REZULTATET LIVE
Shiko listen e plote
Ballshiotët duket se kanë probleme me lojtarët

Lojtarët mungojnë në stërvitje, zbulohen masat ndëshkimore

12 Janar 2018 22:22

Ballshiotët duket se kanë probleme me lojtarët. Disa prej tyre nuk paraqiten në stërvitje. Kjo gjë ka detyruar drejtuesit që të reagojnë, jo vetëm me masa disiplinore, por tashmë edhe në faqen zyrtare në Facebook kanë publikuar çështjen në fjalë.

“FK BYLIS ka nisur përgatitjet në datën 4 janar, kur ka lënë edhe pushimet e festave të fundvitit. Por, prej datës 4 e deri më sot, në klub mungojnë tre futbollistë: Franklin Ntepe, Jurgen Vatnikaj dhe Vesel Limaj”.

“Drejtuesit kanë marrë masat përkatëse për ta, ndërsa nesër kthehet Ntepe. Limaj dhe Vatnikaj nuk kanë njoftuar në klub, por bëjmë me dije se kushdo që është nën kontratë nuk do të lëvizë nga skuadra!”, shkruhet nga zyra e shtypit të klubit mallakastriot.

Por, EDS zbulon masat ndëshkimore. Të tre futbollistët nuk i kanë shpëtuar gjobave. Klubi ka njoftuar në FSHF për ndëshkimet për të tre lojtarët e sipër përmendur. Nëse ata do të vijojnë të bëjnë mungesa, pritet që të ketë masa të përshkallëzuara, ndërsa klubi është i vendosur që të mos i lëshojë. /EDS/

Jeni i lutur të hyni në llogari që të lini një koment
Bardheblutë luajtën miqësoren e tretë

Tiranë e pathyeshme, kush e ka radhën?

23 Janar 2018 15:40

Tirana ka luajtur miqësoren e tretë në Turqi dhe sërish është e pathyeshme. Skuadra e drejtuar nga Ze Maria ka pasur përballë bullgarët e Cherno More. Tekniku brazilian po mendon për të kristalizuar formacionin titullar për ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë kundër Kukësit, teksa në fushë ishte formacioni më i mirë, pa prurjet e fundit të merkatos.

Ndeshja nisi qetësisht për të dyja skuadrat, ndërkohë që skuadra bullgare rrezikoi në dy momente me Fenush dhe Iliev. Në fund të pjesës së parë Tirana iu afrua golit, ashtu si edhe në fillim të së dytës, kur Mugunna me një pasim mjaft të bukur shërbeu për njërin nga shokët e skuadrës, që nuk finalizoi siç duhet. Keniani debutoi me bardheblutë dhe pritet të jetë një lojtar i rëndësishëm në vazhdimësi të sezonit.

Zëvendësime në të dyja kampet dhe në fund barazim pa gola. Sërish e pathyeshme Tirana, që ka luajtur me ekipe të elitës në Rusi, Kazakistan dhe së fundmi me bullgarët e Cherno More. Një mesazh i qartë edhe për Kukësin, që në çerekfinale të Kupës duhet të djersijë shumë për të kaluar më tej. Në fakt bardheblutë e treguan diçka të tillë që kur eliminuan Vllazninë në turin e dytë. /EDS/

MIQËSORE
KF Tirana - Cherno More 0-0
Formacioni: Lika, Doka, Turtulli, Cake, Hoxhallari, Mawejje, Karabeci, Daja, Yunus Sentamu, Greca, Ngoo

Jeni i lutur të hyni në llogari që të lini një koment
Mësoni futbollistët që do të vëzhgohen nga Monaco, Nice, Bastia, Maribor, Domzale dhe Gorica

Nga Monaco te Maribor-i, të rinjtë shqiptarë në “lupë”

23 Janar 2018 11:07

Fati i madh është që të rinjtë shqiptarë mund të provojnë veten e tyre që në moshë të re me bashkëmoshatarët nga vendet e ndryshme të Europës. Ëndrra për t’u larguar nga Shqipëria dhe për t’u transferuar në një kampionat më të mirë është synimi i të gjithëve.

Provat e radhës për të rinjtë shqiptarë do të zhvillohen në Itali, Francë dhe Slloveni. Futbollistët e rinj që u provuan në Itali ishin në vëmendjen e Akademive dhe ekipeve të para nga Seria A, B dhe C. Testet u zhvilluan në qytetin e Riminit në Itali. Shqiptarët që u provuan në Itali ishin Markelo Nasto, sulmues i Apolonisë U-17; Gabriel Cehu, Akademia “Pepa”, Elbasan; Erik Kondaj nga kampionatet italiane dhe Moreno Biba nga kampionatet greke të futbollit.

Provat e radhës për të rinjtë shqiptarë do të jenë në Francë. Fabian Shuli i Partizanit, Edon Marku i Dinamos dhe lojtari Aulant Krasniqi nga Peja do të kenë mundësinë të tregojnë veten. Provat për këta futbollistë do të zhvillohen në qytetin e Nice-s. Klubet që do të vëzhgojnë këta futbollistë janë Nice, Monaco, Bastia.   

Shqiptarët e rinj do të provohen edhe në Slloveni. Ekipet e Maribor, Domzale dhe Gorica do të vëzhgojnë Taulant Sokolin e Partizanit, Fatos Kreminin e Skënderbeut dhe Aleksandër Muharemin. Në këto prova ndikoi menaxheri shqiptar Andi Zorba së bashku me agjencinë e tij “Zorba FiFA Menagement”. /EDS/

Jeni i lutur të hyni në llogari që të lini një koment
Zyrtarizohet përforcimi i parë në merkato

Bylis, vjen talenti i Tiranës, një brazilian pas porte

22 Janar 2018 22:44

Mallakastriotët e kanë nisur merkaton nga sulmi. Është ish-talenti i moshave të Tiranës, Vjali Mahmuti, i cili i ka dhënë fund dilemës së tij në merkaton e janarit. Pas bisedimit me presidentin Kapllanaj, Mahmuti ka firmosur kontratën afatgjate me Bylisin.

Nga nesër ai do të vihet në dispozicion të trajnerit Marcelo Troisi, teksa nuk do të jetë i vetmi. Brenda pak orësh mësohet se do të ketë dhe tre zyrtarizime të tjera. Megjithatë, më afër është një brazilian, jo i panjohur për Shqipërinë. Por, klubi ka vendosur ta bëjë të ditur në një moment të dytë.

Nesër pritet të ketë të tjera zyrtarizime, pasi sot kanë nisur bisedimet intensive me futbollistë të ndryshëm të kampionatit tonë, por edhe të huaj. Vendet e lëna bosh nga lojtarët e larguar pritet që të zëvendësohen me të tjerë të talentuar. /EDS/

Jeni i lutur të hyni në llogari që të lini një koment
Çështja shkon te Dhoma Kombëtare e Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF

Ekskluzive/ Bylis në telashe me mesfushorin

22 Janar 2018 18:25

Ballshiotët këtë vit si asnjëherë tjetër, vetëm të larguar zyrtarisht dhe lojtarë që duan të largohen në ditët në vijim. Pas ikjes së dy vëllezërve Fejzaj dhe sulmuesit kamernuas Nteppe, në stërvitje prej ditësh nuk shihen dy vëllezërit Vatnikaj, ndërsa sot zyrtarisht ka kërkuar largimin mesfushori Vesel Limaj.

EDS zbulon zyrtarisht kërkesën e mesfushorit 21-vjeçar në Dhomën Kombëtare të Zgjidhjes së konflikteve pranë FSHF-së, i cili ka kërkuar që të largohet nga ballshiotët dhe prishjen e njëanshme të kontratës.

Në bazë të faksimiles së mëposhtme vërtetohet se ai nuk do të bëjë kthim pas, pra të riveshë fanellën e mallakastriotëve për pjesën e mbetur të kontratës. Mesfushori ka dalë nga akademia e Hamburgut në Gjermani dhe para se të transferohej në Shqipëri, ai ka veshur fanellën e Horn në Ligën e Parë në Austri.

Në muajin gusht ai kaloi provën te ballshiotët dhe ka firmosur kontratë 2-vjeçare, pra deri më 31 maj 2019. Por, Limaj tashmë ka marrë tjetër vendim për karrierën e tij. Megjithatë, do të jetë DHZK-ja që do të japë përgjigjen përfundimtare për këtë çështje. /EDS/

Jeni i lutur të hyni në llogari që të lini një koment