Liverpool kërkon t’i rrëmbejë një yll United

Liverpool po planifikon që të afrojë në skuadër Marouane Fellainin në merkaton e verës. Sipas mediave franceze, Jurgen Klopp ka përgatitur një kontratë trevjeçare për futbollistin belg, të cilin dëshiron që t’a ketë me patjetër në skuadër. Pas pesë vitesh në “Old Trafford”, 30-vjeçari është i vendosur që të mbyllë aventurën me “Djajtë e kuq” dhe të largohet drejt një ekipi tjetër në verë.

Siç shkruan “L’Equipe”, lojtari nuk ka rënë dakord për një kontratë të re me drejtuesit e United, për këtë dëshiron që të nisë një eksperiencë të re në një ekip tjetër. Liverpool është një nga ekipet kryesore që ka shfaqur interes për shërbimet e mesfushorit. Por, përveç gjigantëve anglezë në garë për futbollistin belg janë futur edhe disa ekipe të tjera si, PSG, Monaco, Besiktas dhe PSG. Kampionët francezë e shohin Fellainin si pasues të brazilianit Thiago Motta. 35-vjeçari është i vendosur të largohet nga “Parc des Princes” këtë verë.

Ish- ylli i Everton nuk është aktivizuar nga Jose Mourinho këtë sezon shumë dhe nuk ka nisur titullar që nga disfata e Ligës së Kampionëve ndaj Sevillas, muajin e kaluar. Në shumicën e ndeshjeve që ka luajtur nën drejtimin e teknikut portugez është futur si zëvendësues.

Fellaini iu bashkua United për 27.5 milionë paund nga “Toffees” në gusht të 2013-ës. Këtë sezon ai ka luajtur vetëm në 18 ndeshje, ndërsa në total me fanellën e “Djajve të kuq” ka zhvilluar 151. /EDS/