LIVE/ “Sunday League Tirana”, Prestige dominon finalen, pjesa e parë mbyllet në barazim

05 Korrik 2020

Finalja e madhe e “Sunday League Tirana”, startoi me një ceremoni fantastike, spektakël dritash për të ndezur edhe më shumë këtë sfidë ku po përballen dy ekipet më të mira të sezonit, Prestige dhe ATS . Pasi dominuan minifutbollin me 6 lojtarë, Prestige kërkon të triumfoj për herë të parë, në edicion e parë me 9 lojtarë. Ashtu siç pritej, pjesa e parë prodhoi një futboll të bukur, me raste për shënim dhe dy gola të realizuar, një barazim 1-1 që le gjithçka të hapur. Të parët që kaluan në avantazh ishte ekipi i Prestige me Shimën që finalizoi një aksion të bukur. ATS iu kundërpërgjigj shpejt, me Bytyçin që barazoi rezultatin.

Një kampionat, i karakterizuar që prej fillimit nga një luftë e fortë sportive, me skuadrat që kanë dhënë maksimumin e tyre në fushë për të arritur objektivat. Organizatori dhe ideatori i këtij kompeticioni, Jurgen Demneri, arriti që të bëjë realitet një ëndërr për skuadrat kryeqytetase të futbollit, të cilat kanë matur forcat me njëra-tjetrën në këtë aktivitet. Ndërsa pritet që në edicionin e ardhshëm do të ketë një numër akoma më të madh të ekipeve pjesëmarrëse.

FINALISTËT
Prestige dhe ATS kanë qenë pa diskutim dy skuadrat më të mira të kampionatit. Prestige e mbylli në vendin e parë fazën e grupeve, duke regjistruar 10 fitore dhe 1 barazim në 11 ndeshjet e zhvilluara. Akoma më e mirë ka qenë paraqitja e Prestige në ndeshjet me eliminim direkt, teksa i ka mposhtur bindshëm të gjithë kundërshtarët, duke regjistruar goleada të njëpasnjëshme. Kujtojmë që Prestige është e vetmja skuadër e pamposhtur në kampionat. Ndonëse bëhet fjalë për një kampionat amatorësh, organizimi i Prestige është për t’u pasur zili edhe nga ekipet profesioniste.

Një skuadër që stërvitet çdo ditë nën urdhrat e një stafi të përgatitur. Në pritje të rikuperimit pas dëmtimit të pësuar në gju, kapiteni Fatmir Hysenbelliu ka qenë në drejtim të skuadrës gjatë gjithë sezonit, së bashku me trajnerët Eldi Topi dhe Madrit Dule. Prestige është skuadra me mbrojtjen dhe sulmin më të mirë të “Sunday League Tirana”. Një ekip që luan në bllok dhe ku të gjithë sakrifikohen për të arritur objektivin. Dy liderët e mbrojtjes AntoniMërtiri, mesfushori Dajti dhe sulmuesit Moçka e Shima kanë qenë ata që e kanë udhëhequr skuadrën në një sezon thuajse perfekt. Nga ana tjetër kemi skuadrën ATS, një ekip serioz, i cili ashtu sikurse Prestige e mbylli fazën e grupeve në vendin e parë. 8 fitore, 1 barazim dhe 2 humbje ishte bilanci i ATS gjatë ndeshjeve në grupe. Arbitër i finales do të jetë ish-gjyqtari i FIFA-s, Lorenc Jemini, i cili ka drejtuar disa ndeshje edhe gjatë kampionatit.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.Grupi Balkanweb
www.balkanweb.com