Lou Williams mposht Golden State, Houston nuk di të gabojë

Ti mund ta lexosh kete ne 2 min.
11 Janar 2018 11:07
Bulls mund Knicks mes spektaklit, Hawks rigjen fitoren

Lou Williams ishte thjesht i jashtëzakonshëm në “Oracle Arena “. Golden State u dorëzua në shtëpinë e Los Angeles Clippers, pasi nuk kishte çfarë të bënte ndaj basketbollistit 31 vjeçar, i cili shënoi 50 pikë dhe udhëhoqi të tijtë në fitoren e madhe 125-106.

Kështu, kampionët në fuqi u ndalën pas 5 fitoreve radhazi. Stephen Curry nuk shkeli në parket pasi kishte një problem me kaviljen, ashtu edhe Thompson që e bëri pushim.

Që t’ia prishte mbrëmjen Kevin Durant-it që me 40 pikët e tij i arriti 20 mijë në total mendoi Williams, që realizoi 50 pikë dhe udhëhoqi të tijtë në këtë sukses.

Houston Rockets morën një sukses me rëndësi në “Toyota Center” ndaj Portland Trail Blazers me rezultatin 112-121.

Ylli i miqve James Harden vazhdon të jetë i dëmtuar, por Chris Paul udhëhoqi të tijtë drejt suksesit me 37 pikë, 1 asist dhe 7 ribaunde, kurse Eric Gordon 30 pikë. Për Blazers shkëlqyen Lillard dhe McCollum me 29 dhe 24 pikë.

Minnesota Timberwolves mundën në transfertë Oklahoma City Thunder me rezultatin 88-104. Pjesa e parë ishte e barabartë (47-47), ndërkohë që në të dytën miqtë të udhëhequr nga Jimmy Butler (26 pikë) ndryshuan ritëm dhe gjetën fitoren. Për vendasit ishte e kotë paraqitja e Rusel Westbrook-ut (38 pikë, 10 ribaunde, 5 asiste). Për Minnesota-n suksesi i tretë i radhës, kurse për Oklahoma City-n humbja e tretë e radhës.

Atlanta Hawks më në fund gjetën fitoren kundër Denver Nuggets me rezultatin 110-97.

Lojtari më i vlerësuar rezultoi gjermani Dennis Schroder që dha 10 asiste dhe realizoi 19 pikë.

Utah Jazz triumfoi në shtëpi 107-104 kundër Washington Wizards, ndërsa Miami Heat mori fitoren e shtatë radhazi pasi mundi Indiana Pacers 114-106.

Milwaukee Bucks trishtuan Orlando Magic dhe publikun tyre duke i mposhtur 103-110, të udhëhequr nga dyshja Antetokounmpo e Middleton (26 e 22 pikë).

Detroit Pistons mundën në shtëpi Brooklyn Nets 114-80 dhe e mbyllën takimin me 34 pikë avantazh

Memphis Grizzlies theu New Orleans në “FedEx Forum” 102-105.

Sukses edhe për Chicago Bulls që mundi New York Knicks 122-119 në “Madison Square Garden”.

Kjo mund të quhet ndeshja më e bukur e natës, pasi u deshën dy kohë shtesë që Bulls t’i gëzoheshin fitores.

U dallua në parket Markkanen me 33 pikë dhe 10 ribaunde.

Knicks në fund ngriti flamurin e bardhë, edhe pse Beasley realizoi 26 pikë, Porzingis 24 dhe Jarret Jack tripletë dyshifrore (16 pikë, 10 ribaunde, 10 asiste).

Në “Spectrum Center”të Charlotte-s, Dallas Mavericks mundën Hornets 115-111.