Luajti në Superiore, por mesfushori pendohet: Sezon i çuar dëm

Edhe pse luajnë në Superiore, aty ku e lakmojnë shumë futbollistë, sërish lojtarët në Shqipëri zhgënjehen. Qoftë nga ana profesionale, por edhe nga ajo monetare. Janë dy arsye krejt të kundërta, por që ku bëhen bashkë dhe funksionojnë, atëherë edhe një ekip funksionon. Në të kundërt, kur ka mosmarrëveshje në këto dy pika, çdo gjë dështon.

Lushnja e sezonit që sapo u mbyll i dhuroi të gjitha. Financa të dobëta, por edhe rezultate që nuk i shkojnë për shtat një ekipi që ka histori dhe traditë në futbollin tonë. Megjithatë, tashmë çdo gjë është mbyllur dhe ajo që dhuruan verdhejeshilët është për t’u harruar si nga ambienti sportiv, por edhe nga tifozët e kësaj skuadre që vjet ishin të shumtë për ta mbështetur për t’u kthyer në Superiore e më pas e braktisën për shkak të rezultateve të turpshëm.

Një nga të zhgënjyerit është dhe pogradecari Hermes Shkulaku. Mesfushori nga Pogradeci u afrua gjatë merkatos së verës te verdhejeshilët, por që nuk arriti që të dilte në nivelin e kërkuar. Ai e quan dështim sezonin e lënë pas dhe zgjedhje të gabuar atë që bëri një vit më parë.

“Për fat të keq ishte një sezon i çuar dëm qoftë nga përzgjedhja e ekipit që s’duhet ta kisha bërë, por dhe për shkak të fatit tim të keq që u dëmtova. Por, jam i bindur se ky gabim i përzgjedhjes që bëra do vlejë në të ardhmen…”.

“Por të paktën kishte diçka të bukur kur shikoje gjithë ata tifozë që vërtet e donin ekipin dhe tifozët si aty në Lushnje i duhen çdo lloj ekipi në Shqipëri..”, thotë Shkulaku në një nga komentet e tij në Facebook ku komenton edhe tifozerinë verdhejeshile të cilën e ngre në nivelin më të lartë, sepse vërtetë janë të tillë. /EDS/

**********************************

Ndalohet ribotimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Në eduasportin.com do gjeni Parashikime Ndeshjesh për Kampionatet Kryesore, Rezultate Live dhe Statistika Futbolli.