La Liga gati të hapë dyert, tur force 39 ditor për skuadrat spanjolle

30 Maj 2020

Presidenti Havier Tebas e deklaroi pak orë më parë, por zyrtarizimi për nisjen e kampionatit spanjoll erdhi pasditen e djeshme. Data për rinisjen e La Ligës është 11 qershori për të përfunduar më 19 korrik. Do të jetë një tur force 39-ditor, ku do të ketë ndeshje çdo ditë. Do të fillojë me derbin e Sevijes, Betis-Sevija dhe kjo është mënyra më e mirë për t’i dhënë mirëseardhjen kampionatit spanjoll.

Pikërisht më 11 qershor do të luhen edhe minutat e mbetura të ndeshjes Rajo Vajekano-Albasete, e cila ishte e pezulluar. Në këtë mënyrë, në të ardhmen do të ketë ndeshje gjatë të gjitha ditëve të ardhshme deri më 19 korrik. Fillimisht u mendua se do të kishte ndeshje deri në mesnatë dhe do të fillonin në orën 23:00, por Liga hoqi dorë dhe ndeshjet e fundit do të jenë në orën 22:00. Do të ketë ndeshje të shtrira në harkun kohor nga 19:30 deri më 22:00. Në fundjavë do të ketë ndeshje në orën 17:30.

Nga fundi i kampionatit spanjoll duhen edhe 11 javë dhe klasifikimi sheh Barcelonën në vendin e parë me 2 pikë më shumë sesa rivalët e përjetshëm, Reali i Madridit. Pra, mund të themi se kampionati spanjoll e ka një datë për rifillimin, vetëm nëse ndodhin të papritura.

Madje,  është përcaktuar edhe fillimi i sezonit 2020-2021 më 12 shtator. Në mes të kësaj hapësire do të zhvillohen Kupat e Europës. Pas shumë diskutimeve mes La Ligës dhe federatës spanjolle u arrit marrëveshja për përcaktimin e kalendarit.

Do të luhen ndeshje edhe ditën e hënë, pavarësisht se federata ishte kundër. Palët u qetësuan në momentin kur qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë dhanë miratimin për zhvillimin e këtij kampionati dhe përcaktimin e datës 11 qershor.

GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL

www.panorama.com