Laçi thyen Skënderbeun, Selmani i vë kyçin portës kurbinase

20 Prill 2019

Laçi thyen Skënderbeun dhe shpreson për zonën europiane. Bardhezinjtë e drejtuar nga Sulejman Starova i janë falur një goli të Shtubinës, por edhe reflekseve të portierit Selmani, për të marrë një 3 pikësh që u bën vërtet shumë punë. E kundërta mund të thuhet për bardhekuqtë e Shehi, që parakalohen pikërisht nga kurbinasit.

Sfida e luajtur në Laç ka rezervuar dy momente kyç, atë të minutës së 30-të, kur bardhezinjtë shfrytëzojnë në maksimum një rivënie anësore, e cila përfundon te Shtubina, që me kokë thyen Dajsinanin, dhe atë të minutës së 53-të, kur Dejvi Bregu ka në dorë mundësinë e artë për të barazuar pas penalltisë së fituar nga Vangjeli, por Gentian Selmani bën një pritje të shkëlqyer.

Gardiani i Laçit dhe i Kombëtares kuqezi, do të jetë vendimtar dhe në momente të tjera si në minutën e 60-të, ndërsa do të ketë dhe tension në fushë, kur Kristi Vangjeli do të goditet me një send të fortë nga tribuna e tifozëve laçianë.

Megjithatë, të besuarit e Starovës do të rezistojnë deri në fund dhe do të marrin fitoren që u lejon të shkojnë në vendin e pestë në kuotën e 44 pikëve, një më shumë sesa Skënderbeu që zbret në pozicionin e gjashtë.

(Balkanweb)

www.balkanweb.com