shitur fshesa me korrent

La futbollin 28 vjeç për të shitur fshesa me korrent

Tomas Brolin është një ndër personazhet më të njohur të futbollit në mesin e viteve ’90. Kur mbërriti te Leeds United në vitin 1995, sulmuesi suedez kishte statusin e një superstari të vërtetë, e madje ishte lojtari i huaj më i shtrenjtë i blerë ndonjëherë deri në atë vit nga një skuadër e kampionatit anglez.

Me të në skuadër, Leeds kërkonte të luftonte për titullin, por Brolin pati probleme me dëmtimet dhe peshën e madje u votua nga tifozët si lojtari më i dobët në historinë e klubit. Një hap gjigant mbrapa duke qenë se një vit më parë, Brolin ishte i katërti në listën e lojtarëve pretendentë për të fituar Topin e Artë, pasi ndihmoi Suedinë të arrinte vendin e katërt në “USA ‘94”. Në total luajti 47 takime me kombëtaren duke shënuar edhe 27 gola.

Periudha 1990-95 ishte edhe më e arta e karrierës së tij. Te Parma shënoi 20 gola në 130 ndeshje, duke fituar në këto pesë vite Kupën e Italisë (1991-1992), Kupën e Kupave (1992-1993), Kupën UEFA (1994-1995) dhe Superkupën e Europës (1993).

Por brenda katër vitesh nga ai moment kulmor në karrierën e tij, Brolin do të tërhiqej nga futbolli, vetëm 28 vjeç. Edhe rikthimi te Parma nuk mundi të ndryshonte më rrjedhën e karrierës së tij, ndërsa një aventurë e shkurtër te Crystal Palace shërbeu vetëm sa për t’u shënuar në jetëshkrimin e tij.

Por me mbylljen karrierës futbollistike jeta e suedezit nuk u ndal. Në fakt, ai pati shumë sukses në një karrierë të re, atë të shitësit të fshesave me korrent. Në vitin 1997 ai u njoh me shpikësin suedez Goran Edlund. Deri tre vite më parë ai ishte i papunë, por kishte arritur të zhvillonte një fshesë me korrent që pastronte shumë më mirë, ishte më e lehtë për t’u tërhequr nëpër shtëpi, më e lirë dhe tepër moderne.

Brolin u fut në biznes si partner me 50% të aksioneve. Brenda 20 viteve, marka në fjalë është bërë më popullorja në Suedi. “Twinner” shet më shumë se 130 000 produkte në vit dhe vetë kompania vlen miliona euro.

Kur kujton largimin nga futbolli ndërsa luante për Crystal Palace, Brolin pranon se nuk ishte vendim i vështirë. “Nëse dëshiron të luash në nivelet më të larta duhet të stërvitesh fort çdo ditë, por mua nuk më interesonte kjo gjë. Kisha projekte të tjera në kokë dhe kur lashë futbollin, një shpikës më propozoi idenë e tij dhe hapëm kompaninë e përbashkët”, kujton Brolin.

“Të gjithë thonë se 28 vjeç është herët për t’u tërhequr nga futbolli, por kjo varet nga ajo që ke arritur në këto vite. Unë kam bërë shumë dhe jeta është tepër e shkurtër për të bërë gjëra të mërzitshme. Nëse diçka nuk të argëton, atëherë mos e bëj”, shton ai.

Nëse i hedh një sy rrjeteve të tij sociale kuptohet që ai po argëtohet pa masë. Shpesh ai poston fotografi nga pishina të ndryshme, duke luajtur golf, duke bërë ski dhe duke luajtur hokej në akull.

Një pjesë të të ardhurave të tij, Brolin i jep për bamirësi. Ai ka një marrëveshje me një organizatë fëmijësh, ku kalon 30% të të ardhurave nga shitjet e produkteve të tij. Ai gjithashtu është i përfshirë në biznesin e pasurive të patundshme, ndërsa më parë ka pasur interesa në biznesin e produkteve farmaceutike dhe kateringut.

Suedezi ka qenë gjithmonë i dashuruar me kuajt e garave ndërsa në fillim të shekullit XXI ishte edhe lojtar i rregullt pokeri, duke u renditur edhe i 50-ti në një kompeticion botëror.

Por ai që duhet të ishte pasioni i tij më i madh, futbolli, dukshëm kishte zbritur shumë vende më poshtë në renditje. Aq i dëshpëruar ishte Brolin për të lënë Leeds United sa që hoqi dorë nga rroga që merrte atëherë, rreth 15 000 euro në javë, për të luajtur i huazuar te Zurich për vetëm 1000 euro në javë.

Kur u rikthye verën e ardhshme pati sërish probleme me trajnerin e ri, pasi shkoi vonë në stërvitje për shkak të një aksidenti me makinë. Ai tha se një zog ishte përplasur në xhamin e përparmë, por flitej se kishte shkelur një dre… Javë më vonë nuk u paraqit në ndeshje sepse shkoi për të festuar 50-vjetorin e babait, duke marrë deri në 100 000 euro gjobë nga klubi.

Dukej që futbolli nuk kishte më vend në jetën e tij, por jeta e tij do të ishte shumë më e mirë pa futbollin…/EDS/

**********

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota ne kohe reale nga Futbolli dhe sportet tjera.